Mesnatën e së dielës, kur në oborrin e shtëpisë së Ramazan Muçës, gjyshit të Xhisiela Malokut shpërtheu një sasi tritoli, vetë 25 vjeçarja ishte në banesën në Larushk të Krujës. Njeriu i parë që ka telefonuar 25 vjeçarja është një prej Rrajave, kushëri me ish të dashurin e saj Rexhepin.
Xhisiela nuk ka asnjë dyshim se Rrajat nuk kanë gisht në këtë ngjarje.
"Vendosja e tritoli është mëse e qartë. Që do të thotë se është bërë nga Partia Demokratike dhe nga opozita, për të më sulmuar drejtpërdrejt, sepse të vërtetën e di unë dhe vetëm unë. Nuk jam e kërcënuar nga fisi Rraja. Deri dje hipotezat ishin se unë isha e kërcënuar nga fisi Rraja. Tashmë nuk jam. Edhe telefonata e parë që unë kam bërë, pasi ka ndodhur shpërthimi ka qenë një kushëri të Rexhepit, Ramazan Rraja, që ka ardhur këtu dhe pastaj është larguar, sepse unë nuk doja që... Pastaj kam lajmëruar policinë" tha Xhisiela ndërsa dilte nga shtëpia e saj.
https://www.youtube.com/watch?v=p00ZA3xWxH4&feature=youtu.be
E pyetur nga gazetarët se përse mendon se këtë e ka bërë opozita, ajo tha se "ata luajtën një lojë politike dhe në një farë mënyre dolën bllofit".
Policia njoftoi zyrtarisht se në banesë është hedhur një sasi e vogël tritoli, por familjarët thanë se janë tmerruar pasi shpërthimi ka qenë i fortë.
"Më datë 07.10.2018, rreth orës 23:30, në fshatin Larushk Fushë-Krujë, në cepin e oborrit që lidh banesat e shtetasve B.M dhe R.M është hedhur nga rruga dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse" u tha në njoftimin e policisë.
Me të njëjtin version, se kishte qenë opozita që kishte organizuar shpërthimin e tritolit në shtëpinë e Xhisiela Malokut doli më herët kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama tha se vetëm opozita kishte interes të krijohej ideja se vajza është nën terror.
"Mbrëmë natën, vajzës së kthyer në mish për topat e kësaj politike të ulët, iu hodh lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar të krijojë në publik idenë se vajza është nën trysninë e një terrori psikologjik? Ne? Jo. S'ka mendje normale, madje edhe peshqit e Liqenit Artificial e kuptojnë se për këtë kanë interes vetëm ata që e dhunuan publikisht për ditë e ditë të tëra, ata që i dinë shqiptarët për budallenj dhe që synojnë t'i bindin se një histori dhune fizike marrëdhëniet mes dyy të rinjve, sigurisht nga ana e djalit mbi vajzën, na qenka një histori dhune seksuale e frymëzuar politikisht nga një baba deputet, dhe e andëshkuar se kryetari i deputetëve ka shkuar me armë në dorë dhe ka kanosur oficerin e policisë që të mbyllë gojën" tha kryeministri.
Versioni i kryeministrit ishte i pari reagim që doli në media. Kryeministri nxitoi të flasë për këtë ngjarje, ende pa dalë një ekspertizë nga policia, ende pa u marrë në pyetje të dyshuarit dhe kur hetimet sapo kanë nisur.
Policia mësohet se ka shoqëruar 9 persona për këtë ngjarje. Pak kohë më parë, Xhisiela Malokut iu ofrua mbrojtje nga policia, por 25 vjeçarja nuk e pranoi, me pretendimin se tashmë ka marrëdhënie të mirë me Rrajat.
Në anën tjetër, familja Rraja duket në gjendje të vështirë pas daljes së lajmit në media. Përveç burgosjes së 25 vjeçarit Rexhep Rraja për shkak të torturave që i ka bërë Xhisiela Malokut, kryeministri tha se edhe bashkëshortja e deputetit Rrahman Rraja është në spital ku po lufton për jetën e saj.©Lapsi.al