Flash

Dikur na quante kriminelë, tani më të mirë se francezët! Vërtet ka ndryshuar Salvini?

Lapsi.al 27 August 2018
Dikur na quante kriminelë, tani më të mirë se

Edi Rama ia doli të kapte edhe një herë titujt kryesorë të medieve italiane, por edhe atyre evropiane. Gatishmëria e qeverisë së Tiranës për të marrë disa emigrantë nga anija “Diciotti” me 150 persona në bord që nuk u lejua nga qeveria italiane të zbarkonte në portin e Katanias u bë lajm për shumë nga agjencitë ndërkombëtare.

Vërtet kishte mbetur Italia dhe mbarë Europa në dorë të Shqipërisë? Jo. Ta themi qartë që në fillim. Ishte çështje parimesh. Brukseli u tregua i prerë me qeverinë euroskeptike të Romës. Emigrantët do të zbarkojnë në qendrat e refugjatëve në Itali dhe më pas do të procedohet sipas marrëveshjeve të arritura në të kaluarën.

Qeveria italiane këmbënguli në të sajën dhe sfidoi Bashkimin Europian duke i lënë refugjatët nga Eritrea dhe disa vende të Afrikës së Veriut për 5 ditë në kushte mizerabël në bordin e anijes. Qeveria e Conte-s  nisi bisedimet e veçuara me vendet e Bashkimit Europian për të ndarë refugjatët, ndërsa Shqipëria u vetëpropozua.

Pas kësaj, Matteo Salvini, kreu i Lega Nord, një parti e njohur historikisht për qëndrimet e saj kundër emigrantëve nisi të përdorë emrin e Shqipërisë për konsum politik.

“Unë falënderoj qeverinë shqiptare që u tregua më serioze se qeveria franceze. U them faleminderit shqiptarëve e turp t’u vijë francezëve”, - u shpreh zv.kryeministri italian që mban edhe detyrën e ministrit të Brendshëm.

Por a ka qenë ky qëndrimi i Salvinit për shqiptarët edhe në të kaluarën? Nëse u hedh një sy deklaratave të tij sheh se kreu i Legës ka bërë shpesh deklarata kundër hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria është vendi i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian. Për hir të historisë, ekonomisë, për të shkuarën dhe të ardhmen, t’i themi jo Europës si një supermarket. Betejë e vështirë? Ndoshta, por për t’u luftuar deri në fund. P.S: Bëjmë një shkëmbim? Ata hyjnë (në BE), ne dalim? Si thoni?”, - iu drejtua ai ndjekësve të tij në Facebook në 2014-ën, vetëm një ditë pasi vendi ynë kishte marrë statusin e kandidatit.

Ai i ka parë historikisht emigrantët si burim të kriminalitetit. Në faqen e tij në Facebook ka bërë shpesh akuza kundër të huajve. Në një prej rasteve postoi një lajm për arrestimin e një bande shqiptarësh duke shkruar: “Banda shqiptare arrestohet për organizimin e festave të mbushura me seks dhe drogë në një banesë ku jetonin emigrantë të paligjshëm. Çfarë Italie po na ndërton PD!”, - shkruante ai.

Me afrimin e zgjedhjeve tonet e tij u zbutën në përgjithësi ndaj emigracionit dhe në veçanti ndaj shqiptarëve. Nisi të sjellë shembuj integrimi, por sapo mori detyrën e ministrit të Brendshëm gjëja e parë që propozoi ishte largimi i të dënuarve të huaj që mbaheshin në burgjet italiane.

“Ne do të kërkojmë marrëveshje me Rumaninë, Shqipërinë dhe Tunizinë për të dëbuar të burgosurit e huaj. Këto shtete janë ndër vendet kryesore të origjinës së kriminelëve në burgjet tona” – tha Salvini pak kohë më parë.

Marrëdheniet mes qeverisë së majtë të Ramës dhe radikalëve të Salvinit nuk kanë qenë asnjëherë “të paqeta” sepse kryesocialisti bënte fushatë për Renzin. Madje në 2015-ën kur Salvini ishte në opozitë, Rama në RAI3 do të bënte akuza të forta ndaj tij duke i krahasuar mënyrën e tij të të bërit politikë me atë të fashistëve. (video më poshtë).

Mediat në Shqipëri shpërndanë me ekzaltim frazën e Salvinit se “ne qenkemi më europianë se francezët” duke harruar se gjithçka është thjesht “politikë e ditës”. Salvini që dikur e përdorte Shqipërinë si “dele të zezë” kundër Bashkimit Europian, sot mburr Shqipërinë për të “nxirë” Europën. Rama nuk është se shqetësohet për emigrantët, (strehimi i 20 prej tyre nuk e zgjidhi problemin), por i përdori ata për të marrë pak vëmendje dhe ia arriti. ©LAPSI.al

Të këshilluara

SHBA pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton deklaroi sot në Kiev se Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh në...

16:42

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI