Flash

Dyshja Xhafaj-Lu, pse nuk mbajti përgjegjësi Edi Rama për ministrin e tij

Lapsi.al 10 May 2018
Dyshja Xhafaj-Lu, pse nuk mbajti përgjegjësi Edi Rama për

Eshtë e vërtetë se ndërsa bënte avokatin e Fatmir Xhafajt në parlament, Edi Rama përdori si argument heshtjen e ambasadorit amerikan dhe të përfaqësuesve të Bashkimit Europian, duke lënë të kuptohet se "meqë nuk ka folur Donald Lu", atëherë skandali i Xhafajve s'ka asnjë rëndësi dhe nuk ia vlen të shqetësohesh.

Por ndryshe nga rastet kur e përdorte heshtjen e ambasadorëve si mburojë për skandalet e kanabisit, këtë herë Edi Rama ishte ironik, përdori edhe epitete tallëse për ambasadorin amerikan.

Një herë duke e quajtur "protagonisti i jetës tonë publike", pastaj " miku ynë i shtrenjtë" dhe "njohësi i kudondodhur i të gjithë proceseve tona për të vënë drejtësi në këtë vend", Rama ngacmoi ambasadorin e heshtur, i sigurtë që ai nuk do të thotë asgjë.

Përveç talljeve, Rama përmendi edhe faktin se ditën që plasi skandali i Xhafajve, ambasada amerikane nuk foli për këtë, por për zëvëndësimin e Besim Hajdarmatajt, Prokurorit të Krimeve të Rënda.

"Si ka mundësi? Si ka mundësi, që ndërkohë që shpërtheu ky zbulim sensacional, ambasdori amerikan nuk iu referua hiç këtij fakti kaq tronditës, sipas këtyre, por u detyrua të mbajë qëndrim publik lidhur me një fakt tjetër për të cilin këta më akuzuan mua personalisht pas lëvizjes së Kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda." u shpreh Rama.

Për ta kuptuar më mirë thirrjen e Ramës dhe ironinë që përdori me dyshen Xhafaj-Lu, vlen të kujtohet rrëfimi i Ministrit të Brendshëm, sipas të cilit ishin ndërkombëtarët që e shtynë ta pranonte ofertën për të zëvëndësuar Saimir Tahirin, duke lënë të kuptohet se propozimi për emrin e tij erdhi përmes ambasadave.

Fatmir Xhafaj: Vendimi për t’u bërë ministër i Brendshëm ka qenë vendimi më i vështirë i karrierës sime politike. Nuk kam pasur kurrë një hezitim kaq të madh për të marrë një gjë përsipër, sesa ky rast. Ka qenë një gjë që nuk do ta dëshiroja kurrë, edhe për shkak të natyrës etj. etj, edhe për shkak sepse isha shumë i lidhur me atë që mund të konsideroj gjënë më të mirë të jetës sime, me reformën në drejtësi. Pati nevoja, kërkesa e deshi që të ulesha...

Sokol Balla: Vërtet jua kërkuan ndërkombëtarët këtë gjë z.Xhafaj? Diçka ka lënë të nënkuptohet në këtë studio Kryeministri..

Ministri Fatmir Xhafaj: Po, nuk e mohoj. Edhe me ata kam pasur takim përpara se të emërohem dhe ndoshta besueshmëria dhe mbështetja që ata më garantuan për prioritetet të cilat ndava, ishte një arsye e fortë që të thosha po. Ndryshe mund të mos thoja po, dhe këtë, mund ta deklaroj pa asnjë problem.

Intervista në Top Story në 8 Maj 2017

Nuk është sekret se Fatmir Xhafaj është ministri i preferuar i ambasadorëve. Historia e bashkëpunimit të ngushtë me Lu dhe Vlahutin ka nisur gjatë procesit të reformës në drejtësi dhe vazhdon ende me projekte të përbashkëta, si operacioni "Forca e ligjit" dhe atashimi i agjentëve amerikanë, gjermanë, britanikë, italianë etj në Ministrinë e Brendshme.

Pak javë më parë, Fatmir Xhafaj ishte në Shtetet e Bashkuara, ku mori personalisht vlerësimet e zyrtarëve amerikanë dhe pati takime në Departamentin e Shtetit, Kongres, FBI, DEA etj.

Që kjo romancë e Xhafajt me ndërkombëtarët nuk shihet me sy të mirë nga Rama, u pa sot në parlament. I frustruar, që e sheh veten një herë si personazh të Portokallisë që ka frikë të lëshojë "peshqit e mëdhenj", pastaj si shefi i shantazhuar i Saimir Tahirit, Rama me ironi, e la të gjithë topin e baltës në derë të ambasadorit amerikan, që gjithsesi e ka luksin të heshtë në raste si këto.©Lapsi.al

 

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.54

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI