Rocco Commisso nuk heq dorë. Sipërmarrësi italiano-amerikan, pavarësisht rezistencës së zotit Li, mbetet fort i interesuar në blerjen e paketës së shumicës së aksioneve të Milanit.

"Duhet të jem i kujdesshëm për atë që them, sepse shumica e bisedimeve është private, unë dua ta mbyll këtë marrëveshje, por nuk jemi ende në këtë pikë, ishim shumë afër nënshkrimit të një kontratë paraprake. A kam besim? Nuk e kontrolloj rezultatin", pranon Commisso i intervistuar nga 'La Gazzetta dello Sport'.
Sipërmarrësi nuk e fsheh se ka bërë tifo për Juventusin, por shpjegon: "Kam qenë juventin, por Juve është shumë mirë dhe nuk ka nevojë për mua". Ndryshe nga Milani: "Do të ishte bukur, ashtu siç kam bërë edhe këtu në Columbia University, të mund të jepja një kontribut të madh në këtë lëvizje: të sjell përvojën time si biznesmen amerikan, fillova nga asgjëja, kam sfudiuar fort dhe arrita të krijoj një kompani të madhe".
Negociatat për blerjen e klubit, megjithatë, për momentin mbetet në "stand-by": "Ne nuk e dimë se çfarë rruge do të marrë z.Li me z.Singer (pronar i fondit Elliott), vështirë të parashikohet se si do të përfundojë kjo histori. Unë mendoj se Milani është ende në duart e zotit Li. Ai ndoshta do të duhet t'i drejtohet një gjykate. Por deri më tani është pronari. Do të negocioj me të? Nuk e di. Në radhë të parë duhet të kuptojmë se kush është përsoni që negocion për të".
Në fund, Commisso siguron Gattuson për të ardhmen e tij dhe zbulon: "Më pëlqen shumë, kur luaja për Columbian isha si ai. Sigurisht jo aq i mirë, por isha shumë fizik dhe pastaj jemi të dy kalabrezë".

Por ndërkohë, sipas "Sky" është kthyer në skenë Dmitrij Rybolovlev (emri i tij është lakuar që në pranverë): aksioneri më i madh rus i Monacos duket se është i gatshëm të marrë paketën e shumicës së aksioneve të Li (me të cilin po negocion në Londër) e cila do të përfundonte në duart e Elliott nëse tek fondi amerikan nuk do të derdhet çeku prej 32 milionë eurosh. 'Rebusi' vazhdon.