Nuk ka qenë gara më e mirë e Luiza Gegës, ajo e 3000 metrave me pengesa në “Olimpiastadion” të Berlinit, për kampionatin Europian të Atletikës. Atletja shqiptare nuk ka mundur dot të arrijë zonën e podiumit, edhe pse pas kualifikimit për në finalen e garës, kishte deklaruar si objektiv medaljen.
Gega u rendit në vendin e katërt me kohën 9'24''78, pas gjermanes Krause që mori medaljen e artë me kohën 9'19''80. Në vendin e dytë u rendit zvicerania Schlumpf me kohën 9'22''29 dhe medaljen e bronxtë e mori danezja Grovdal që kronometroi 9'24''46.
Luiza, edhe pse pritshmëritë ishin të larta, dështoi të përsëriste suksesin e arritur në Lojërat Mesdhetare, ku fitoi medaljen e artë pikërisht në garën e 3.000 metrave me pengesa.