Viktor Orban fitoi bindshëm në zgjedhjet e përgjithshme të Hungarisë, duke siguruar një mandat të tretë për kryeministër. Rezultati do të trondisë të gjithë Bashkimin Europian, pasi udhëheqësi populist do të vazhdojë të ndjekë vizionin e tij nacionalist.
Orban ka qenë prej kohësh një gjemb për Brukselin, dhe me sigurimin e këtij mandati, pritet që të vazhdojë të godasë politikat e imigracionit, OJQ-të, dhe të sfidojë integrimin në BE.
Orban është përplasur disa herë me Komisionin Europian, duke kundërshtuar planet për shpërndarjen e emigrantëve rreth vendeve të BE-së.
Në fjalën e tij pas fitores, Orban tha se ky rezultat i jep atij mundësinë për të ‘mbrojtur Hungarinë’.
Duke pasur parasysh historinë midis Orban dhe BE-së, ka gjasa të mos ketë shumë festime në Bruksel për rizgjedhjen e kryeministrin hungarez. Këtu janë pesë arsye pse udhëheqësit e bllokut mund t’i zërë paniku.
- Super shumicë
Partia e ekstremit të djathtë e Viktor Orban, Fidesz, pritet të sigurojë 133 nga 199 vende në parlamentin hungarez.
Dy të tretat, pra ‘super shumica’ i japin Orbanit shans për politika të guximshme që prej kohësh e kanë përplasur me BE-në. Politika që godasin shoqërinë civile, mediat dhe gjykatat.

Polonia e shqetësoi Brukselin kur liderët e saj njoftuan ndryshime gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor të vendit.
Komisioni kërcënoi me vendosje sanksionesh ndaj Varshavës.
- Një mesazh direkt për Brukselin
Në fjalimin e fitores, Orban i dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë Brukselit që kërkonte ndryshime në BE.
Duke pretenduar se nuk është anti-BE, lideri hungarez u shpreh se kontinenti është ‘i sëmurë’.
“Ne duam të vëmë gishtin mbi sëmundjen e këtij kontinenti.
Ne nuk duam të jemi kundër Europës dhe BE-së, por duam që Europa dhe BE-ja të jenë të fuqishme bashkë. Por, para se të arrijmë në atë pikë, duhet të tregohemi të sinqertë për çfarë na dëmton” – u shpreh Viktor Orban.

- Aleat i Vladimir Putinit
Vladimir Putin rrallë herë bën udhëtime në vendet e BE-së, por një nga destinacionet e fundit të tij ishte Hungaria.
Në një kohë kur Moska po mbahet nën vëzhgim të rreptë për përfshirjen e saj në helmimin e një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe, Viktor Orban është një nga mbështetësit më të mëdhenj brenda BE-së të Presidentit rus.
Dimitri Trenin, drejtor i ‘Moscow Carnegie Centre’ tha: “Budapesti është një nga të paktat kryeqytete ku Presidenti Putin mund të ndihet rehat, të takojë dikë që ndan të njëjtat pikëpamje mbi botën”.

- Një projekt populist
Fushata e Viktor Orban paraqiti një plan për udhëheqësit e tjerë populistë që duan të shkundin zgjedhjet e përgjithshme të vendeve të tyre.
Partitë anti-establishment në Francë dhe Poloni e kanë mbështetur rezultatin në Hungari që tani. Me shumë mundësi, këto parti do të përdorin taktikat zgjedhore të Orban në vendet e tyre.
Marine Le Pen tha: “Një fitore e madhe dhe e qartë për Viktor Orban në Hungari. Ndryshimi i vlerave dhe imigracioni masiv i BE-së u refuzua sërish”.

Në mars, qeveria hungareze përdori të njëjtën foto kontraverse të përdorur në posterin e quajtur “Pika e thyerjes” që publikoi UKIP (partia e pavarësisë në Britaninë e Madhe), në Britani.

