Flash

Kush është "Kambalja" - Ardi Veliu, kryepolici që i dogjën makinën në Vlorë

Lapsi.al 5 February 2018
Kush është "Kambalja" - Ardi Veliu, kryepolici që i

Emri i Ardi Veliut, i përzgjedhur nga Fatmir Xhafaj në krye të policisë së shtetit nuk qe surprizë. Prej një viti, karriera e policit nga Delvina ka pasur një kapërcim të pazakontë, që lidhej me lëvizjet e Fatmir Xhafajt në qeveri dhe jashtë saj.

Katapultimi në karrierë

Fatmir Xhafajt i duhej një polic jashtë klanit Tahiri kur mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Për sa kohë do të kishte në krahun e djathtë Haki Çakon, i njëjti njeri që drejtori policinë me Tahirin, besueshmëria do të qe e ulët.

Në këtë sens, Ardi Veliu dukej perfekt. Ai kishte mbajtur detyra periferike në policinë e shtetit dhe nuk ishte përfolur në media për lidhjet me Saimir Tahirin apo me rrjete kriminale të drogës.

Pak dihet për një njohje më të vjetër mes Veliut dhe Xhafajt, por sapo u emërua ministër, ky i fundit e shfaqi hapur preferencën e tij kur i besoi Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Fatmir Xhafajt iu desh kohë të bindte Edi Ramën për largimin e Haki Çakos nga policia gjithmonë duke pasur në mendje Ardi Veliun. Pavarësisht se grada që mbante Veliu nuk ishin të përshtatshme për ta emëruar më lart, zgjidhja iu gjet shpejt.

Ministria e Brendshme organizoi pak ditë më parë një konkurs për gradën “Drejtues i parë”. Ashtu siç pritej, Ardi Veliu ishte një nga 5 fituesit me pikët më të larta. Në rrugën drejt majës së Policisë së Shtetit nuk pati më asnjë pengesë.

Pse vartësit e quajnë "Kambalja"

Një prej kolegëve të tij në policinë e Tiranës, duke folur për Lapsi.al e përshkroi Ardi Veliun si një njeri strikt dhe të rreptë në komunikim me vartësit. Metodat e drejtimit të Veliut janë të ngjashme me ato të ushtrisë dhe për këtë arsye nuk mungojnë pseudonimet.

“Ardi Veliu ka mbaruar shkollën në Turqi. Turqia i specializon më shumë në aspektin e organizimit ushtarak, përfshirë edhe mënyrën e qëndrimit, qoftë edhe nga ana estetike. Këto të Turqisë ne i quajmë “Kambale”, si këpucët që veshin ushtarakët” tha efektivi i policisë që ka punuar me Ardi Veliun.

Pikërisht për shkak të kërkesës së llogarisë, në policinë e Tiranës, oraret dhe paraqitja në detyrë kanë qenë temë dite mes policëve.

“Profesionalisht ka mungesë eksperience në hetimin e krimit, në aspektin e gjurmimit dhe informimit, pikërisht ato që të japin mundësinë të “shkëlqesh” nëse arrin sukses. Por gjithsesi është një menaxhues i mirë. Deri tani, në polici rezulton të jetë një njeri i pastër, i papërfolur për çështjet e tjera, krejtësisht i pastër” tha për Lapsi.al efektivi që nuk pranoi të identifikohej.

Disa muaj më parë, një urdhër i Drejtorit të Policisë së Tiranës kaloi në media si një ndodhi qesharake. Të arrestuarve që mbaheshin në paraburgim iu ndalua cigarja. Urdhri ishte firmosur direkt nga Ardi Veliu, një dëshmi tjetër për rreptësinë me të cilën kryepolici e koncepton detyrën.

Incidenti në Vlorë në vitin 2011

Shkaqet se përse shefit të policisë bashkiake të Vlorës, Ardi Veliut i dogjën makinën në tetor të vitit 2011 nuk u morën vesh kurrë. Në media u raportua se makina u dogj gjatë mesnatës, kur ishte parkuar poshtë pallatit ku banonte Veliu me familjen e tij në lagjen “Isa Boletini”.

Policia tha se makina është u gjet e djegur herët në mëngjes nga vetë Veliu, i cili lajmëroi policinë pasi ka parë makinën e djegur.

Akuzat e Berishës

Ish kryeministri Sali Berisha e paralajmëroi zgjedhjen e Ardi Veliut në krye të Policisë së Shtetit disa ditë më parë, por duke thënë se kryepolici është në depresion për shkak të vjedhjes së 550 mijë eurove në shtëpinë e tij në Vlorë. I bërë gati për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu nuk mund t’i shpëtonte raportimit të qytetarit dixhital.

Në SMS-në që publikoi Berisha thuhet se Ardi Veliu denoncoi mungesën e 12 milion lekëve të vjetra, por në fakt i kishin marrë 550 mije euro. Veliu vuri shpërblim 100 mijë euro për atë që gjente hajdutët, por shumën e saktë nuk mund ta deklaronte pasi nuk kishte se si ta justifikonte, shkruante Berisha. Rrëfyesi thotë se Veliu kaloi në depresion dhe është kuruar për këtë ndërsa nga ajo ditë pësuar 3 infarkte.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Haga, si përfundim i një epoke të gjatë yes man-izmi

Nga drama e 16 shtatorit, që po rekemi ta konsumojmë si popujt primitivë me lotë, mallkime, ofshama dhe qurravitje duhet të dimë të nxjerrim një mësim: Këtej e tutje askush nuk do të na rrespektojë, po nuk ditëm të respektojmë vetveten. Sepse verdikti i asaj gjykate të instrumentalizuar erdhi si pasojë e servilizmit tonë të verbër ndaj perëndimit

16:25 Andi Bushati

Gënjeshtra e rezorteve elitare

Në Sazan edhe në Zvërnec qeveria po financon komplekse luksoze banimi që do pasurojnë ndërtues lokal dhe ndërkombëtarë, herë duke i hequr taksat, herë duke i çuar infrastrukturë dhe herë duke privatizuar tokën dhe plazhet publike

13:55 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.49

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI