Monika Kryemadhi ka përsëritur brenda pak javëve të njëjtin qëndrim, të padenjë për një opozitare, kur i është dashur të përgjigjet për Erion Velinë. Në “5 pyetje nga Babaramo” ajo i ka qarë hallin kreut aktual të bashkisë se Rama po kërkon t’ia fusë, se ai nuk e duron dot suksesin e “lalit” në Tiranë, se ai nuk do e kandidojë më për postin aq të lakmuar në krye të bashkisë më të pasur të vendit.
Lexo me tej:
Habit Monika Kryemadhi. Vetëm ajo e sheh lali Erin si viktimë të Ramës
Çdo dëgjues opozitar, që do të refuzonte t’i interpretonte këto deklarata si diversione banale të denja për politikën e fillim viteve ’90, me siguri që do t’i bënte pyetjen vetes: po çfarë e keqeje na gjen nëse Veliaj largohet?
A do të ishte një humbje e madhe për kryeqytetasit nëse njeriu që akuzohet se manipuloi dosjen e vdekjes së Ardit Gjoklajt, njeriu që ka dorë direkt në mbylljen e emisioneve investigative, njeriu që ka blerë pjesën më të madhe të mediave vendase, njeriu që ka dhënë 200 leje ndërtimi ndërkohë kur dihet se çfarë premtoi, njeriu që i ka vjedhur këshilltarët edhe vetë LSI-së, nuk do të kishte një mandat të dytë?
Së paku opozitarët nuk duhet të kishin dilema për këtë.
Por, Monika Kryemadhi e bëri, dhe kjo nuk është një rastësi. Fakti se ajo iu shmang pyetjes për mbajtjen me hatër që LSI po i bën Veliajt, nuk ka të bëjë as me amatorizëm politik, as me provokime të rëndomta brenda shumicës.
Sepse kjo nuk është "gafa" e parë e kryetares së partisë së Ilir Metës. Edhe në “Real Story” të Sokol Ballës, ajo u shpreh se kalemendej 50% me 50% për të mbështetur një kandidim të ri të Veliajt në Tiranë. Menjëherë pas saj, në të njëjtin emision u shfaq dhe kryebashkiaku i cili s’gjeti përgjigje më të mirë për të dhënë sesa të thotë me të drejtë: “medoni sa vlerë ka puna ime, sa edhe opozita është e gatshme të më mbështesë”.
Dhe pas kësaj shfaqeje gjithësecili ka të drejtë të pyesë: pse po luhet ky teatër? Çfarë na intereson më shumë, kulisat që Rama apo Veliaj kurdisin ndaj njëri- tjetrit, apo një qëndrim konseguent dhe parimor ndaj të dyve? Çfarë i volit më tepër publikut, një diversion vulgar për të krijuar të çara mes tyre, apo denoncimi i të vërtetës lakuriq? Si bëhet më e besueshme një opozitë: duke na treguar shembujt se Rama dhe Veliaj duhen ndëshkuar po njësoj (tek shkatërrimi i Tiranës, tek prishja e teatrit, tek stadiumi me kullë, tek lejet për grataçelat, tek lehtësimi fiskal për disa klientë të të dyve, tek inceneratorët e djegies së plehrave), apo duke i fryrë fabulës së shpikur të rivalitetit mes tyre?
Natyrisht edhe në LSI e kanë përgjigjen për këto dilema. Edhe aty e dinë se një opozitë reale, e besueshme dhe e vërtetë fiton më shumë pikë sesa ajo që përpiqet të luajë në kulisa.
Por, flirtimi i turpshëm me Erion Velinë, i përsëritur nga Kryemadhi, është rasti më flagrant që ngre dyshime për sinqeritetin opozitar të partisë së saj. Ky ambiguitet i turpshëm tregon dy gjëra: ose se pavarësisht çizmeve, fjalorit dhe përbetimeve për djegien e shtëpisë së Surrelit, ajo nuk beson tek një opozitë ballore, ose, në të kundërt, ajo ka ende nostalgji për kohën e tepsisë dhe për këtë arsye vazhdon të koketojë me segmente të rëndësishme të qeverisjes.
©Lapsi.al