Diego Pablo Simeone në drejtimin e Interit është "vetëm çështje kohe". Trajneri argjentinas i Atletico Madrid, fituesi i Superkupës së fundit me colchoneros, një ditë do të drejtojë zikaltrit, dhe zbulimin e ka bërë motra e tij Natalia, njëkohësisht edhe agjente e Simeones: "Herët ose vonë do të ndodhë, e ka thënë edhe Diego - ka deklaruar në një intervistë për të përjavshmen Fuorigioco - Besoj se do të jetë çështje kohe, i pëlqen shumë vendi, ambienti, të jetojë në Milano. Inter është një skuadër që do t'i pëlqente shumë ta stërviste. Por ka mbetur shumë i lidhur edhe me Lazion",
Trajneri argjentinas, i cili ka fituar tashmë shtatë tituj me Atleticon, është i lidhur me klubin e Madridit deri në qershor të vitit 2020, pasi kishte kërkuar dhe arritur shkurtimin e kohëzgjatjes së kontratës, e cila fillimisht duhet të kishte skaduar në vitin 2022: "Pasioni, në fund, fiton gjithmonë - tha e motra - Janë shtatë vjet që Diego është te Atletico Madrid. Ai është një nga trajnerët më të mirë në botë, por do të qëndrojë aty ku beson se ka ende për të dhënë. Dhe unë e ndjek: nëse ai largohet, unë e shoqëroj". Pra e gatshme për ta ndjekur edhe në shtëpinë zikaltër: "Me Diegon kam një raport special - zbuloi - Jemi tre fëmijë: ai është më i madhi, pastaj jam unë, në fund Carla. Që fëmijë luanim me top bashkë dhe Diego nuk humbiste kurrë. Vëllai im ka shumë respekt për profesionin tim, dhe një besim të madh".
Natalia Simeone është agjente e të vëllait, por edhe e nipit, sulmuesit të FIorentinas Giovanni (që kohët e fundit ka debutuar me një gol me fanellën e Argjentinës): "Më i talentuari nga fëmijët e Diegos? Giuliano. Është 15 vjeç, është fëmija e tretë dhe aktualisht luan te River Plate. E bëjnë të luajë si sulmues qendre, por unë e preferoj si numër 7 se sa numër 9"