Flash

KUFIRI DETAR/ A po shkelet për të dytën herë Kushtetuta?

Lapsi.al 19 February 2018
KUFIRI DETAR/ A po shkelet për të dytën herë Kushtetuta?

Tkurrja e Gjykatës Kushtetuese me vetëm 5 anëtarë krijoi një moment të artë për mazhorancën, që mund ta negociojë kufirin detar me Greqinë, pa pasur frikë se marrëveshja do të shpallet antikushtetuese. Megjithatë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati premtoi se nuk do të shkelen linjat e kuqe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen e parë.

Pengesa e vetme në këtë moment janë dilemat e Ilir Metës. Deklaratat që vijnë nga Greqia tregojnë se marrëveshja është mbyllur dhe Presidenti nuk pranon të trajtohet si një noter i rëndomtë.

Mungesa e plotfuqisë në negociatat e vitit 2009 ishte një nga argumentat më të forta ku mbështetej vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me relator Xhezair Zaganjorin. Aty theksohet se një autorizim nga Presidenca për të negociuar është i domosdoshëm. Veç kësaj, saktësohet edhe momenti, se kur Ministri i Jashtëm duhet t’i drejtohet presidentit.

Lapsi.al iu rikthye vendimit të vitit 2010, që rrëzoi marrëveshjen e parë me Greqinë. Nuk duhet shumë për të kuptuar se Kushtetuta tashmë është shkelur.

Nga dy pika të vendimit (pika 26 dhe pika 33) del se Ministri i Jashtëm duhej të ishte drejtuar në presidencë shumë kohë më parë, që kur nisi bisedimet me homologun e tij grek, Nikos Kotzias për këtë çështje. Fjala kyçe në këtë rast është bisedime.

PIKA 26 E VENDIMIT Të GJYKATëS KUSHTETUESE

Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar.

Antikushtetueshmëria bëhet akoma më e qartë në pikën 33 të vendimit. Aty rrëzohet qartësisht e gjithë praktika e ndjekur si para vitit 2009, ashtu si edhe sot, në rastin Bushati-Kotzias.

PIKA 33 E VENDIMIT Të GJYKATëS KUSHTETUESE

Gjykata thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Duke iu referuar fakteve të bëra të njohura nga përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës. Pra, është krijuar praktika e mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi, nëse pala tjetër në marrëveshje nuk e kërkon një gjë të tillë. Gjykata vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese ose ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim të paautorizuar nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë. Kjo sjellje institucionale e kthyer në një praktikë bie ndesh jo vetëm me nenin 92/ë të Kushtetutës që parashikon rolin dhe kompetencën e Presidentit për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe me nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.

Por këshilltari i Bushatit, Glevin Dervishi, në një intervistë në Janar të këtij viti, kur ende nuk ishte kërkuar plotfuqia nga presidenti, bëri dallimin mes bisedimeve dhe negociatave.

“Së pari njëherë në politikën e jashtme, edhe nga pikëpamja proceduriale ka një dallim midis bisedimeve dhe negociatave. Bisedimet janë kryer, ndonëse me prezencë të ekipit teknik të Ministrisë së Jashtme, janë kryer në nivel dy ministrash, por kalimi nga faza e parë e bisedimeve, në fazën e negociimit, janë dy faza krejt të ndryshme nga pikëpamja ligjore dhe nga pikëpamja e angazhimit institucional" ka thënë Dervishi.

Ministria jonë e Jashtme, pretendon se autorizimi i Presidentit nuk duhej kërkuar për bisedime, si ato të Korçës, por vetëm për negociata të ekspertëve si ato që priten të zhvillohen në Tiranë apo Athinë. Por ky dallim nuk ekziston në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe deklarata ngjan më shumë me një justifikim.

Përveç kësaj, në takimin e Korçës, bashkë me ministrat e jashtëm Bushati dhe Kotzias, ishin të pranishëm edhe ekspertët. Në foton e përbashkët të dy delegacioneve në Korçë, dallohet përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Artur Meçollari, oficer detar dhe ekspert i çështjes.

Detaji përforcon dyshimet se ajo që thonë grekët, është e vërtetë: se kufiri detar është përcaktuar tashmë dhe se të dy qeveritë kanë gjetur konsensus. Por ndërsa Alesksis Tsipras u këshillua me të gjithë faktorin politik të Greqisë para se të jepte miratimin për kufirin detar, Edi Rama, siç e ka zakon gjendet në ngërç intitucional. ©Përgatiti për Lapsi.al, Dorian Kodra

Të këshilluara

The Guardian: Po negociohet ndarja e Kosovës

Ndarja e Kosovës ka zënë vend sot në një artikull të gazetës prestigjioze britanike The Guardian. Sipas gazetës londineze që u referohet diplomatëve dhe politik...

17:02

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

91.49

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI