Spanja ka ndërmarrë një hap tjetër drejt ballafaqimit me trashëgiminë e luftës civile, pasi qeveria miratoi zhvarrosjen e eshtrave të Françisko Frankos, të cilat kanë rënë në Luginën e mauzoleumit të të Rënëve pranë Madridit, që nga vdekja e tij në vitin 1975.
Këshilli i ministrave votoi në favor të kësaj mase, e cila u kundërshtua nga partitë e djathta të ‘Popullit dhe Qytetarëve’. Megjithatë, dekreti kishte nevojë vetëm një shumicë të thjeshtë për të kaluar. Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sánchez, Podemosi i majtë, dhe partitë nacionaliste katalane dhe baske votuan të gjithë pro.
Dekreti do të thotë se, pas një mosmarrëveshjeje që zgjati shumë vite, largimi i mbetjeve të dikurshme të diktatorit do të kryhet, ndoshta më vonë gjatë këtij viti, pavarësisht kundërshtimit nga familja e Frankos.
Nipi i tij, Francisco Franco Martínez Bordiu, tha: "Qeveria ka marrë këtë vendim oportunist, frikacak dhe hakmarrës. Ky është vetëm një mashtrim për të fituar vota për të majtën”.
Pablo Casado, udhëheqësi i “Partisë Popullore”, që doli nga krahu reformist i regjimit të vjetër të Frankos, kritikoi Sánchezin për "rihapjen e plagëve të vjetra" në një përpjekje për të "mbuluar faktin se ai është i paaftë për të qeverisur".
Partia “Qytetarët”, e cila po konkurron me “Partinë Popullore” për votat e të djathtëve, gjithashtu kritikoi këtë veprim.
"Duket se disa duan të kthehen në betejat vëllazërore midis të kuqve dhe bluve, të konfrontimit dhe ndarjes, gjë që i pëlqen politikës dypartiake", tha Albert Rivera, kreu i partisë. Ai pretendoi se kjo lloj politike ishte po aq e vjetër sa “të dëgjoje muzikë me kaseta”.
Opozita argumentoi se vendimi do të rihapte plagë të vjetra, të cilat nuk janë shëruar kurrë për miliona spanjollë.
Ndërkohë që Franko ka prehet në luks dhe shkëlqim rreth 60 kilometra jashtë Madridit, rreth 140,000 kundërshtarë të tij prehen në varre të pashënuara në të gjithë vendin, varrosur aty ku u ekzekutuan gjatë dhe pas luftës civile. Të fundit ekzekutime të tilla u kryen në vitin 1975.
Për të zbutur tranzicionin në demokraci pas vdekjes së Frankos, të gjitha palët ranë dakord për një "pakt heshtjeje”, duke lënë krimet e luftës civile dhe pasojat e saj pa sqaruar.
Si rezultat, për dekada, para dhe pas tranzicionit, "të humburve” të luftës civile u është dashur të jetojnë së bashku me "fituesit", shpesh duke e ditur se fqinjët e tyre ose kryebashkiaku lokal, janë njerëzit që vranë anëtarët e familjes së tyre ose konfiskuan pasurinë e tyre.
Askush nuk është ndjekur penalisht dhe, pavarësisht planeve për të krijuar një komision të së vërtetës, ata që kanë kryer krime nën diktaturën mbrohen nga një amnisti.

Nuk është bërë asnjë përpjekje për pajtimin në lidhje me luftën civile. Vetëm në vitet e fundit, kur Shoqata për Rimëkëmbjen e Kujtesës Historike u formua pasi u llogarit se dëshmitarët e luftës civile së shpejti do të vdisnin.
Çdo ditë, lule të freskëta vendosen në varrin e Frankos, por fakti që varri ekziston si një monument shihet si fyerje për miliona njerëz që vuajtën dhe u dëbuan nga regjimi i tij. Ndërsa në Gjermani është krim të nderosh Hitlerin dhe nazistët, në Spanjë ka një Fondacion Kombëtar të Françisko Frankos, i cili i është dedikuar kujtesës së tij.
Zhvarrimi pritet të bëhet në fshehtësi për të shmangur protestat dhe ende nuk është e qartë se ku do të rivarrosen eshtrat. Qeveria i ka dhënë familjes 15 ditë për të dalë me një propozim.
Megjithatë, kudo qoftë vendi ku Franko do të prehet përfundimisht, ndërsa diktatori mund të ketë vite që ka vdekur, trashëgimia e tij është ende shumë pranë nesh.
The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL