Flash

Zvërneci shitet për 306 mijë euro

Kontrata e shitjes së aksioneve zbulon se kompania që zotëron lejen e zhvillimit për resortin luksoz në bregdetin e Vlorës ndryshoi pronarë përmes një marrëveshjeje offshore mes Holandës dhe Katarit.

14:42

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43

Lutje “Atit tonë”, Erion Veliaj

Lapsi.al 5 February 2018
Lutje “Atit tonë”, Erion Veliaj

Nga Agron GJEKMARKAJ

Kryebashkiaku Erion Veliaj është njeri i familjes, tashmë, për të gjithë ne. Nëse zgjohemi të mërzitur, ai shfaqet menjëherë në televizor dhe na thotë  “jeta është e bukur-jetoje atë”. Makthet e një nate pa gjumë marrin arratinë e thyejnë qafën! Squllja, dhimbjet e mesit, murrëtimi, stresi, mpaken dhe gëzimi të çukit si lejlek mbi dritare. Del në sallon me pantofla e pizhame e teksa rrufit kafenë, ai përsëri duket në një tjetër ekran. Sa shpejt! Ti hap sytë dhe kruan veshët në pritje të një tjetër parabole. Ai paralajmëron butësisht se erdhi koha për t’iu futur punës.

Një shpjegim burimor për virtytet e saj, qysh ajo na edukon, qysh na siguron mbrothësinë e një jete të paqtë, qysh na darovit me një bilete gratis në udhëtimin drejt së ardhmes. Në fund, një porosi “duaje qytetin tënd”! Një buzëqeshje dhe një ngjatetim me dorë për të kuptuar që nuk je i vetmuar. Ndjenja e fajit se po vonohesh për të kapur ritmin, të zë menjëherë. E boshatis filxhanin me dy të hedhura, paçka se buzët e gjuha digjen ndoca.

Ne ashensor, përsëri Erioni, nuk të le vetëm në atë mugëtirë dritash të zbehta. Aty gjen një fletëpalosje me këshilla praktike sesi të bëhesh një qytetar perfekt, i denjë për komunitetin! Një këshillë si të sillesh me administratorin! Një lajmërim si dhe kur të paguash dritat! Një qasje si mund ta gjesh momentin e duhur për të përkëdhelur qenin e komshiut pa të kafshuar gishtin.

Në Bulevard, në mes të njerëzve, ti mendon se je vetëm me mendimet e tua, por jo, aty përsëri ke mundësi të takosh Erion Veliajn me një grup kamerash nga pas, të cilat e ndjekin në vrapin e tij haravan me biçikletë mbi trajektoren e caktuar për to. Në fillim jep lajmin sa kilometra këso udhe do hapen, pastaj shpjegon rëndësinë e të ecurit me biçikletë, dobinë që sjell ajo në qarkullimin e gjakut, në tretjen e ushqimit, zbutjen e kolitit dhe forcimin e zemrës.

Duhet rendur kah puna dhe shton ritmin, pak metra para se të futesh në një kënd reklame përsëri mbi kopertinën e një reviste sheh Erionin me pulovrin e tij mbushur me rombe, me vështrimin projektuar në horizont, as fort i qeshur, por kurrsesi i zymtë, i cili të përcjell mesazhin e sportivitetit, rinisë dhe energjisë. Të duket vetja i dalë kohe dhe mode me petkat e rënda dimërore. Orët e punës mbërrijnë në cakun e mbramë. Stomaku ka filluar të therë nga pak.

Kthimi përtypet nën shenjën e nervozitetit të midesë së trazuar. Zakoni e do që të hapesh atë të uruar televizor për të marrë vesh çfarë ka ndodhur. Përsëri del Erion Veliaj, duke mbjellë pemë monopateve përreth qytetit dhe me vete ka edhe ish Presidentin Moisiu, i cili magjepset nga nisma aq sa beli në duar i ka hije si violina Paganinit. Ç’kuptim do të kishte ky mundim pa shpjeguar rëndësinë e gjelbërimit, romantizmin e kurorave, pastrimin e ajrit për një frymëmarrje të dëlirë e pa kokëçarje?!

Gjithësia, me gjasë, u mbrujt ditën kur edhe arbëreshët, që kaptuan detin për në dheun e të parëve, e gjetën veten rrëpirave të Petrelës, duke ngulur ullinj si amanet i Skënderbeut, se kështu u tha Veliaj. Ai i di mirë ato domene të kujtesës historike. Nuk dihet në i gostiti me këngën “si të lashë e më s’të pashë, moj e bukura More”! Por një gjë është e sigurt, se ata ikën të këndellur dhe e kuptuan që Skënderbeu bash-bash nuk qenkësh Edi Rama, po ky djali punëtor si palla e hekurt e Gjergjit të madh. Vjen darka, që ardhtë e bardhë!

Rreth tryezës çukit nga pak e tërheq ndonjë gllënjkë njeriu i gjorë për të namatisur gurmazin e kreshpëruar nga smogu dhe hedh sytë nga ekrani, ku ja beh përsëri Kryebashkiaku ynë. Me kamera nga pas, të cilat i shërbejnë papërtueshëm, hyn në një familje, mban në prehër një kolopuç dhe llafoset gjithë ëndje, më pas, ulet ndanë sofrës dhe ha me ç’tu ndodhet me të zotët e shtëpisë. U jep shpresë, dashuri, përkujdesje e nëpërmjet shumëfishimit të imazhit, këtë bekim e çon anembanë kësaj shqiptarie plot derte. E nesërmja është një befasi.

Veliaj mund të shfaqet në arat e Valiasit, duke cytur qetë me qylaf në kokë e shall mbi qafë e me të njëjtën vëmendje i rëndon plorit. Më pas, i merr erë dheut për të shijuar vlagën e tij. Më vonë, hyn në një kotec me kanistër në dorë e mbledh vezë duke sqaruar, ndarë në dysh, dilemën “pula vezën, apo veza pulën”! Pasditja mund ta zërë në Mullet, duke pjekur raki ballë kazani e pak më vonë me dajë Cenin, duke kuvenduar në Pezë si rinia duhet të ndjekë shembullin e veteranëve.

Kjo është një kohë e jashtëzakonshme! Një fat i madh ka futur turinjtë në shtëpitë tona. Nuk të duhet më për asgjë eksperienca, studimi, dilemat, ëndrrat, sepse kemi Erion Veliajn. Ai të thotë çfarë është e mirë apo e keqe dhe ai e di. Ai të thotë çfarë është e bukur dhe e shëmtuar dhe ai e di. Ai të thotë çfarë të duhet dhe çfarë jo dhe ai e di. Ai të thotë çfarë duhet të mendosh dhe çfarë jo dhe ai nuk ia shtie kuturu. Me të gjitha këto bie dakord qeveria, vetë Kryeministri ynë buzëhollë, me këto bie dakord opozita, e cila nuk ka asnjë fjalë të keqe për të dhe goja iu thaftë, po e nxori.

Dikur kemi menduar se Erion Veliaj është djali i portës përbri, njëri prej nesh, por ai u rrit shpejt u bë mesianik. Mund ta quajmë “Ati ynë” që na hatron, këshillon e qorton. “Ati ynë” në kuptimin hyjnor të fjalës, i cili meriton lutjen: “Ati ynë që je në bashki/ u shenjtëroftë emri yt/ ardhtë mbretëria jote/ u bëftë vullnesa jote/ si në qiell, ashtu dhe në Tiranë/ bukën e përditshme jepna sot/ na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë/ e mos na lër të biem në tundim,/ por na liro nga i keqi – Amen!/ Panorama

Të këshilluara

Një marrëveshje e keqe me Greqinë

Nga Sokol Shameti / Nuk e di çfarë do të quhej një marrëveshje pozitive me Greqinë. Por ama e di çfarë do të ishte një marrëveshje e keqe. Marrëveshje e keqe...

15:19

Liza e qymyrit

Ajo ishte një nga personazhet më të rëndësishme të rrugëve të Tiranës. Padyshim nga të vetmet personazhe që si femër, a mashkull, nuk bën propagandë për vete...

18:25

Gjashtë plumba nga Beogradi

Nga Imer Mushkolaj Oliver Ivanoviq është viktimë e pushtetit në Serbi. Është viktimë e Aleksandar Vuçiqit. Klima e pasigurisë, e linçimit dhe e sulmeve ndaj ...

13:38

Atentati me një mesazh

Nga Enver Hasani Ndërkohë që po merrja pjesë në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së hershme të njërit prej poetëve më të mirë të Kosovës, profesori...

19:41

Fino, Duka, apo as njëri as tjetri?

Kjo që po ndodh nuk është një histori me të mirë dhe të këqinj por me hiç dhe akoma më hiç. Historia është ajo e një aktiviteti dhe pasioni milionash që gjatë ...

16:30

"E urrej Vitin e Ri!"

*Nga Antonio Gramshi Çdo mëngjes, kur zgjohem sërish nën zymtinë e qiellit, ndjej se për mua sot është dita e Vitit të Ri. Prandaj i urrej këto vite të re...

23:11

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43