“Një horr i kthyer në hero, ka sabotuar hetimin dhe ka përdorur rastin për të marrë azil. Nuk do t’i ndahemi këmba këmbës atij horri”
Fjalë të rënda nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që nuk ishte dëgjuar të flasë me këtë lloj gjuhe dhe me këtë mllef as kur u zbulua se një vrasës ishte bërë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, as kur u zbulua se një përdhunues në grup ishte bërë kryetar bashkie, as kur u mor vesh se një tutor prostitutash ishte bërë deputet i Partisë Socialiste, apo kur u vërtetua se ish Ministri i tij i Brendshëm udhëtonte fundjavave në të njëjtën makinë me trafikantët e drogës jashtë vendit.
Jo, njeriu që Rama e quajti një "horr" nuk bëri asnjë nga këto gabime. "Horri" i Ramës, Emiljano Nuhu u konsiderua i tillë, sepse nuk pranoi të heshtë dhe të ulë kokën përpara një historie si ajo e Rrahjave, që ende sot mbajnë peng vajzën e përdhunuar hoteleve të Krujës, nga djali i deputetit që përfaqëson Rilindjen.
Çështja është se "horri" i Ramës rezulton të jetë një polic për të cilin shteti shqiptar ka investuar në trajnime dhe kualifikime të rëndësishme. Disa çertifikata dhe diploma të publikuara në rrjetet sociale nga gazetari Armand Maho, tregojnë se me shumë gjasa, denoncimi i Emiljano Nuhut, nuk ishte një rastësi.
Nuhu ka qenë një polic për të cilin është investuar për vite me radhë dhe ka kryer disa trajnime të rëndësishme.
Shikoni më poshtë, çertifikatën e sigurisë të lëshuar Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar, kualifikimet nga OSBE, PAMECA, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, diplomën në juridik etj dhe kurset e tjera të organizuara nga policia e shtetit, pastaj ia vlen të pyetet se kush është horri i vërtetë në këtë përballje.
