Pritja e Donald Lu-së nga Ilir Meta dhe sidomos epitetet superlative që karakterizuan njoftimin e zyrës së shtypit të presidentit me ambasadorin e ShBA, tregojnë se bashkëbisedimi kokë më kokë i të tyre nuk ka qenë thjesht, pirja e një kafeje kortezie. Fjalët “i shkëlqyer”, “i përzemërt”, “miqësor”, “bashkëpunues” që u hodhën me breshëri mbi publikun, në fakt duket sikur duan të fshehin diçka tjetër: faktin që Ilir Meta dhe Donald Lu, nuk kanë pasur asnjëherë një marrëdhënie korrekte mes tyre.
Lexo me tej:
Takimi Meta-Lu/ Presidenca: Ishte miqësor, i përzemërt dhe bashkëpunues si gjithmonë!
Këtë e tregoi së fundi edhe publikimi i letrës që Adriatik Llalla kishte dërguar në Kongresin Amerikan. Ish-Kryeprokurori në muajin maj të vitit 2017, i nisi një letër zyrtare Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilën ka thënë se Ambasadori Donald Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt. Sipas Llallës një gjë e tillë ka ndodhur në maj të vitit 2015, pra në kulmin e skandalit të dosjes DIA- CEZ që e rrezikoi seriozisht fatin politik të Ilir Metës.
Vetë ky i fundit i ka pohuar njerëzve të tij të afërt se amerikanët po kërkonin kokën e tij. Ndonëse publikisht ai akuzoi për këtë komplot dyshen Rama – Basha, që vepronin të organizuar pas publikimit të artikullit të BIRN që hidhte hije dyshimi për korrupsionin e Metës, ai e dinte se pas kësaj afere qëndronte edhe Donald Lu. Cdo drejtues i rrethit të parë të LSI, atë kohë shprehej me përbuzje për kinezin që fliste shqip dhe nuk e fshihte se ai po kërkonte eleminimin politik të Metës, për t’i shërbyer Ramës.
Ilir Meta, i dinte të gjitha këto. Me siguri dhe Adriatik Llalla, që konsiderohej si njeri i tij e ka njoftuar kryetarin e atëhershëm të Kuvendit për interesimin që Lu kishte treguar për dosjen DIA - CEZ. Në vend që të bënte detyrën si shumica e prokurorëve shqiptarë, Adriatik Llalla e pati përdorur këtë dosje për të forcuar mbështetjet dhe lidhjet politike. Ai kishte zgjedhur LSI-në përpara ShBA-së, duke e njoftuar Metën për synimet e selisë së Rrugës së Elbasanit.
Por që nga maji i 2015 dhe publikimi i letrës së kongresit në 2017, ka rrjedhur shumë ujë. Llalla tashmë është shkarkuar dhe ambasadori amerikan jo vetëm e ka quajtur atë të korruptuar dhe të diskredituar, por dhe ka mohuar faktet e relatuara prej tij: “Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar” ka deklaruar Lu.
Kjo deklaratë fillimisht i ka volitur imazhit të tij për të treguar se nuk është ambasadori arrogant që përpiqet të komandojë një republikë bananesh. Natyrisht që kjo deklaratë i ka shërbyer edhe Metës. Në sytë e publikut ai tregon se nuk ka pasur kurrë probleme me amerikanët duke shuar zërat se ata kanë dashur t’a godasin si një politikan të korruptuar.
Pra, tani të lumtur duken të gjithë. Donald Lu hiqet sikur nuk ka dashur të ndikojë në dosjen DIA CEZ. Ilir Meta bën sikur nuk e di se në një moment ka qenë në buzë të greminës. Zyra e tij e shtypit e ka shitur aq të sheqerosur atë takim me të njëjtën enfazë me të cilën “Kinostudioja Shqipëria e re” pasqyronte takimet e Enver Hoxhës me ambasadorin sovjetik.
Dhe i vemmi njeri i lënë në baltë nga e gjithë kjo, është Adriatik Llalla, pikërisht ai që në maj 2015 vendosi mos t’i shërbejë shtetit dhe postit që mbante, por Ilir Metës.
Lexo me tej:
Afera CEZ/ Kush po e lufton Metën në SHBA?
Duke pohuar se marrëdhëniet me Lu-në kanë qenë gjithnjë të përzemërta, selia e Presidencës tregoi se nuk beson në versionin e burgosjes së mbrojtur nga Llalla. Kështu ish prokurori është gjendur mes dy zjaresh: Lu-së që e do për ndjekje penale dhe Metës që e shiti duke e trajtuar thjesht si një gënjeshtar, pasi sot si president, i volit më mirë të hiqet sikur nuk ka pasur kurrë probleme me amerikanët.
©Lapsi.al