"Kam refuzuar një ofertë të parezistueshme për Milinkovic-Savic në 17 gusht". Lajmin e ka bërë të ditur presidnti i Lazios, Claudio Lotito, që shpjegon edhe motivin: "Kisha marrë një zotim me trajnerin që nuk do ta shisja këtë sezon". Presidenti i Lazio, për Il Tempo, shpjegon: "Nuk i them shifrat por ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se në Itali askush nuk do ta refuzonte, e them pa frikën se mund të më përgënjeshtrojë njeri". Milan ishte i interesuar për mesfushorin serb, por me shumë mundësi oferta ka ardhur nga Psg.
Tani Lotito shpreson të fitojë bastin e tij me një tjetër sezon të jashtëzakonshëm të mesfushorit të tij: "Nuk punoj për para, më pëlqen të fitoj sfida, të shohim nëse kam gabuar apo kisha të drejtë. Mund ta kisha shitur shtrenjtë por nuk e bëra".
Nuk mund të mungonte shigjetimi për Lega Serie A, që ka ndryshuar rregullat mbi fundin e sesionit veror të merkatos: "Dikush mendjendritur ka menduar të përshpejtojë mbylljen, në mungesën time, por Lega me këtë ndryshim është dënuar vetë, duke hequr mundësinë për të kryer operacione deri në 31 gusht si në Angli, Spanjë apo Francë".