Flash

Raporti/ Piruetat e pafundme të Erion Veliajt për teatrin

Lapsi.al 31 July 2018
Raporti/ Piruetat e pafundme të Erion Veliajt për teatrin

Tashmë nuk është një sekret se aty nga mesi i vitit 2016, kur sikurse pohon vetë arkitekti danez Bjarke Ingels, Edi Rama e thirri atë për t’i kërkuar të projektonte një teatër të ri, mbi truallin ku sot gjendet Teatri Kombëtar, Erion Veliaj ishte kundër. Janë të shumta burimet që kanë treguar për Lapsi.al, të kenë dëgjuar nga goja e tij se kjo ishte një çmenduri. Në fakt nuk janë të rralla rastet kur kryebashkiaku kërkon të distancohet në rrethe të ngushta miqsh (me shpresën se kjo fjalë do të përhapet) nga vendimet prej despoti të vetmuar të Edi Ramës. Kështu ka ndodhur me konkursin për ndërtimet tek hyrja e parkut, në gushtin e vitit 2015 menjëherë sapo ai u zgjodh në krye të Tiranës, kështu ka ndodhur me nismën për lehtësimin e taksës mbi infrastrukturën, që Rama planifikoi t’u hiqte klientëve të tij strategjikë që ndërtonin në Tiranë, kështu ishte edhe me planin për shembjen e teatrit.

Por si gjithmonë, në fund, Veliaj bën lakeun e bindur, madje shkon shumë më larg sesa kaq, ai bëhet partizan i flaktë i një ideje që fillimisht e ka kundërshtuar.

“Vetëm budallenjtë nuk ndryshojnë mendim”, thotë një shprehje franceze dhe Eri i Mjaftit ka treguar se nuk është aspak i tillë. Pikërisht kjo është historia e piruetave që ai ka bërë edhe për teatrin.

Nga publiku i gjërë askush nuk ishte sensibilizuar ende për faktin se Teatrit Kombëtar do t’i vihej dinamiti, kur në 23 nëntor të vitit të shkuar, Erion Veliaj tha para këshillit bashkiak: “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për teatrin ri kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për teatrin kombëtar” . Jemi ende shpejt, zhurma akoma nuk ka nisur dhe, zyrtarisht, edhe kjo deklaratë është bërë plot 3 muaj përpara se Shkëlqim Fusha të bënte në bashki propozimin e pakërkuar (16 shkurt 2018). Pra vetëm ky fakt të bën të mendosh se kryebashkiaku ka qenë pjesë e tavës në deal-in Rama- Fusha.

Por megjithëse në djeni të plotë, Veliaj po bënte kujdes që të mos e bashkëngjiste emrin e tij me një kauzë që nuk dihej se si do të pritej në publik. Kur në 8 shkurt aktorët morën mandatën për të zbrazur godinën, ai nuk përmendej fare. Në syrin e ciklonit ishte Edi Rama që po i kthehej një ideje 20 vite të vjetër dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro që e kishte bashkuar këtë nismë bashkë me një projektligj të ri për teatrin.

Emri i kryebashkiakut u përmend pak, kur Kumbaro deklaroi publikisht se nuk kishte asnjë projekt (ndryshe nga sa pati thënë Veliaj) por ai gjendej shumë larg frontit të konfrontimit ku gjendej “ministresha” siç e quante atëherë ish- Robert Ndrenika.

Por, dalëngadalë, lali Eri filloi të testojë. Pikërisht në 16 shkurt, ditën kur protesta e aktorëve ishte në kulm, po të njëjtën ditë kur Shkëlqim Fusha kishte zyrtarizuar kërkesën e tij për shembjen e teatrit dhe ngritjen e pallateve, ai hodhi hapin e parë. Gjoja për kauzën e fisme të mbjelljes së pemëve, ai shkoi me aparat fotografik në dorë për të pozuar tek akademia e arteve. Qëllimi ishte i qartë: të tregohej se artistët nuk janë të gjithë në protestë. Dhe krah tij, atë ditë shkurti, nuk pozuan vetëm aktori dhe komentatori sportiv Kastriot Çaushi, as vetëm këngëtarja Elvana Gjata, por edhe një koordinator i PD, pjesmarrësi rregullt i çadrës së opozitës, piktori Ardian Isufi (poshte).

