Flash

Zëri i Amerikës: Pakti me Greqinë s’është në dorë të Ramës, Meta ka rol vendimtar

Lapsi.al 5 October 2018
Zëri i Amerikës: Pakti me Greqinë s’është në

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e së enjtes, se në rast të arritjes së një marrëveshjeje me Greqinë për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve, ajo do të kalojë në parlament, pa pritur që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale.

Komentet e zotit Rama në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla në televizionin “Vizion Plus”, pasuan deklaratën e një dite më parë në Zërin e Amerikës, të Presidentit Ilir Meta i cili theksoi se “është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve”, tha zoti Meta, duke shpjeguar se këtë gjë ia ka bërë të qartë dhe kryeministrit Rama.

Por kreu i qeverisë foli për “një opinion të Presidentit” duke shtuar se “parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse do të realizojmë një marrëveshje sigurisht që ne do ta kalojmë në parlament, dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë por ajo është e hapur. Kush ka pretendime mund të rregjistrojë pretendimin, mund ta depozitojë çështjen, dhe në momentin që bëhet funksionale, ajo mund ta rimarrë çështjen”, u shpreh zoti Rama.

Megjithatë, çështja nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e shumicës. Në këtë rast bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë” dhe sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”. Pra roli i kreut të Shtetit është vendimtar, dhe deklarata e zotit Meta, nuk duket të ketë qenë thjesht një opinion, por bërja e qartë e faktit se ai është i vendosur të luajë plotësisht rolin dhe kompetencat që i njihen në këtë rast.

Po dje, mbi deklarimet e zoti Meta, u shpreh dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, me të cilin, siç pohoi kreu i Shtetit, kishin patur mosmarrëveshje për çështjen e Detit. Shefi i diplomacies shqiptare, iu shmang qëndrimeve që do ta vinin në përplasje direkte me zotin Meta, ndërsa tha se “negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do të përmend një shprehje popullore ne nuk mund të bëjmë dasëm, kur nuk kemi çiftin.

Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar, dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne e konsiderojmë veten pjesë të një ekpi, përfshirë Presidentin e Republikës”, u shpreh zoti Bushati. Ai shtoi se “në momentin që do të përfundojë e gjithë puna teknike që po zhvillohet nga ekspertët, dosja do të dorëzohet pranë Presidentit të Republikës, ku ekipi i ekspertëve do të bëjë vlerësimin përfundimtar mbi përputhshmërinë e asaj çka do të jetë arritur me mandatin që ka lëshuar Presidenti i Republikës për këtë çështje”.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është e bllokuar sepse vetëm 3 nga 9 anëtarët e saj u rikonfirmuan në detyrë pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Për momentin askush nuk mund të thotë se kur do të mund të plotësohen vendet e mbetura bosh, përsa kohë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili do të duhet të bëjë përzgjedhjen paraprake të kandidatëve nuk është i plotësuar me anëtarët e vet.

/Voa/

 

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI