Në intervistën që i dha Zërit të Amerikës pak ditë para se të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli për ndryshime radikale në kryeqytet. Një nga këto ishte edhe Ujësjellësi i Tiranës, një institucion që Veliaj e quante "parking militantësh" duke marrë në konsideratë numrin e madh të të punësuarve me urdhër partie.
“Më duket e paarsyeshme se si ujësjellës-kanalizmet e Tiranës kanë më shumë veta staf se cdo ndërmarrje tjetër në Shqipëri rreth 1800 vetë, ndërkohë që policia e qarkut të Tiranës ka më pak policë, ushtria për qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit ka më pak ushtarë, më duket e paarsyeshme se si të gjithë ministritë bashkë në nivel qendror kanë më pak staf se sa ujësjellës-kanalizimet e Tiranës. Pra këtu kemi të bëjmë dhe me një mungesë totale eficence dhe përdorimin e Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës si një hapësirë për të parkuar militantët sa kohë ke probleme me punësimin e tyre dhe të duhen për mitingje. Ky është një nonsens, trajtimi i ndërmarrjeve në këtë farë feje"Erjon Veliaj, intervistë për Zërin e Amerikës, 17 Qershor 2015
Dhe sapo u zgjodh kryetar Bashkie, në Ujësjellës nisën largimet masive nga puna. Qindra vetë u hodhën në rrugë si të punësuar nga partia tjeter dhe në vitin 2015, ndërmarrja mbeti vetëm 845 punonjës, një numër relativisht i ulët nga sa kishte regjistruar ndër vite.
Pra nga 1800 vetë, bisturia e Veliajt kishte operuar mbi 1 mijë punonjës, që kreu i bashkisë i quante militantë partie.
Çfarë ndodhi më pas? Një raport i Entit Rregullator të Ujit zbulon se pas largimit të të punësuarve nga Partia Demokratike, në Ujësjellës nisën të shtohen punonjësit vit pas viti.
Në vitin 2016 numri i punonjësve arriti në 1290 të tillë. Brenda vitit ishin shtuar 445 vetë.
Në vitin 2017, u shtuan edhe 475 punonjës të tjerë, një shifër që e rikthen numrin e punonjësve sërish në nivelet ku e gjeti Veliaj, para se të niste reformat e tij radikale.
Aktualisht Ujësjellësi ka 1764 punonjës, pra sipas shembujve që merrte Veliaj, në Ujësjellës ka më shumë punonjës se ç'ka policë në Tiranë apo ushtarë në Elbasan dhe Në Durrës.
Kuptohet se ajo që ka ndodhur me reformat radikale është thjesht zëvëndësimi në borderonë e Ujësjellësit i thuajse 1 mijë vetëve që votonin Partinë Demokratike, me të tjerë që votojnë Partinë Socialiste.
Pra Veliaj nuk e uli numrin e të punësuarve në Ujësjellës, por siç shprehet ai, e zbrazi parkingun nga militantët e Partisë Demokratike për ta mbushur atë me militantë të Rilindjes.
Dikush mund të thotë se përderisa militantët e PD-së ishin punësuar përmes urdhërave partiakë, atëherë është normale që të zëvëndësohen përmes të njëjtave mënyra.
Çështja është se të gjithë punonjësit e larguar mbrohen nga ligji, që parashikon dëmshpërblimin e tyre në rast largimi të padrejtë nga puna. Praktikisht, taksat paguajnë dy administrata në detyrë, njërën e partisë në opozitë që paguhet me dëmshpërblime dhe tjetrën në pushtet që paguhet me paga.
Vetëm nga spastrimet në Ujësjellës, qindra njerëz të larguar përdhunshëm nga detyra i janë drejtuar gjykatave për dëmshpërblim. Qindra procese gjyqësore u hapën në vitin 2015-2016 dhe Ujësjellës Kanalizime e Tiranës u detyrua të paguajë në shuma të majme, në disa disa qindra milona lekë për largimet nga puna. Vetëm në vitin 2016, pa vendim gjykate u dhanë më shumë se 460 milion lekë të vjetra, ndërsa qindra miliona të tjerë u paguan si dëmshpërblime në gjykata. Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2016, thuhej se: "Vlera e detyrimeve gjyqësore të likuiduara nga UKT sh.a, për periudhën e auditimit është 68,187,604 lekë, vetëm si pasojë e largimit të punonjësve padrejtësisht nga puna”.©Lapsi.al