"Pas Europianit, unë mendoj se do të ndalem", kishte thënë Romelu Lukaku për amerikanen Business Insider, duke shpjeguar se nuk do të luante në Kupën e Botës 2022. Sulmuesi i Manchester United ishte pjesë e rëndësishme e Belgjikës në "Rusi 2018", duke tërhequr Djajtë në gjysmëfinale të kompeticionit.
Ylli i Manchester United, ka folur të martën mbrëma pas fitores 3-0 të Belgjikës kundër Islandës në kuadër të Ligës së Kombeve: "Thashë atë që thashë. Gjithçka do ta shikoni shumë më vonë. Nuk do të jem Djall i Kuq për dhjetë vjet. Por ndërkohë, po shijoj momentet që kaloj me shokët e mi dhe jam i kënaqur me paraqitjet e mia".
"Do ta shpjegoj më vonë pse thashë se do të ndalem pas Euro 2020. Zgjedhjet personale janë më pak të rëndësishme sesa grupi dhe kolektivi. Kur jam këtu, jam shumë i lumtur dhe kjo është gjëja kryesore për momentin", shtoi ndërkombëtari belg.