Donald Trump shkarkoi Sekretarin e tij të Shtetit, Rex Tillerson, dhe njoftoi se ai do të zëvendësohet nga drejtori i CIA-s, Mike Pompeo.
Trump njoftoi vendimin e tij në Twitter, duke shtuar se Gina Haspel, aktualisht zëvendësja e Pompeos, do të bëhet e para grua që merr drejtimin e CIA-s.
Largimi i Tillerson kishte kohë që ishte parashikuar, pas disa përplasjesh mes tij dhe Trump mbi politikën e jashtme. Por, njoftimi u bë vetëm katër orë pasi sekretari i shtetit i zbriti avionit në Uashington pas një turi në Afrikë. Tillerson ishte i papërgatitur për këtë lajm.
Zëvendësi i Tillerson, Steve Goldstein tha: “Sekretari nuk ka folur me Presidentin dhe nuk e di arsyen e shkarkimit, por ai është mirënjohës për mundësinë që pati për të shërbyer”
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se nuk e dinin nëse Tillerson do të vinte vetë për të marrë sendet personale nga zyra e tij, apo do të dërgonte dikë për këtë punë.

Zyrtarët u shprehën se Tillerson mendonte se do të rrinte në zyrë edhe për më shumë kohë pasi kishte një axhendë të ngjeshur me takime gati për muajt e ardhshëm.
Tillerson ishte shprehur kohët e fundit se parashikonte të qëndronte në detyrë edhe për gjithë vitin 2018, të paktën.
Në orën 9 e 15 minuta, Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë për një vizitë në Kaliforni, për të parë prototipet për murin e tij kufitar me Meksikën. Para se të futej në helikopter, Trump i shprehu gazetarwve çfarw e ndante atw nga Tillerson.
“Unë do të vazhdoj të flas me Rex-in edhe më tej. Unë faktikisht kam shkuar mirë me të, por thjesht kishim mendime të ndryshme.
Nëse flasim për marrëveshjen e Iranit, unë mendoj se është e tmerrshme, ndërsa Rex mendonte se ajo është ‘OK’. Unë desha ose t’a ndërprisja, ose t’a ndryshoja, por ai ndihej pak më ndryshe” – u shpreh Trump.
Tillerson ka argumentuar fort se SHBA duhet të vazhdojë të respektojë marrëveshjen me Iranin, e cila u arrit nga Barack Obama në vitin 2015.
Mike Pompeo është kundërshtar i vjetër i marrëveshjes.
“Me Mike kemi një mendim shumë të ngjashëm. Unë mendoj se do të shkojë gjithçka shumë mirë.”
I diplomuar në West Point dhe Harvard, ish-kongresmen republikan, Pompeo shihet si më besnik se Tillerson, një ish-ekzekutiv i naftës që nuk e kishte takuar Trump-in para zgjedhjeve dhe gjithnjë e më shumë ngriti kundërshtitë e tij ndaj stilit dhe politikave të Presidentit.
Trump shtoi: “Unë kam punuar me Mike Pompeon për shumë kohë. Energji e jashtëzakonshme, intelekt i jashtëzakonshëm, ne jemi gjithmonë me të njëjtin hap. Marrëdhënia mes nesh ka qenë shumë e mirë dhe kjo është ajo që kam nevojë tek një Sekretar Shteti. I uroj Rex Tillersonit më të mirat.” (përktheu lapsi.al)
Verën e kaluar, u raportua se Tillerson e ka quajtur Donald Trump-in një ‘budalla’, zëra që Tillerson nuk i mohoi.
Deklaratat e ndryshme të Trump dhe Tillerson vazhduan deri të hënën. Tillerson dha një përgjigje shumë më të fortë se sa Shtëpia e Bardhë për vrasjen e një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe. Ai e quajti Rusinë si të dyshuar për këtë ngjarje. Ndërsa një zëdhënëse e Trump iu shmang një komenti për ngjarjen.
Trump deklaroi se do të fliste me kryeministen britanike, Theresa May, të martën. “Mua më duket se ato besojë se pas ngjarjes qëndron Rusia” – u shpreh Trump.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se koha e pushimeve nga puna në administratë përkon me faktin se Presidenti dëshiron që ekipi i tij i ri të jetë gati para bisedimeve që priten të zhvillohen me Korenë e Veriut dhe negociatat tregtare në vazhdim.
Ndërsa Tillerson u shpreh se bisedimet me Korenë e Veriut janë akoma larg, Trump u shpreh se nuk e kishte diskutuar vendimin e tij për t’u ulur në tryezë me Kim Jong Un me Rex Tillerson.
“E mora këtë vendim vetë. Rex-i nuk ishte në SHBA. Për Korenë e Veriut u konsultova me shumë njerëz, por vendimin e mora vetë.”

Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi komentoi vendimet e fundit të Trump.
“Veprimet e Presidentit tregojnë se çdo zyrtar në administratën e tij është në mëshirë të tekave të tij personale dhe adhurimit ndaj Vladimir Putin.”
Ndërkohë, Mike Pompeo dhe Gina Haspel shprehën mirënjohje ndaj Shtëpisë së Bardhë.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj Presidentit Trump që më dha mundësinë të drejtoja CIA-n, dhe tani për mundësinë për të qenë Sekretar i Shtetit.
Udhëheqja e tij e ka bërë Amerikën më të sigurt dhe mezi pres të përfaqësoj atë dhe popullin amerikan në pjesën tjetër të botës” – u shpreh Pompeo. (përktheu lapsi.al)
Ndërsa Gina Haspel është nën hetim për rolin e saj në ‘Programin e torturave të CIA-s’ gjatë administratës së George W. Bush, mbiqyrjen e torturave, si dhe për shkatërrimin e mëvonshëm të provave filmike të tyre.
Dy psikologë të kontraktuar nga CIA, të cilët ndihmuan në krijimin e mënyrave të torturave, kërkuan të merrnin një prononcim nga Haspel vitin e kaluar, pasi janë hedhur në gjyq nga viktimat e torturave.
Por, Departamenti i Drejtësisë ndërhyri për të parandaluar paraqitjen e Haspel në gjykatë, me arsyetimin se një deklaratë e saj do të zbulonte sekrete shtetërore.

Për Trump, Gina Haspel është një person i jashtëzakonshëm që ka arritur t’a njohë shumë mirë.
“Unë kam njohur shumë njerëz, shumë mirë vitin e kaluar dhe tani jemi me të vërtetë në një pikë ku po i afrohemi tamam kabinetit që unë dua” – u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL