Manchester City e ka nisur me ritme të larta edhe këtë sezon. Në javën e parë të Premier League, Citizens kanë mundur 2-0 Arsenalin përpara se të shkatërronin 6-1 Huddersfield. Dhe nëse djemtë e Pep Guardiolas fluturojnë në krye të Premier League kjo mbi të gjitha falë dyshes së sulmit Sergio Aguero-Gabriel Jesus.
Ndaj Huddersfield Argjentinasi ka firmosur një tregolësh ndërsa braziliani ka shënuar gjithashtu. Të dy sulmuesit janë reshtuar rrallë bashkë me njëri-tjetrin, por ndërkombëtari brazilian mendon se mund të kombinohet shumë mirë me argjentinasin, gjë që e ka siguruar gjatë një interviste për faqen zyrtare të Manchester Cityt.
“Ekipi ynë ka gjashtë lojtarë të aftë të luajnë në sulm, që të gjithë shumë të mirë. Pep Guardiola ka besuar te Sergio Aguero, ashtu si në sezonin e kaluar dhe mendoj se nuk ka asnjë ndeshje ku ne nuk jemi gjendur mirë. Ne përshtatemi shumë mirë me njëri-tjetrin”, pranoi sulmuesi i ri brazilian i cili përjetoi një Kupë Bote për t’u harruar në “Rusi 2018“.
“Sergio Aguero dhe unë jemi të prerë për të shënuar gola dhe përpiqemi gjithmonë për ta realizuar këtë. Kam nisur këtë sezon me qëllimin që të përmirësoj finalizimin në mënyrë që të ndihmoj skuadrën. Pep Guardiola është shumë inteligjent dhe ai e di se për çfarë ka nevojë ekipi, dhe sigurisht që do të jem gjithmonë në dispozicion të tij. Do të mbaj gjithmonë të njëjtin angazhim”, shtoi Gabriel Jesus.
“Sezoni ynë ka nisur shumë mirë përballë Arsenalit javën e kaluar. Ne duam të nisemi fort në shtëpi dhe skuadra bëri një punë të shkëlqyer përballë Huddersfield. Kemi bërë atë që praktikojmë në stërvitje dhe që na kërkojnë të bëjmë, dhe rezultati erdhi. Ne luajmë sepse adhurojmë të luajmë, jemi një klub i madh dhe duam të vazhdojmë të shkruajmë historinë me Manchester Cityn”, përfundoi braziliani.