Më 31 maj koret festive ende kumbonin në rrugët e Madridit, kur Zinedine Zidane, me elegancë dhe vetëpërmbajtje deklaroi se kishte ardhur "koha që një zë tjetër të dëgjohej në dhomat e zhveshjes" të Real Madridit, duke u larguar kështu nga klubi më i titulluar në botë nga dera e madhe. Një largim që tronditi si një tërmet i fortë kryeqytetin spanjoll. S'kish se si të ishte ndryshe, sepse asnjë trajner, edhe në kohën e pesë trofeve radhazi të Real Madrid në fillimet e kompeticionit në vitet 1950, nuk kishte arritur tre herë radhazi të rrëmbente Champions apo Kupën e Kampioneve sic njihej në atë kohë.
Në një intervistë ekskluzive të dhënë për UEFA, Zinedine Zidane është kthyer të flasë për çelësin e suksesit të tij të jashtëzakonshëm.
"Të tre tituj ishin fantastikë. Janë të gjithë të veçantë për arsye të ndryshme. I pari dallohet sepse ishte i pari në karrierën time si trajner. I dyti ishte njëkohësisht simbolik dhe provë force, pasi u përballëm me Juventusin duke dhuruar një performancë të jashtëzakonshme në pjesën e dytë. Dhe i treti është përmbyllja e tre sezoneve të mia si trajner i Real Madridit ", ka thënë ish-ylli i Galaktikëve, para se të zbulonte diçka më shumë mbi filozofinë e tij të lojës që i dha mundësinë të sundojë futbollin eurpian për tre sezone radhazi.
"Kërkoja nga lojtarët e mi të përqëndroheshin kryesisht në lojën tonë. Kur ju keni topin, nuk ju duhet ta rekuperoni, ndaj logjikisht jeni më pak të rrezikuar. Ju gjithashtu mund t'i bëni kundërshtarët të vrapojnë dhe të lodhen. Duke e ditur se lojtarët e mi kishin aftësitë e nevojshme, e bazova lojën e ekipit në zotërimin e topit. Por jo një zotërim thjesht duke mbajtur topin, por një zotërim që kishte në thelb sulmin ndaj kundërshtarit ", tregoi ish-lojtari dhe trajneri i lindur në Marseille, që arriti të krijonte një identitet të vërtetë loje, duke thyer kundërshtarët.
"Loja jonë ka qenë gjithmonë e njëjta, pa marrë parasysh se me kë kishim përballë. Megjithatë kemi folur me lojtarët për karakteristikat individuale të kundërshtarëve, në mënyrë që ata të ishin të përgatitur për situata shumë të veçanta. Por pa e tepruar, sepse doja që lojtarët e mi të përqëndroheshin kryesisht në lojën tonë ", tha "Topi i Artë" i vitit 1998.
Së fundi, siç pritej, një nga çelësat kryesorë të suksesit të Zinédine Zidane si trajner, ishte përvoja e tij si ish-lojtar i klasit botëror. Kështu, siç zbulon në këtë intervistë, se gjëja më e rëndësishme ishte që ai të sillej me lojtarët e tij ashtu sic ai do të dëshironte të silleshin me të kur luante në fushë. "Kur punoni me lojtarë të talentuar dhe me përvojë, gjëja më e rëndësishme është të mos i shqetësojmë. Kjo ishte ajo për të cilën kisha nevojë kur luaja në fushë, kjo është qasja që po përpiqem të praktikoj". Dhe sigurisht që ia ka dalë me sukses ...