Ndryshe nga personazhet e zakonshëm që ulen në platformën e së enjtes në “Opinion”, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka tërhequr më shumë vëmendjen në faqet rozë sesa për qëndrimet e saj politike.
Ende pa filluar emisioni, në Facebook u shpërndanë disa foto dhe video të Kryemadhit duke bërë grim. Më pas tituj të tjerë iu kushtuan faktit se ajo kishte shpënë ëmbëlsira në TV Klan me rastin e ditës së Sulltan Novruzit. Ndryshimi radikal i lookut të Monikës, veshja e saj me një kostum të kuq, frizura dhe grimi tërhoqën vëmendjen e mediave rozë.

Kështu Revista Class e drejtuar nga Alketa Vejsiu, shkroi: “Ajo që ra në sy tek të gjithë, ishte pikërisht eleganca e pashoq, një tipar ky i dukshëm në çdo detaj të pamjes së saj. Monika Kryemadhi dukej në super formë fizike dhe një zonjë mjaft e kuruar, që i mahniti të gjithë. Sa i takon veshjes ajo nuk kishte gabuar në asnjë moment në zgjedhjen e saj. Kostumi i kuq, dhe këmisha në nuancë pastel me fruda në pjesën e parme, ishte gjetje shumë e veçantë nga ana e saj. Ndërkohë që edhe në portret ajo shkëlqente sakaq. Me një grim me tonalitet neutral, me frizurën e veçantë dhe tiparet e qarta, Monika na konfirmoi edhe njëherë se është në një top formë totale. Edhe pse një politikane me axhendë të ngjeshur aktivitetesh ditore, mama e tri fëmijëve dhe bashkëshorte e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me sa duket asgjë nuk e zmbraps në dëshirën për t'u dukur elegante dhe e kuruar në tërësi. ”

Nuk ka pa dyshim se pas ndërhyrjeve të fundit estetike, Kryemadhi e ka fituar betejën e imazhit. Por duket se për të më shumë preokupim duhet të bëjë një betejë tjetër, ajo politike. Sepse ajo nuk është më gruaja që e ftojnë në televizione si bashkëshortja e Ilir Metës, por kryetarja e partisë së tretë më të madhe në vend. Dhe si e tillë paraqitja e saj kaloi pa ndonjë mesazh të rëndësishëm. Madje gjatë emisionit pati deklarata që më shumë i ngjajnë bisedave të kafeneve. Kryemadhi deklaroi se në parlament ka deputetë socialistë që duan ta rrëzojnë Edi Ramën dhe megjithëse një gjë e tillë është e pabesueshme për shumëkënd, ajo nuk denjoi të japë asnjë provë për këtë pohim. Ajo deklaroi gjithashtu se qeveria e mban në përgjim dhe megjithëse nuk serviri asnjë provë shtoi me lehtësi: “edhe Ilir Meta përgjohet si bashkëshorti im, jo si president”.
Grabitja e LSI-së, nuk është punë Rusie, por rrëmbim tepsie
Lidhur me arrestimin e drejtorit të rrugëve të LSI-së Xhika, Kryemadhi serviri një skemë të ngatërruar se ai qe goditur pasi Taulant Balla me Damian Gjiknurin nuk dinin të ndanin paratë e korrupsionit me njëri tjetrin, por as nuk denjoi të shpjegonte se ç’lidhje ka kjo gjë me arrestimin.
Kryemadhi foli me një lehtësi të pabesueshme, se partia e saj mund t’i rrëmbente kur të donte 7- 8 deputetë socialistëve dhe nuk dha asnjë shpjegim bindës për rrjedhjen masive që po pëson partia e saj në këshillat bashkiake. Ajo u mjaftua ta quajë këtë vetëm një teatër të vjetër.

Pra në konkluzion, po aq sa ndriti me imazhin dhe lookun e saj, po aq zhgënjeu kryetarja e LSI-së me qëndrimet politike. Dhe sfida e saj reale tani është që të transformohet edhe politikisht ashtu sikurse ka arritur t’ia dalë fizikisht.
©Lapsi.al