Eduart Selami sërish ka shkaktuar zhurmë me një fjalim atipik në Kuvendin Kombëtar të PD duke ringjallur pyetjen: çfarë qëllimi ka ai?
Shpesh herë ata që e fishkëllenin nga salla për kritikat ndaj Bashës i bërtisinin se po bënte lojën e Edi Ramës. Ndërsa ai , gjysëm me naivitet dhe gjysëm me sinqeritet i përgjigjej i habitur: “Po çlidhje ka Edi Rama, unë po flas për statutin tonë”.
Në fakt sa herë ka guxuar të kritikojë, mbi ish kreun e dikurshëm të PD-së ka rënduar akuza standarte se ai po luan për llogari të dikujt tjetër.
Fillimisht kur Eduart Selami, artikuloi kritika të forta për orientimin antiamerikan që po merrte PD-ja për mos votimin e reformës në drejtësi, ai u godit nën brez me metoda tashmë të njohura. Dikush nga selia blu shpërndante fjalë se kryeministri i kishte propozuar postin e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington dhe dikush tjetër shkonte më tej se ai ishte i ndikuar nga bashkëshortja e tij, gazetarja Ilva Tare, së cilës i njihen qëndrimet politike.
Ndoshta këto pozicionime dhe thashethemnaja e përhapur bënë që ai ta humbiste postin e deputetit dhe të mos ishte më në listën personale të kryetarit.
Dyshimi se ai qe kolona e pestë e Ramës në PD, u institucionalizua edhe si politikë zyrtare e selisë blu.
Por, ende pa u shuar kjo akuzë mbi shpinën e ish kryetarit do të ngjitej një tjetër: ajo e atij që punon për llogari të Lulzim Bashës.
Ndërsa të gjithë të përjashtuarit nga Basha filluan zhurmën dhe rrokopujën, ai priti me qetësi rezultatin e zgjedhjeve. Refuzoi të bënte kauzë të përbashkët me kritikët, madje i habiti të gjithë kur vendosi të sfidojë Lulin për kreun e partisë, në një garë për të cilën nuk kish njeri që nuk e dinte se qe e manipuluar.
Ai bëri fushatën e tij, artikuloi për aq sa mundi ide racionale dhe në fund arriti të faktojë edhe me video (gjë që opozita e Bashës nuk e bëri dot për zgjedhjet e përgjithshme) se si grabiteshin votat në garën brenda partiake. Me shembullin e tij, me “sakrificën” që bëri, ai i shërbeu më shumë se kujtdo edhe kundërshtarëve të Bashës që e kishin demaskuar me kohë demokracinë farsë të instaluar brenda PD.
Lexo më tej:
Video e re/ Si e fishkëllyen Selamin kur kritikoi Bashën në Kuvendin e PD
Lulzim Basha mund bindshëm Selamin. 20 mijë votues më shumë se në 2013
Selami: Gara në PD jo e barabartë, por duhej bërë …
Po të njëjtën rrugë zgjodhi Eduart Selami edhe gjatë këtij Kuvendi Kombëtar. Ndërsa Topalli, Bregu, Patozi, Bode e bojkotuan kuvendin, ai vendosi të ngrihet në tribunë dhe të flasë. T’ia thotë të vërtetat në sy edhe Berishës, për gjuetinë e shtrigave të vitit 1995 edhe pinjollit të tij, që po përsërit të njëjtën histori dy dekada më pas.
Dhe më shumë se të parët, ai arriti të na tregojë përmes konkurimit se si vidhen zgjedhjet brenda partisë, arriti gjithashtu të na demostrojë përmes pjesmarrjes dhe fjalimit se si respektohet mendimi ndryshe në opozitë: me fishkëllima.
Në këtë kuptim, në interes të publikut dhe për të nxjerrë fytyrën e vërtetë të PD-së zyrtare, ai ka bërë më shumë sesa të gjithë kundërshtarët e Bashës së bashku.
Ashtu, gjysëm Don Kishot që beson tek gjërat e pamunduara, gjysëm rebel që tenton aksione atipike, gjithnjë me një veshje pak demode alla amerikane, xhentil dhe skajshmërisht me edukatë, ai ka ndjekur rrugën e tij, duke ravijëzuar një profil krejtësisht të veçantë: as me Bashën, as me Ramën dhe as me ata që janë kundër të dyve.
Ky profil e ka bërë që dikush ta trajtojë me humor, dikush të mos ta marrë seriozisht dhe ata që kanë në dorë vendimarrjen ta lënë shpesh herë jashtë.
Atë sot nuk e duan njësoj as idhtarët e Lulit dhe as kundërshtarët më të ashpër të tij. Dhe kjo e bën të që të rezultojë i zhdukur nga politika aktive. Por sa herë që të gjithë fillojnë e besojnë këtë, Eduart Selami shfaqet siç bëri dje në Kuvendin e PD, ku me profilin e një idealisti kandid, tregoi se ai synon një lojë më të madhe: të nxjerrë lakuriq në sytë e publikut, atë që PD-ja është në të vërtetë.
©Lapsi.al