Ndoshta ky qe akti i parë që Veliaj mendoi se mund të futej edhe më thellë si pykë mes artistëve të çoroditur. Nuk dihet nëse kjo qe një nismë e tij, apo nëse intuita e Ramës e kuptoi se aftësitë e tij për t’u lëpirë dhe për të korruptuar njëkohësisht, ia vlenin të futeshin në punë. Disa gazetarë pranë qeverisë janë të bindur se kjo qe taksa që Edi i vuri Erionit për një rikandidim në Tiranë duke i thënë: shko qetëso me të gjitha mënyrat ata idiotë që nuk dinë seç duan. Disa të tjerë pretendojnë se kjo qe thjeshtë një tekë perverse e kryeministrit, që ishte lodhur nga fjalët që i vinin në vesh për ato gjëra që Erioni bënte sikur i kundërshtonte megjithëse gjithkush e dinte se në fund do t’i zbatonte.

Në fakt, pavarësisht nëse roli iu caktua, apo ai e mori vetë përsipër, me zellin e të qenit i dobishëm për t’u hedhur në pellgun e turbullt të artistëve që protestonin, Veliajt i shërbeu edhe një alibi e mirë.

Bert Ndrenika me Arben Dërhemin, për të mbrojtur godinën ku betoheshin se do të ngujoheshin deri në vdekje, i kërkuan takim edhe presidentit në 4 prill. Pasi foli me ta, Ilir Meta i bëri thirrje publike kryebashkiakut të komunikonte me artistët.

Kjo është formalisht pika e kthesës që e futi në lojë njeriun, i cili fillimisht nuk donte të përfshihej në këtë çështje që i dukej si një thikë me dy presa. Ai, edhe tani më pas, e përdor si argument se nuk bëri gjë tjetër veçse iu përgjigj thirrjes së presidentit për konsensus dhe dialog me aktorët.

Por, dialogu dhe konsensusi për Veliajn janë thjeshtë mjete që i shërbejnë nxënësve të denjë të Makiavelit. Ato nënkuptojnë në formimin e tij, shantazh, manipulim, joshje, korruptim. Dhe ai i vuri pa humbur kohë në punë.

Menjëherë dolën në skenë drejtorë teatrosh që paguheshn nga buxheti, që u bënë partianë të teatrit të ri. Pas tyre u rreshtuan zyrtarë ndërtimi, zjarrfiksash që vërtetonin se godina e vjetër duhej shembur. Me një pafytyrësi që mund t’ia ketë zili çdokush që i ka shkëputur marrëdhëniet me turpin, Veliaj tha në “Opinion” se amianti që ka në përbërje teatri shkakton kancer, duke përkundur idenë se disa nga aktorët e mëdhenj kanë ikur nga kjo botë pikërisht për këtë shkak.

Krahas kësaj strategjie, funksiononte paralelisht edhe një tjetër që e shpërndanin njëkohësisht të gjitha mediat që marrin tekste dhe tituj të gatshëm nga zyra e kryebashkiakut: “Aktorët janë të përçarë” .

Lapsi.al konstatoi brenda një dite të vetme që tre TV më të mëdha të vendit, dolën në edicionin e tyre të lajmeve me të njëjtin titull të gatshëm (shiko poshtë).

Skandali/Lajmet për teatrin që i porosit Veliaj

Qëllimi ishte i qartë: të tregohej me anë të propagandës se në këtë aferë nuk ka as korrupsion, as shkelje, por thjesht është një debat estetik mes disa artistëve që kanë nostalgji për të shkuarën dhe disa të tjerëve që kërkojnë kushte më të mira për të ardhmen. Me grupin e parë filloi faza e joshjes. Ndërsa atyre që rezistonin, në vend të karrotës u tregohej shkopi. Të njëjtat portale që merrnin tituj të gatshëm nga bashkia, filluan sulme të ashpra dhe denigrime ndaj atyre që vazhdonin protestën.

Dhe metodat e kombinuara të shantazhit, joshjes dhe korruptimit i dhanë frytet e tyre. Një ditë, në 26 qershor, kur kampionati botëror që shihej në Tiranë me qofte dhe birra, po mbërrinte në fazën kulmore, tre nga korifenjtë e protestës për mbrojtjen e teatrit, arritën në një pakt me kryebashkiakun. Dërhemi, Trebicka dhe Basha thanë se kishin arritur të mos prekej trualli i teatrit, që mendimi i komunitetit të merrej parasysh për ndërtimin e godinës së re dhe për ngritjen e saj të kishte një konkurs ndërkombëtar.

Résultat de recherche d'images pour "veliaj basha derhemi"

Menjëherë, me një postim në Facebook që e shpërndante zyra e Veliajt, Robert Ndrenika e përshëndeti marrëveshjen.

Mirëpo të nesërmen, kur ende negociatorët nuk kishin shplarë nga krahët përqafimet e ngrohta në pozën e përbashkët, Edi Rama e degjeneroi paktin e tyre (lexo linkun poshtë). Ai çoi në parlament të njëjtin projekt që kishte parashikuar me Fushën dhe Bjarke Ingels, pa pyetur për marrëveshjen e arritur në bashki. Dialoguesit kishin shërbyer vetëm si dekor. Në 27 qershor, zv/kryeministrja Senida Mesi firmosi projektligjin special për kuvendin.

Ironia e asaj që ndodhi pas paktit të aktoreve me Veliajn

Ky turpërim i dytë publik (pasi Rama e kishte lënë me mikrofon pa zë gjatë debatit publik) e bëri Robert Ndrenikën të justifikohej me "besën e shqiptarit”. Pavarësisht se ligji i kaluar në kuvend, kishte vlerë më shumë sesa fjala e dhënë e Veliajt.

Tre të tjerët, Dërhemi, Basha dhe Trebicka as nuk morën më mundimin të ktheheshin përreth teatrit, ku miqtë e tyre të dikurshëm vazhdonin të protestonin çdo pasdite.

Pas kësaj fitoreje të madhe, ku investoi shumë më tepër mund, energji dhe kohë sesa në aksionin e mbjelljes së 100 mijë pemëve, Erion Veliaj tregoi se ka aftësi jashtë normales. I palodhur për të bindur me çfarë do lloj mjeti, i pa kursyer për të shpenzuar çdo lloj fondi publik për të bërë aleatë, i paepur për të përmendur emrin e gjithkujt për të arritur qëllimin (si ç‘bëri me të gjorin Pirro Mani që i fallcifikoi firmën që nga Amerika) ai i vuri vetes edhe një qëllim suprem: të bindte Ilir Metën të mos e kthente mbrapsh të kuvend, ligjin e miratuar vetëm me votat e shumicës.

Njerëz pranë presidentit pohojnë se ai përdori gjithçka, tentoi me të gjitha mënyrat dhe besoi deri në fund, ndonëse nuk i doli. Në fund deklaroi publikisht se ndihej “i zhgënjyer” nga Meta.

Ndoshta kjo është vetëm një shprehje, apo ndoshta Veliaj e ka besuar me të vërtetë se mund ta bënte dhe Ilir Metën të kthente mendim, kjo është vështirë të thuhet.

Por, pavarësisht nga kjo, duhet pranuar se ajo që bëri nuk ishte pak. Me forcën e kërcënimit, me fuqinë që të jep liria për të keqpërdorur mediat, me pushtetin që të jep firmosja e mbi 200 lejeve të ndërtimit, me kredon personale që gjithçka është e shitshme dhe e bleshme, ai ia mbërriti të ndryshojë shumë ekulibra në gjashtë muaj të krizës së teatrit. Në këtë kuptim aksioni i tij politik meriton çmimin Guiness. Ajo është një vepër mjeshtërore. Vepra e atij që bëri shumkënd të ndryshojë mendim, pasi bindi veten se duhet të lëpinte mbi atë që kishte pështyrë. Ai që ishte dikur kundërshtari i prishjes së teatrit, sot është shndërruar në flamurtar të dinamitimit të tij. Pa ditur këtë detaj, nuk mund të shpjegohet gjithë kjo histori.

©Lapsi.al

Një hetim që nuk duhet humbur: Skaneri/ 11 mashtrimet e mëdha për shembjen e teatrit dhe ngritjen e kullave

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI