Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për akuzat e UEFA-s në drejtim të Skënderbeut që dyshohet se ka trukuar ndeshje. Në reagimin për mediat, Federata Shqiptare është distancuar nga kjo çështje duke theksuar se pret çdo vendim zyrtar.
“Gjatë ditës së djeshme, por edhe sot FSHF ka marrë informacionet e nevojshme lidhur me dokumentin e publikuar i cili është relacioni i inspektorëve të UEFA-s drejtuar Komisionit të Disiplinës, dhe jo një vendim disiplinor. Informacione këto, të domosdoshme për të pasur një qëndrim të konsultuar institucional dhe publik.
Ndonëse FSHF po e ndjek me vëmendje ecurinë e procesit disiplinor ndaj Skënderbeut, vlen të theksohet se kjo është një çështje që i përket drejtpërdrejtë klubit anëtar (Skënderbeu) dhe vetë UEFA-s. FSHF do te jetë e hapur për çdo vendim disiplinor që mund të vijë në rrugë zyrtare nga trupat gjykuese të UEFA-s për rastin në fjalë” – thuhet në reagimin e FSHF-së. ©LAPSI.al