Flash

Rama, narciz i sëmurë apo hajdut i pangopur?

Lapsi.al 22 September 2018
Rama, narciz i sëmurë apo hajdut i pangopur?

Duke ndjekur intervistën në “Opinion” të Edi Ramës me gazetarët

(pjesën për Teatrin Kombëtar), m’u ngjall edhe një herë një

pikëpyetje që ngrihet në rrethet gazetareske mbi Kryeministrin.

Pikëpyetja është se çfarë dominon në projektet Rama të shembjes së

monumenteve të kulturës si Stadiumi e Teatri: babëzia e hajdutit që

kërkon të ketë sa më shumë para për pushtet dhe pushtet për para

apo sëmundja e narcizistit delirant e mitoman, që mendon se historia

fillon me të?

Ka që ngulmojnë se duhet ta harrojmë delirin dhe historinë.

Shikoni Komunën e Parisit! – të thonë ata. Aty Rama ka pasur

mundësi ta fillojë historinë nga zeroja sepse ishte një terren i virgjër,

ku mund të shfaqte krejt ambiciet, dashurinë dhe vizionin e tij për

qytetin – sikur ta kishte – dhe ja se çfarë shëmtie ka bërë. Shikoni

prishjen e tërë atyre vilave historike te Blloku, te Rruga e Elbasanit

etj., për të ngritur atje ndërtesa banale me të vetmin kriter: sa më

shumë sipërfaqe shitjeje në gjerësi dhe lartësi. Ju duken të bukura

ato, ju duket se kanë ndonjë pretendim për të bërë histori, përveç

historisë së shëmtimit të këtij qyteti? Mirëpo, në këtë pikë partizanët

e delirit, që nuk e mohojnë hajdutin brenda tij, ndërhyjnë e thonë se

politikanë hajdutë ka pasur dhe ka Shqipëria, por askush nuk ka

arritur deri te shembja e objekteve të tilla si Teatri apo Stadiumi. Këtu

ka diçka më tepër – të thonë ata – dhe të kujtojnë atë argumentin e

Vangjush Dakos, kur tha se Veliera po bëhet për turistët që do të

vijnë pas treqind vjetësh të vizitojnë Durrësin.

Personalisht, kam mëdyshje mbi atë se çfarë dominon te Rama,

babëzia e firmës së betonit Rama/Gjushi, apo megalomania e

narcizisit manipulator e mitoman që pandeh se po lë gjurmë në

histori. Madje, them se nuk ka kuptim të kërkosh se cila dominon

sepse ato janë tashmë dy anë të medaljes, ku asnjëra nuk bën dot pa

tjetrën. Por një gjë di të them me siguri nisur nga ajo historia që

Rama po e përsërit ngase nuk do dhe nuk di të mësojë prej saj. Gjëra

të bukura mund të bëjë edhe një i sëmurë narcizist megaloman, por

kurrsesi kur sëmundja bashkohet me kalkulimin për të vjedhur dhe

me injorancën.

Në emisionin “Opinion” të së enjtes, gazetarët e ftuar u morën jo aq

sa duhet me synimin për të vjedhur në projektin e Teatrit. Për të

ilustruar tezën time, do të thosha se ato kullat “Fusha” prapa, që kanë

synim vjedhjen, dëmtojnë estetikisht edhe vetë projektin “Flutura” të

danezit sepse i marrin dritën frymën dhe hapësirën, për të cilën ka

nevojë; dhe fakti që Rama nuk shqetësohet fare për këtë, përforcon

tezën e atyre që thonë: harrojeni delirin, shikoni vetëm vjedhjen.

Debati megjithatë u përqendrua më shumë te pjesa kulturore e

projektit: te nevoja apo jo e ruajtjes së ndërtesës historike. Dhe

pikërisht këtu Rama shpalosi injorancën e tij të thellë, që, bashkë me

vjedhjen nuk mund të lërë kurrsesi të bëjë gjëra të bukura.

Do të ndalem vetëm në dy momente.

I pyetur nga Fevziu se me çfarë argumenti një objekt si Teatri

Kombëtar është futur në monumentet e kulturës në vitin 2000 dhe

tani është hequr për t’u shembur, Edi Rama u përgjigj se që nga ajo

kohë kanë kaluar 20 vjet. Kjo përgjigje (pa përgjigje) nuk mund të

jepet pa qenë “profondamente ignorante” (thellësisht injorant) siç e

ka pas cilësuar dikur një ish- këshilltare e tij me profesion arkitekte.

Kryeministri që ka qenë edhe kryetar bashkie, edhe ministër Kulture

nuk e paska mësuar ende se lista e objekteve që janë monumente

historike nuk vjen duke u pakësuar, por duke u shtuar në një qytet që

nuk sundohet nga talebanët, sepse historia ecën përpara, çka do të

thotë se sot p.sh. ne kemi nevojë të shpallim monumente kulture

edhe shumë objekte të kohës së socializmit, ndërkohë që ata më të

vjetrit bëhen edhe më të çmuar ashtu si vera e mirë. Jo vetëm, por

Kryeministri na nxori qartë se ai paska hequr si monument kulture

edhe godinën e ish Komitetit Qendror edhe Piramidën (duke lënë

vetëm asfaltin e bulevardit) sepse paska ndërmend t’i transformojë,

duke i vënë të parit një kapuç të madh mbi kokë dhe të dytit shkallë

për të luajtur fëmijët, duket sipas projektit të Vini Mass. A dominon

babëzia apo sëmundja psikike në këtë punë, për mua s’ka shumë

rëndësi. E rëndësishme është që këtu kemi të bëjmë me një padituri

të thellë edhe emocionale, edhe racionale mbi rëndësinë e

monumenteve të kulturës.

