Ish i burgosuri politik arkitekti dhe piktori i njohur si.mik dhe mbështetës i Edi Ramës, Maks Velo ka bërë një thirrje publike për kryeministrin dhe kryebashkiakun që të tërhiqen nga prishja e Teatrit Kombëtar. Ndryshe nga shumë lakej të orës së fundit që flasin në publik për përfitime momentale, Velo nuk ka pranuar të bëjë kompromis me bindjet dhe formimin e tij. Pa hequr dorë nga përkrahja që i ka dhënë edhe publikisht kryeministrit, ai ka deklaruar në Studio e Hapur e Eni Vasilit se një këmbëngulje në shkatërimin e godinës do ti ulte pikët e Ramës. "Unë do të dëshiroja të kishte një tërheqje. Nëse do kishte një tërheqje, do ta rriste emrin e Ramës dhe Veliajt. Nëse jo do dëmtoheshin. Të gjithë kemi momente debolese, njerëzit do e vlerësonin. Dmth të gjithë bëjmë gabime. Unë do dëshiroja të ishte ashtu, që ai të tërhiqej" ka thënë Velo duke shpjeguar edhe pse ai është kundër shembjes së TK.
Lexo më tej:
Veliaj në rolin e kllounit nga regjisori Rama
"Gjithçka në Tiranë mund ta shembin. Duam t'a shembim Kryeministrinë? E shembim dhe ndërtojmë një 10-katësh! Duam të shembim ish-Komitetin Qendror? E shembim! Madje u bë edhe një projekt atëherë. Nuk është kjo logjika. Ajo ka vlera në ansamblin e ndërtimeve italiane, duke filluar me maternitetin, Bankën, Teatrin, “Dajtin”, Kryeministrinë, Akademinë, Universitetin. Stadiumin e shembëm" ka thënë ai. Pastaj me syrin e artistit dhe arkitektit ai është përpjekur të shpjegojë vlerat e pakthyeshme të trashigimisë:"Për mua, nuk duhet shembur. Aty ka katër probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti. Shpesh, mundohen t’i ngatërrojnë këto të katërta, ndonëse ato janë probleme veç e veç. Për mua, ajo tokë i duhej dhuruar Teatrit, për faktin se për kaq vjet, aty është zhvilluar një aktivitet i madh, janë krijuar institucione. Unë kam qenë në teatër që në vitin 1950. Kam parë edhe “Prefektin” me Behije Çelën, etj.. Kam bërë disa skenografi, kur drejtor ka qenë Xhemal Broja, i cili më ka ftuar. Aty janë themeluar të gjitha institucionet e kulturës. Aty është themeluar Teatri i Kukullave, Ansambli i Ushtrisë, Orkestra Filarmonike, në 1953 kam qenë aty kur Krantja dirigjoi Filarmoninë e Tiranës, pastaj kam parë baletet “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Rusalkën”, etj.. Ka një manipulim, një goditje të keqe ndaj ndërtesës, me justifikimin: vajza ime është 2 vjeç dhe nuk e di se çfarë është bërë aty dhe ta shembim. Me këtë logjikë, edhe unë nuk kam qenë në kohën e Ismail Qemalit dhe le ta shembim shtëpinë e Vlorës, që, për mua, s’ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lidhje me të, ose me godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës. Unë kam lindur në vitin 1935, ç’lidhje kam unë me të. Vlerat vijnë nga vjetërsia. Francezët shitën një shishe vere të 1774-ës, 103 mijë euro. Kantina e ka mbajtur që në 1774-n. Kjo e bën vlerë dhe jo aftësia që të bësh një verë të re. Trashëgimia është pikërisht transmetimi, grumbullimi dhe ruajtja e vlerave, sepse ne kaq kemi" ka thënë Velo duke mbajtur një pozicion që duket paradoksal edhe atë të mbrojtësit të Teatrit edhe atë që nuk dëshëron që Rama të gabojë.