Të lexuarit nuk njeh stinë, por vera duket sikur të shtyn më shumë drejt librit. Janë të shumtë ata që kur nisen me pushime, përveç aksesorëve të plazhit, marrin me vete edhe libra. Nën çadër, buzë detit, në mal, kudo ku keni vendosur të shkoni me pushime mos harroni të merrni librin me vete. Por shpeshherë është e vështirë të vendosësh se çfarë do të lexosh gjatë verës. Një libër historik, një libër shkencor, humoristik apo një libër rozë?
Për t’ju ardhur në ndihmë, ne u sugjerojmë 3 botime të reja këtë fillim verë nga Botime Akropoli i Ri, të cilat jo vetëm do t’ua bëjnë më të këndshme verën, por gjithashtu do t’ju bëjnë të reflektoni dhe njihni të botë të cilat nuk i kishit njohur më parë.

Siç është bërë zakon tashmë, Botime Akropoli i Ri, ka nxjerrë numrin e radhës të Revistës Filozofikja. E konceptuar nën moton “filozofia për të gjithë”, Filozofikja 4 sjell një sërë temash interesante për lexuesin duke filluar qysh nga filozofët si Sokrati e Spinoza, për të vazhduar me tema psikologjike si 4 majmunët e dehur, si dhe një test mbi funksionimin e hemisferave të trurit. Po ashtu në Filozofiken 4 do të gjeni tema si: Dualizmi në Letërsi, Murosja e Rozafës, Hetoi mitik dhe Njeriu, Kinematografia Filozofike etj. Po ashtu nuk janë lënë jashtë vëmendjen edhe tema mbi mitit, ku këtë radhë janë trajtuar Misteret e Mithrës dhe Zoomorfizmi Egjiptian. Tematikat e revistës Filozofikja janë një qasje e një filozofie ndryshe, pasi promovon një filozofi praktike, të dobishme, e cila është po aq aktuale sa për një fëmijë edhe për një të moshuar.

Nga ana tjetër, Botime Akropoli i Ri ka publikuar së fundmi edhe librin ‘Elementarët’ të autorit Jorge Angel Livraga. Ky libër flet për disa qenie misterioze të njohur si elementarë, forma jete që jetojnë brenda elementeve të natyrës, të paktën sipas ndarjes së hershme në katër elementët kryesorë: tokë, ujë, ajër dhe zjarr. Këto qenie njihen rëndomtë në historinë e njerëzimit si xhuxhë, nimfa, zana, gnomë, orë, elfët etj., dhe mund t’i gjejmë të përmendura qysh nga Miti i Gilgameshit, sagat e Mbretit Artur e madje deri tek librat e J. R. R. Tolkien.
Autori mundohet t’i shpjegojë specifikisht se çfarë janë këto qenie, si veprojnë dhe si janë të organizuar, si dhe kushtet e nevojshme se si mund ta perceptojmë një qenie të tillë. Ky libër, po ashtu, përshkruan përvojën e autorit në botën e mrekullueshme të Elementarëve. Libri është i pasuruar me ilustrime grafik konkrete të krijuara nga vetë autori që përshkruajnë të gjitha llojet e elementarëve në të katër dimensionet e natyrës.
Ai na fton në një rrugëtim që na lejon të ribëhemi fëmijë, si atëherë kur ishim filozofë natyralë, kërkues të së vërtetës dhe mundohet të na udhëheqë me këtë libër në një botë të padukshme, e cila ekziston dhe ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit.

Ndërsa libri i fundit që na ofrojnë botime Akropoli i Ri është ‘Tebasi’ një libër i shkruar po nga Jorge Angel Livraga. ‘Tebas’ ka më shumë karakter historik, filozofik dhe ezoterik dhe premton një udhëtim dhe një thellim si rralë ndonjë një libër tjetër mbi historinë, tradita dhe simbolikat e Egjiptit të hershëm dhe qytetit legjendar të tij të quajtur Tebas.
I njohur ndryshe si qyteti i 100 portave, Tebasi ishte një qytet misterioz dhe emblematik i Egjiptit, apo ndryshe vendit të njohur me emrin Khem nga të lashtët. Ky libër i prof. Livragës, ashtu si aroma e Nilit, dhe shpirti jetës së Egjiptit antik, hyn në shpirtin e lexuesit dhe e bën atë të jetë i pranishëm në një qytetërim magjik, për të cilin ne kemi vetëm rrënojat e së kaluarës si dëshmi. ‘Tebasi’, përpos ortodoksisë akademike të autorit, gjithashtu na hap një portë për një histori tjetër të Egjiptit, duke na shndërruar në udhëtarë të kohës teksa udhëtojnë në hieroglifët e kujtesës së Tebasit që pulsojnë në faqet e librit. ©LAPSI.AL