Aris Demaj është një 25-vjeçar i cili merret me hip-hop. Ai është shfaqur si debutues në këtë zhanër duke korrur një sukses me këngën e tij “Ndjenja Blu”. Kjo këngë u transmetua në disa televizione dhe u shpërnda pafundësisht në rrjetet sociale. Gjithashtu “Ndjenja Blu” kapi një sukses të madh kur vetëm pas një javë që ishte futur në top 100 në Top Awards, ku arriti që brenda 7 ditësh të dilte në vendin e katërt, duke kaluar plot 96 vende, gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë në këtë listim të artistëve shqiptarë.
Kënga është një lloj miksimi mes hip-hopit dhe disa notave bluz, por ajo që e veçon është teksti i saj, i cili është larg nga këngët hip-hop që dëgjojmë rëndomtë sot në muzikën shqiptare. Jo vetëm kjo këngë, por gjithë muzika e Arisi përshkohet nga kjo frymë ndryshe, pasi tekstet e këngëve të tij nuk ngjasojnë aspak me tekstet e këngëve hip-hop që dëgjojmë shpesh në televizione apo gjetkë.
Tekstet e tij janë shumë poetike, duke pasur në qendër të tyre tema të aktualitetit dhe jo mburrjet apo sharjet e zakonshme që gjejmë tek kjo lloj muzike. Në rreshtat e këngëve të tij gjen shumë tema sociale dhe probleme të shoqërisë tonë.
[caption id="attachment_294820" align="aligncenter" width="940"]
Pamje nga videoklipi i këngës "Ndjenja Blu"[/caption]
Por si lindi gjithçka dhe çfarë po mundohet të sjellë ndryshe Aris Demaj në këtë zhanër?
Siç tregojnë edhe miqtë e tij, gjithçka nisi në një studio në zonën e 21 Dhjetorit, ku Arisi kishte marrë një dhomë të vogël dhe e kishte shndërruar në një studio muzikore. Të vetmet gjëra që kishte aty ishte një kompjuter dhe një mikrofon, ndërsa nuk ishin të pakta netët ku ai dhe miqtë e tij, i gjente mëngjesi duke fjetur në karrige.
Nga këtu u ngjiz ideja e një lloj qasje ndryshe kundrejt hip-hopit, duke u mundur që të nxjerrë esencën e vërtetë të tij, si dhe duke dalë nga klishetë e teksteve banale e të përsëritur. Ai pa se tregu shqiptar muzikor ka një mungesë të theksuar të diçkaje esenciale, origjinale dhe me një impakt ndryshe në shoqëri, gjë e cila solli edhe lindjen e një lloj miksimi të poezisë dhe muzikës hip-hop bashkë.
Dhe pikërisht për ta thelluar këtë ndarje të madhe të shoqërisë, nga njëra anët tekstet, muzika dhe vieoklipet komerciale, e nga ana tjetër, tekstet me mesazhe e videot me një kuptim përtej parave, luksit, mburrjet dhe femrave zhveshura, Arisi krijoi një vete të dytë të tij; le të themi një aleterego të tij.
Kështu lindi Killua, Arisi hip-hopist i të gjithëve dhe Sir-A, alteregoja e tij, version i tij më i mirë në muzikë, në të cilin reflektohet muzika dhe tekstet e ndryshme, që kanë brenda poezinë dhe mesazhet sociale. Sigurisht kjo ndarje është si brenda Arisi, ashtu edhe brenda shoqërisë ku jetojmë, dhe ai po mundohet që me muzikën e tij ta transmetojë këtë fenomen, si një skaner të psikikës së tij personale, por edhe i shoqërisë shqiptare ku jetojmë, duke bërë që publiku t’i gjejë këto përplasje tek një artist i vetëm.
Këtë qasje të ndryshe të Arisit e shohim qysh në krijimin e tij të parë serioz me këngën “Diku mbi Re”, një krijim i pjesë tjetër të tij, i Sir-A. Kënga në thelb flet për një djalë të plagosur, i cili vdes rrugës për shkak të trafikut dhe mungesës së infrastrukturës në vendin tonë.
Përpos “Ndjenjës Blu”, Arisi publikoi një këngë tjetër me një tematikë sociale të titulluar “mos e shit t’ardhmen” e cila trajton fenomenin e shit-blerjes së votës dhe sigurisht që kënga u publikua me emrin Sir-A. Më vonë erdhi publikimi i “N’ funeral djalit mirë”, një diss-i që Killua i bën Sir-A, pra vetes tjetër të Arisit.
Para pak kohësh Arisi publikoi këngën e tij më të fundit të titulluar “Llastica”, nën emrin e Killua. Kjo këngë është një lloj sarkazme për artistët e tjerë dhe prodhimet e tyre komerciale.
[caption id="attachment_294821" align="aligncenter" width="959"]
Pamje nga videoklipi i këngës "Llastica"[/caption]
Ndërkohë, Arisi do të publikojë këngën e tij më të fundit të titulluar “Cigarxhiu” një këngë me temë sociale nën emrin e Sir-A. Kënga ka në qendër të saj fabulën një vogëlushi, i cili mundohet me çdo kusht të bëhet shtyllë për familjen e tij edhe pse në një moshë shumë të vogël. Kënga sjell një realitet që ndodh çdo ditë në vendin tonë dhe që krijon sërish një realitet të dyjëzuar midis mjerimit e shpresës. “Cigarxhiu” na mëson se shpresa ndonjëherë mund të gjendet larg, por veprimet e Cigarxhiut tregojnë se nuk ka gjëra të pamundura, pavarësisht rrethanave. Kështu Cigarxhiu shndërrohet edhe një shembull se shoqëria dhe ky vend mund të ndryshojnë.
[caption id="attachment_294822" align="aligncenter" width="940"]
Pamje nga videoklipi i këngës "Cigarxhiu"[/caption]
Sigurisht që Arisi nuk do të mjaftohet me kaq. Ai ka një sërë projektesh me të cilat po punon dhe do t’i publikojë në të ardhmen. Ai vetë është e rezervuar në lidhje me këto projekte, pasi shprehet që parapëlqen të flasë me këngë, por ai nuk nguron të na zbulojë disa detaje të vogla në lidhje më këto projekte. Këtu mund të veçojmë një bashkëpunim me këngëtaren Sheila Haxhiraj, bashkëpunim i cili pritet të dalë në fund të majit.
2018 pritet që të jetë një vit shumë i ngarkuar dhe me produksione të reja për Arisin. Pjesën më të madhe të kohës atë e gjen ne studion e tij, ku shkruan tekste apo kompozon këngë. Por Arisi nuk është një person i cili fokusohet vetëm në këngët e tij, pasi ai merret dhe me shumë këngëtarë të tjerë që janë pjesë studios së tij, “Undefined.Ent”.
Rruga e Arisit në muzikë është në hapat e para, por duket se 25-vjeçari është shumë premtues. Ai ka sjellë në muzikën shqiptare një frymë të re e cila me shumë mundësi do shndërrohet në një epokë të re në kapitullin e muzikën hip-hop në Shqipëri. Tekstet e tij poetike, mesazhet e tij të forta sociale dhe qëndrime te tij po mundohen ta largojnë hip-hopin nga banaliteti që kemi parë deri tani, duke u mundur ta ngrejë atë në art./ ©Lapsi.al