Rrëfimi i Albert Veliut, ish të dënuarit për drogë, zëri i të cilit dëgjohet në bisedën me vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafën, u bë për dy qëllime kryesore.
Së pari për të hedhur poshtë alibinë që Edi Rama dhe qeveria krijuan në panik se nuk kishte asgjë të vërtetë nga biseda e përgjuar në Vlorë.
Së dyti për të përforcuar tezën se Agron Xhafaj vazhdonte të drejtonte trafikun e narkotikëve, duke hedhur hije të forta dyshimi politik se, megjithëse ministrat e Brendshëm janë ndërruar, nën çadrën e Rilindjes trafiqet vazhdojnë po njësoj, ndryshojnë vetëm personazhet.
Por që këto pandehma të merren të mirëqena duhet që në dëshminë e Albert Veliut të mos ketë asnjë hije dyshimi. Sepse parimi se kush gënjen për disa gjëra, mund të gënjejë edhe për të gjithën, e kërcënon fort besueshmërinë e rrëfimit të dëshmitarit X.
Pikërishtë për këtë, Lapsi.al i shqyrtoi edhe njëherë nga fillimi pikat kyçe të rrëfimit të Veliut. Dhe në to rezultojnë disa gropa që nuk bindin askënd.
Lexo më tej:
Prokuroria mori në pyetje Albert Veliajn, para se të dilte dëshmia nga PD
Me ndihmë ekonomike dhe probleme me alkoolin, njihuni me “Dëshmitarin X” dhe banesën e tij
Dëshmitari X pohoi, madje këmbënguli se përgjimin nuk e kishte bërë ai. Megjithëse pak e besueshme, mund të merret e mirëqenë. Por nuk kaloi shumë dhe ai ra në kontradiktë të thellë, kur u pyet në videon e shfaqur se pse kishte vendosur ta shpinte ata bisedë të përgjuar tek PD. Thënia e tij se ky është i vetmi institucion i besueshëm në vend, jo vetëm që tregon përkatësinë politike të tij, por dëften se ai është kontradiktor në faktin nëse e ka bërë apo jo vetë përgjimin.
Pika e dytë e errët e rrëfimit të Albert Veliut është se nga njëra anë ai pretendon se nuk kishte më ndërmend t’i kthehej botës së errët të trafikut, e cila i kishte kushtuar disa vite burg, por se gjithë këtë histori po e bënte për të “provuar” Agron Xhafën. Pra sipas tij, kjo qe thjesht një provë dhe jo një nismë për t'u rifutur në xhiro. Po pyetja shtrohet: a mundet një njeri i papunë, që jeton në varfëri siç tregon vetë, të shkojë e të blejë 20 KG hashash thjesht për të provuar një ish mikun e tij, apo thjesht për një hakmarrje të 15 viteve më parë.
Pika e tretë është se, po në rrëfim, Veliu pranon se u bënë gati për ta eksportuar mallin, vetëm se ditën e fundit shefi i policisë me emrin tashmë të njohur, Ermal, i tha se ishte e pamundur, sepse bënte kohë e keqe dhe det i madh. Po nëse nuk do ishin ngritur dallgë dhe nuk do qe përkeqësuar moti, si do të tërhiqej Veliu nga pakti mafioz që kishte bërë? Si një njeri që ka pasur lidhje me botën e krimit, ai e di se tërheqje të tilla nuk të kushtojnë vetëm paratë, por shumë më tepër. Pra sipas të gjitha gjasave ai ose nuk e kishte këtë punë për provë dhe donte ta tentonte vërtet, ose nga ana tjetër donte ta çonte aksionin deri në fund, për të treguar se Agron Xhafaj e vazhdon trafikun edhe tani që i vëllai i tij është ministër. Por cilado të jetë nga këto pandehma, në të dy rastet duket sikur Veliu gënjen në rrëfimin e tij publik. Sepse ai së pari nuk mund ta bënte këtë lojë deri në fund, thjesht për të provuar një mik që e kishte braktisur 15 vite më parë. Dhe e dyta edhe nëqoftëse qe aq i çmendur sa ta kishte menduar kështu, pra për t'u hakmarrë, atëherë ai është edhe pjesë e skemës së përgjimit që do e shpinte hakmarrjen deri në fund. Prandaj në këtë rast ai del gënjeshtar kur thotë se nuk ka dijeni për përgjimin.
Një hije tjetër dyshimi hodhi të enjten në mbrëmje në emisionin “Të paekspozuarit” gazetari Karlo Bolino, i cili pasi kishte shqyrtuar dokumentat italiane, pretendoi se Veliu nuk ishte arrestuar në 2005, siç pretendon në rrëfim, por disa vite më pas në 2009. Pra sipas tij, ky ndryshim i qëllimshëm datash e zbehte motivin e veprimit për hakmarrje ndaj një njeriu që nuk i kishte çuar një paketë cigare në burg. Sipas Bolinos kjo bëhej për të afruar më shumë historitë paralele të Albert Veliut dhe Agron Xhafajt. Por fakti qëndronte se dëshmitari X kishte gënjyer për datën e burgosjes në Itali.
Pra sikurse shihet ka shumë gropa dhe pika të errëta në rrëfimin me zë dhe me figurë të Albert Veliut. Pika që shpesh të bëjnë të mendosh se vende- vende ai gënjen. Dhe sipas një parimi të vjetër ai që gënjen për disa gjëra, kompromenton krejtësisht gjithë versionin e tij.
Prandaj ata që e mbështesin politikisht dëshmitarin X, duhet ta detyrojnë t’i zbardhë këto pika, nëse vërtet duan të ngrejnë një kauzë mbi dëshminë e tij.
©Lapsi.al