Kartoni i kuq i Cristiano Ronaldos në ndeshjen Valencia-Juventus ka qenë edhe pika më e diskutuar e mbrëmjes së Champions. Brych ka gjykuar si veprim ekstrem kapjen mbi kokë që portugezi i ka bërë Murillos, por specialistët e gjykimit duke analizuar pamjet kanë mendimin se arbitri gjerman ka gabuar rëndë në këtë rast.
Ish-arbitri Graziano Cesari është shprehur kështu: "Ronaldo nuk ka bërë asgjë, ajo e Murillos ishte një skenë e shëmtuar. Është një situatë që meritonte maksimumi një karton të verdhë".
Cesari ka shpjeguar me detaje aksionin: "Nuk ka një kontakt të parregullt mes Ronaldo e Murillo, që kërkojnë të pozicionohen sa më mirë në zonë. Mbrojtësi pastaj rrëzohet në tokë, portugezi i bën shenjë që të ngrihet duke i prekur kokën dhe jo duke i shkulur flokët. Aty kolumbiani ngrihet me shpejtësi: duket një skenë e shëmtuar e tij. Arbitri po ndiqte aksionin dhe i besoi asistentit të portës që në këtë rast gaboi".