Humbja 5-2 është nga ato që vështirë se mund të kthehen, por Kukësi do ta provojë me dy armë më shumë: Oumar Toure dhe Ardian Cuculi dhe një strategji sulmuese të ideuar nga tekniku shkodran Armando Cungu, duke qenë se tashmë nuk ka absolutisht cfarë të humbasë.
Bashkë me Haris Harba dhe Reginaldon, sulmuesi nga Guinea do të përfaqësojë forcën ofensive me të cilën Kukësi do të provojë të shpartallojë mbrojtjen e Torpedo Kutaisi. Gjeorgjianët nuk është se janë të pakapshëm prapa dhe fakti i dy golave të pësuar, por më shumë imazhi i asaj rovjeshate të Shametit që mund ta kishte cuar rezultatin në 5-3, është stimulues.
Konflikti i hapur me Sebino Plakun, gjoba e aplikuar dhe mënyra e sjelljes së klubit me lojtarin, bëjnë të mendosh se dyart për të janë mbyllur, e madje vështirë të mendohet edhe aktivizimi i tij në këtë ndeshje.
Cuculi garanton eksperiencë, por ndoshta nuk është ambjentuar akoma si duhet me mekanizmat difensivë të Cungut. Tekniku shkodran në fakt po mendon rikthimin në të djathtë të mbrojtjes të William Cordeira, duke ulur në pankinë sërisht Hoxhën, ndërsa në portë ka rrokadë të deklaruar me Malokun që duhet të mbrojë për herë të parë portën e Kukësit si titullar.
Spostimi nga 4-2-3-1 në një ofensiv 4-3-3 duhet ti japë më shumë liri veprimi mbrojtësve të krahut, ndërsa sakrifica e madhe pritet nga Dzaria e Musolli, që më shumë mundësi do të ndihmohen këtë herë nga Shkodra, që ndeshjen e parë e nisi si zëvendësues.
Nuk është fare e thjeshtë, kur dy skuadrat të përballën në orën 19.00 në Elbasan Arsena, edhe pse Torpedo nuk është një kundërshtar i pakalueshëm. Kukësi përvec se të shënojë 3 gola, duhet të mendojë edhe të mos pësojë, sepse të mendosh pastaj që mund të realizohen lehtësisht 4 gola do të ishte utopi.