Prej kohësh në disa media po qarkullon, më shumë në formën e thashethemit sesa të një burimi të konfirmuar, se në takimin historik të Helsinkit, në 16 korrik, mes Trump dhe Putin është diskutuar edhe për hipotezën e rishikimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, që është ndezur ditën e fundit falë deklaratave të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçicit. Në fakt ministria e jashtme Ruse e përgënjeshtroi këtë hipotezë dhe e konsideroi këtë lajm si një nga shumë të pavërtetat që kanë qarkulluar rreth samitit që u mbajt në Finlandë.
Por, me kthimin nga një vizitë në Uashington, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, konfirmoi se për herë të partë në 30 vjet, Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme për një kompromis mbi çështjen e Kosovës dhe se kjo mund të përbëjë bazën për rivendosjen e marrëdhënieve më të afërta SHBA- Serbi.
Lexo me tej:
Andi Bushati: Gjithçka perveç Thaçit
Vëzhgimi/ Si po planifikohet ndarja e Kosovës?
Ç'është ky ndryshim për të cilin flet Daçiç dhe a i duhet besuar atij?
Nga ana tjetër edhe në Prishtinë, mbështetësit e idesë së Hashim Thaçit këmbëngulin me forcë se presidenti kosovar nuk mund ta hidhte këtë hap me kokën e tij dhe se atij i është hapur drita jeshile diku. Këtyre zërave u bëri jehonë së fundi edhe revista prestigjoze amerikane Newsweek e cila nënvizoi se komuniteti ndërkombëtar po parasheh zgjidhje që më parë i refuzonte kategorikisht.
“Serbia po synon qetësisht zgjidhjen e çështjes me një shkëmbim territoresh dhe propozimi nuk është përjashtuar plotësisht”, shkruan revista duke shtuar: “Marrëveshja nënkupton që Veriu i Kosovës do të shkëmbehet për Luginën e Preshevës. Marrëveshja nënkupton që Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të dy vendet do afrohen më shumë me Bashkimin Europian”.
Më poshtë ajo nënvizon: “Shumë thonë se ideja e shkëmbimit të territoreve po fiton vlerësim në qarqet politike të Uashingtonit, madje edhe tek disa politikanë në Prishtinë. Sir Ivor Roberts, ish ambasador i Britanisë në Jugosllavi, ka argumentuar publikisht se shkëmbimi i territoreve do jetë mënyra e vetme për të bindur Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës... SHBA ka kundërshtuar tradicionalisht ndarjen në rajon, por disa analistë thonë se kjo po ndryshon nën administratën e presidentit Donald Trump”.
Ndoshta në këtë prizëm duhet parë edhe deklarata e djeshme e Departamentit të Shtetit, e cila u bë flakë për flakë pas prononcimeve të Thaçit dhe Vuçiçit (lexo te plote ketu).
Në atë që zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i pohoi Zërit të Amerikës, binin në sy dy elementë kryesorë. Si kurrë ndonjëherë më parë, pas deklaratave të forta të dy liderëvë ballkanikë, nga përtej Atlantikut nuk u përmend parimi i shenjtë i mosndryshimit të kufijve, që ka qenë një nga themelet bazë të pas luftës së ftohtë. Dhe e dyta, aty zgjidhja i lihej në dorë palëve: “thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues”, thuhej në deklaratë.
A është ku ndryshimi për të cilin Ivica Daçiç foli pas vizitës në Uashington? A e ka vënë ky ndryshim në lëvizje Hashim Thaçin?
Disa shenja të zbehta kanë filluar të duken. Por nëse vërtet ka një ndryshim të ri politikash në periudhën Trump, kjo do të fillojë të kuptohet më mirë pas takimit të radhës Thaçi- Vuçiç në shtator.
©Lapsi.al