Pas takimit Rama- Merkel, i cili u zhvillua në sfondin e debatit: A do t'i thotë po apo jo Gjermania hapjes së negociatave për Shqipërinë, pak nga teleshikuesit shqiptarë, që kanë parë lajmet e mbrëmjes, kanë marrë një përgjiqe të qartë për këtë pyetje. Çfarë ndodhi, a ishte ky takim pozitiv apo më pak i tillë për rrugën europiane të vendit?
Po të shikoje në ora 19.00 lajmet e Vizion Plus, gjithçka dukej rozë dhe pozitive. Madje në faqen online të kësaj media ishte vënë titulli kryesor: “Gjermania jep lajmin e mirë”.

Po të shikoje gjysëm ore me pas raportimin e TV Klan, optimizmi ishte në të njëjtën lartësi. Madje për ta bërë më të fortë atë, televizioni që ka mbajtur një qëndrim pro avancimit të Shqipërisë drejt Europës që në kohën e Berishës, u referohej disa burimeve anonime nga kryeministria që e kishin siguruar Klanin se Gjermania do të thoshte “PO”.
Më të kujdesshme janë treguar në raportim lajmet e Top Channel. Pa qenë as optimistë as pesimistë ata e kanë lënë qëndrimin gjerman të hapur, por duke theksuar: “Merkel kushte për Shqipërinë, Gjermania do të vendosë më vonë”.

Pra pyetja është: një teleshikues shqiptar, që ka parë të tre edicionet kryesore të lajmeve, a e kupton dot se çfarë ka ndodhur në Berlin?
Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, Lapsi.al që ashtu sikurse kolegët tanë nuk kishte një korrespondent të tijin në sallë, i është referuar agjensisë Reuters të lajmeve në gjermanisht që ka informuar për këtë. Sipsa saj, madje ajo e thotë që në titull, Angela Merkel nuk ka vendosur t’i thotë ende po Shqipërisë. Ky është lajmi i saktë i ditës së sotme jashtë influencave të politikës që pasqyrojnë mediat sipas preferencave të tyre.
“Kancelarja federale Angela Merkel nuk i dha ende premtim Shqipërisë për çeljen e ngociatave me BE”, shkruajti Reuters duke nënvizuar shprehjen e Merkelit se “që të fillojnë negociatat ka një seri parakushtesh”.
Natyrisht kjo do të thotë se Gjermania nuk ka vendosur as për po as për jo, por ky konkluzion është shumë më larg sesa e raportuan gjendjen disa TV në Tiranë.
©Lapsi.al
Lexo më tej:
Reuters bën bilancin e takimit: Merkel ende nuk i ka thënë po Shqipërisë
Rama përfundon takimin me Merkel. Për negociatat vendoset në qershor
Merkel-Ramës: Kushte për hapjen e negociatave, vendosim në ditët e ardhshme