Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme se nuk mund t'i kërkojë shqiptarëve që të rrëzojnë me dhunë Edi Ramën, pasi kjo do të ishte grusht shteti.
Basha u shpreh në emisionin "Të Paekspozuarit" se nuk duhet vënë në diskutim qëllimi i tij për rrëzimin e Ramës nga pushteti.
Sipas kryetarit të opozitës, rrëzimin me dhunë të Ramës mund ta bëjë vetëm populli.
‘Që unë dua që Rama të rrëzohet që sonte këtë mos e vini në diskutim! Por kryetari i opozitës nuk mund të bëjë thirrje që të kërkojë rrëzimin me dhunë të Ramës. Rrëzimin qoftë dhe me dhunë të Ramës mund ta bëjë populli. Qëllimi i partisë politike është të bindë popullin dhe ti ofrojë alternativën. Unë po paraqes para shqiptarëve alternativën për të shkatërruar këtë sistem. Sepse edhe nëse ikën Rama, por po ngelën bandat, oligarkët dhe këto media të blerë, ngelemi sërish aty ku jemi. Alternativa jonë nuk merret vetëm me Ramën, por me gjithë sistemin. Po të bëj thirrje për të rrëzuar Ramën me dhunë është grusht shteti. Po të dalë populli atje, është forca e sovranit. Unë se kam problem që të thërras që nesër 10 mijë militantë dhe e rrëzoj Ramën por çfarë ndodh. Del Trumpi, Merkeli dhe thonë që Basha e mori pushtetin me dhunë. Por nëse del vetë populli, atëherë ata i thonë Ramës largohu nga zyra sepse e kërkon populli’, - u shpreh Basha.