Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen më 16 korrik në Helsinki, njoftuan të enjten Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë. Ky do të jetë samiti i parë zyrtar mes të dyve, dhe do të mbikqyret nga aleatët e shqetësuar amerikanë në Europë dhe kritikët e Rusisë në Amerikë.
Të dy vendet njoftuan njëkohësisht detajet një ditë pasi arritën marrëveshjen për mbajtjen e takimit, pas vizitës së djeshme në Moskë të këshilltarit amerikan të Sigurisë Kombëtare, John Bolton."Të dy liderët do të diskutojnë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe një sërë çështjesh së sigurisë kombëtare ", njoftoi Shtëpia e Bardhë.

(John Bolton dhe Vladimir Putin dje në Moskë)
Trump dhe Putin janë takuar dy herë më parë në mbledhje ndërkombëtare si ajo e G20 në Hamburg apo takimi në Vietnam.
Samiti i tyre mund të irritojë aleatët e SHBA-ve, të cilët duan të izolojnë Putinin, si Britania, ose të cilët janë të shqetësuar për atë që e shohin si qëndrim tepër miqësor të Trump ndaj udhëheqësit rus.

Gjithashtu, ka gjasa që ky samit të irritojë keq kritikët që vënë në dyshim angazhimin e Trump në NATO, të cilët kanë qenë të shqetësuar për përplasjet e tij me aleatë të vjetër si Kandaja dhe Gjermania mbi tregtinë.

(Samitit i G7 këtë vit. Trump i ulur merr vëmendjen e liderëve botërorë, të shqetësuar mbi tarifat që presidenti amerikan po i vendos për tregtinë)
Trump ka shprehur prej kohësh dëshirën për marrëdhënie më të mira me Moskën, madje edhe kur Uashingtoni shtrëngonte sanksionet ndaj Rusisë.
Këto marrëdhënie të ndera me Rusinë, që kur Trump mori detyrën në janarin e vitit të kaluar, kanë ardhur si pasojë e përfundimit që arrit komuniteti i zublimit të SHBA-ve, se Moska kërkoi të ndërhynte në fushatën presidenciale të vitit 2016 për të favorizuar kandidatin e atëhershëm, Donald Trump.
Moska ka mohuar prej kohësh çdo ndërhyrje. Një këshilltar i posaçëm po heton bashkëpunime të mundshme të fushatës së Trump me Rusinë, të cilën Trump e ka mohuar.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i tha gazetarëve në Moskë se ai priste që ndërhyrja ruse në politikën amerikane të diskutohej në samitin e dy presidentëve.
Sipas tij, mund të diskutohet që Rusia t’i bashkohet grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për t’a bërë atë sërish G8.

(Samiti i G8, përpara se Rusia të pezullohej)
Pasi Trump dhe Putin u takuan shkurtimisht në Vietnam në nëntor të vitit 2017, Trump u kritikua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse tha se i besonte Putinit, kur presidenti rus mohoi akuzat se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Në një postim në Twitter të enjten para se të njoftohej takimi i Helsinkit, Trump la të kuptohet se përsëri dyshon për përfshirjen e Rusisë.
“Rusia vazhdon të thotë se ata nuk kishin të bënin me ndërhyrjet në zgjedhjet tona” – shkroi presidenti amerikan.
Në Uashington të mërkurën, Trump renditi Sirinë dhe Ukrainën si dy nga subjektet e shumta që do të diskutonte me Putinin.
CNBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL