Një deklaratë e kreut domokrat pro qëndrimeve të ministrit të brendëshëm italian Salvini ka ngjallur një furi të vërtetë në mediat pro qeveritare të Tiranës. Ato fshikullojne qëndrimin pro politikanit ksenofob, pretendojne se deklaratat e kreut të legës së veriut janë ndërthurur kot me realitetin shqiptar, i përmendin qëndrimet e Salvinit kundër nesh etj. Në një shkrim të vet me titull "një Lul për ditlindje" Sokol Balla shkruante: "Ajo që nuk kuptohet është përse Lul Basha doli pro tij të martën? Do kishte kuptim nëse çështjet e drogës, hetimet në dy brigjet, do ishin pjesë sot, ose dje, i fjalorit politik të liderit të Lega Nord (i vetmi formacion politik italian që i ka klasifikuar shqiptarët në të njëjtin lloj me peshkaqenët dhe krokodilët, këtu e 20 vjet më parë).
Por i vetmi reagim – i vjetër i Salvinit – për Shqipërinë, në fakt nuk është kundër Qeverisë Rama, por kundër Shqipërisë. Dikur Salvini thoshte se nëse duan t’i hapin negociatat Shqipërisë “atëherë më mirë të hyjnë ata dhe të dalim ne”. Reagimi në Tuiter i Bashës ishte në rastin më të mirë i habitshëm. Ministri i Jashtëm Bushati tentoi me ironi ta “mbronte”, duke aluduar se llogaria mund t’i jetë hakeruar, në fakt i vetmi shpjegim i logjikshëm ndaj cicërimës së Bashës". Ndërsa në editorialin e gazeta Tema me titull: "Salvini nuk na urren sa Lulzim Basha"!, Mero Baze nënvizonte: "Në këtë histori, më pak se çdo gjë tjetër vlen të qënurit e Lulzim Bashës kundër Shqipërisë. Edhe pse kjo është shumë e ndjeshme për një politikan, në këtë rast është e keqja më e vogël.
Në këtë histori gjëja më e shëmtuar dhe e neveritshme është fakti që Lulzim Basha pret si një peshkatar i lodhur buzë lumit çfarë kufomash të sjellë rrjedha, për t’i përdorur ato. I paaftë deri në neveri, pa asnjë ide për të ndryshuar situatën e opozitës në vend, ai mendon se shpëtimi vjen nga çdo gjë e ndyrë raciste, poshtëruese dhe fyese ndaj Shqipërisë, që mund të dëmtojë qeverinë. Kjo s’ka të bëjë me inatin e tij me Shqipërinë, por me faktin se ai nuk e ka me vete Shqipërinë. Dhe si të tillë, është gati ta bëjë mish për top për Salvinin, i cili kushedi sa në siklet është vënë prej kësaj deklarate".
I pari rreagoi Skënder Minxhozi me një shkrim në Java News të titulluar: "Basha, Salvini dhe një histori e përsëritur gafash diplomatike". Ai shkroi "Ky episod i vogël rrëshqitjeje i Lulzim Bashës në politikën e jashtme, tregon edhe një herë se improvizimi dhe “hallakatja nëpër kallamishte” është një bumerang i panevojshëm kur je lider politik me rezonancë kombëtare. Basha ka muaj që nuk di ku të kapet më parë, vetëm për pak përkrahje ndërkombëtare. Ka bërë (me dhe pa para) akrobacitë më groteske, ka hedhur aludimet më të pabesueshme dhe ka cituar siç i ka dashur qejfi dhe interesi nje dyzinë ministrash, europarlamentarësh e senatorësh, vetëm e vetëm që t’i bëjë pak reklamë vetes dhe kauzës së vet. Atë po bën tani edhe me Salvinin. Jo pa të drejtë Ditmir Bushati ironizonte, pas mesazheve të Bashës, se shpresonte që llogaria në Twitter e kreut të opozitës, të ishte sulmuar nga hakerat…"
Andi Bushati:Gafa e Bashës me Salvinin dhe ankthi i Ramës për ndryshimin italian
I "frymëzuar" nga ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, në luftën që ky i fundit i ka shpallur mafias basha pati shkruar dje:
“Mirësevjen Era e Ndryshimit @matteosalvinimi, së shpëjti edhe në anën tjetër të Adriatikut. Mafia shqiptare dhe narkoshteti i Ramës duhet të ndjejnë presionin e Italisë, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve të fshehta dhe mbulimit të të vërtetave të deridjeshme…”.
Më herët Salvini shkruante se tashmë ka mbaruar koha për mafiozët dhe se ai pëlqen që të kujtohet si njeriu që luftoi më shumë se të tjerët organizatat mafioze në vendin e tij.