E kjo lidhet me një tjetër padituri që manifestoi Kryeministri në

emisionin e së enjtes, duke respektuar gjatë gjithë debatit “këshillën”

e Mark Twenit: “Gjithçka për të cilën ke nevojë në këtë jetë, është

injoranca dhe besimi dhe atëherë suksesin e ke të garantuar”.

Kur gazetarët i thanë se ka prishur një monument kulture (duke folur

për stadiumin), ai u përgjigj: “Monument kulture ka qenë i gjithë

Ansambli, jo thjesht Stadiumi”. Sipas kësaj diturie, nëse i heqim një

copë një monumenti kulture, ai nuk u cenuaka. Më pas, për të

demaskuar deri në fund veten sipas atij parimit se po t’u prish

karakteri të zbehet edhe inteligjenca, filloi të thotë se ai nuk e ka

prishur objektin e Bozios, pasi fasadën, që qenka e vetmja gjë me

vlerë e objektit, e paskan futur brenda stadiumit: “Siç i bëjnë

italianët, nga të cilët unë mësoj, kurse ju nuk mësoni”, shtoi ai duke

përqeshur gazetarët.

Nuk dua të flas këtu për faktin se për të shembur një objekt të

mbrojtur me ligj, minimalisht duhet të ndryshosh më parë ligjin që e

ka bërë atë objekt të mbrojtur. Këtë shpresoj se do të vijë dita, kur

një drejtësi vërtet e pavarur do ta këtë objekt të hetimeve të veta.

Dua të theksoj edhe një herë aspektin e paditurisë së Kryeministrit

tonë.

Një nga gjërat më elementare që duhet të dijë një ish- ministër

Kulture dhe një ish-kryebashkiak kur flet për monumentet e kulturës,

është fakti se ka një rregullore që mbron objektet që janë monument

kulture, ku midis të tjerave, përcaktohen edhe largësitë (prej tyre) që

duhen ruajtur, në mënyrë që ata të mund të rrezatojnë vlerën e tyre,

për të cilën ruhen, bukurinë e tyre. Kurse ky me Casamontin e tij na e

paska futur brenda stadiumit të ri fasadën e vjetër sikur të jetë

ndonjë lodër, që e lëviz në shtëpinë e tij. Edhe diçka tjetër. Ku i paska

parë ky dhe Casamonti këto veprime në Itali me monumentet e

kulturës. Në Firencen e Casamontit, stadiumi “Artemio Franchi” ku

luhen ndeshjet e Fiorentinës, është i vitit 1931 dhe konsiderohet

simbol i arkitekturës së shekullit XX në qytet. Dhe është jashtë

qendrës historike. Kurse në qendër, kur një kryebashkiak pati idenë të

ndryshojë pak daljen e prapme të galerisë Uffici, për të vendosur atje

një si tip strehe, sipas projektit të një arkitekti të njohur japonez, u

ngritën gjithë njerëzit e artit dhe e ndaluan.

“Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa injoranca në veprim”, thotë Gëtja.

Shtojini kësaj edhe babëzinë për të vjedhur të Ramës dhe oligarkëve

rreth tij, edhe sëmundjen e pashërueshme të delirit të atij që mendon

se historia fillon me të dhe imagjinoni se si do të katandiset Tirana, që

edhe kështu është bërë e pashikueshme dhe e pabanueshme.

/Panorama/

Të këshilluara

Vjedhja plot SHKELQIM në emër të FUSHES

Pas votimit të 75 deputetëve socialistë, Edi Rama tregoi se është i vendosur t'i shkojë deri në fund aferës së teatrit që  i dhuron 200 milionë euro Shkëlqim De...

14:13

Arkitekti i Ramës dhe arkitekti i Hitlerit

Po “arkitektë oborri” nuk paska? Ashtu si ka pasur dhe ka “poetë oborri”, “piktorë oborri” etj.? Miqtë arkitektë nuk kanë përse ngrysen për këtë çështje të s...

16:33

Hipokrizia e Ramës në luftën me mediat

Edi Rama i është rikthyer disa herë të enjten në mbrëmje, në emisionin e ri “Open”, diskreditimit të rolit të medias si pushteti i katërt. Ai ka dëshmuar me këm...

16:54

Tri lexime të John Boltonit

Porosia për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës nga Washingtoni erdhi nga njeriu, i cili ishte kundër pavarësisë së Kosovës. Por ka edhe më shumë se kaq... 1....

09:33

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

REPLIKË/Ku duhet kërkuar gjeneza e “Shqipërisë së re”

Problemi me artikullun e Andi Bushatit është se ai rrezikon ti japë lëvizjes Bashkë peshën e rëndë që akoma nuk e ka për të reflektuar Shqipërinë e nesërme. Jo se lëvizja Bashkë nuk e përfaqëson Shqipërinë e nesërme, por se nuk e bën dot këtë e vetme

08:22 Kristi Pinderi

Me sytë katër

PAPARAZZI