Flash

BBC: Çfarë kërkoi realisht Donald Trump në Davos?  

Lapsi.al 26 January 2018
BBC: Çfarë kërkoi realisht Donald Trump në Davos?  

Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi ashpër praktikat tregtare “grabitqare”, sikurse i quajti ai, duke paralajmëruar partnerët në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se SHBA nuk do të tolerojë tregtinë e padrejtë.

Trump u shpreh se këto praktika grabitqare po shtrembërojnë tregjet dhe SHBA nuk do të mbyllë më sytë ndaj këtij fenomeni.

Presidenti deklaroi se gjithmonë do t’a vendosë SHBA-në të parën kur vjen puna tek tregtia, por kjo nuk do të thotë se vëmendjen e ka vetëm tek vendi që drejton.

“SHBA është e hapur për biznes” – u tha Trump liderëve globalë të politikës.

Sipas BBC, politika e tij e quajtur “Amerika e para” bie në kundërshtim me qëllimin e këtij forumi, i cili promovon globalizimin dhe bashkëpunimin.

Donald Trump u bëri thirrje investitorëve të huaj për të bërë biznes në Amerikë. Sipas tij, SHBA është më tërheqëse se kurrë për investimet e huaja.

“Unë jam këtu për të dhënë një mesazh të thjeshtë: Nuk ka pasur ndonjëherë një kohë më të mirë për të punësuar, për të ndërtuar, investuar dhe për t’u rritur financiarisht në Shtetet e Bashkuara. Amerika është e hapur për biznes dhe ne jemi sërish konkurues” – u shpreh Trump.

Teksa ai po fliste, u publikuan shifrat e fundit për rritjen ekonomike të SHBA-së. Rritja vjetore për vitin 2017 ishte 2.3%, e përmirësuar nga ajo e vitit 2016 që ishte 1.5%, por nën objektivin e presidentit, prej 3%.

Audienca u zhgënye

Fjalimi që mbajti Trump në këtë forum pritej me padurim. Politikanët e lartë ishin gati të prisnin plot një orë nga koha e tyre e çmuar për të dëgjuar se çfarë kishte për të thënë Presidenti amerikan.

Paraprakisht, zhurma ishte e ngjashme me një koncert muzikor, vetëm se njerëzit ishin të veshur me kostume.

Tani që fjalimi mbaroi, zhurma duket se u mbyt tërësisht. Njerëzit po prisnin një fjalim më pajtues, por mesazhi që Presidenti dha ishte pak a shumë i njëjtë: “Amerika e para”.

Në të vërtetë, shumicës së të pranishmëve aty nuk u interesoi se çfarë tha Trump. Ata janë të lumtur vetëm pse ai vendosi t’i bashkohet këtij forumi. Në thelb, Trump i konfirmoi liderëve botërorë se ata janë të rëndësishëm.

Presidenti amerikan kërkoi që sistemi i tregtisë ndërkombëtare të reformohet dhe të jetë “i drejtë e reciprok”. Ai u shpreh se ka shumë vende, pa i përmendur me emër, që tregtojnë në mënyrë të pandershme. Ai i ilustroi këto vende me shembullin e vjedhjes masive të pronave dhe shpërndarjen e ndihmave shtetërore tek industritë.

Trump shtoi se ai preferonte marrëveshjet bilaterale të tregtisë së ndershme me vendet e tjera, duke përfshirë ato të nënshkruara në Partneritetin Trans-Paqësor. Këtu arrijmë tek një tjetër kontradiktë e Presidentit. Ai u tërhoq muaj më parë nga ky Partneritet. Por, sot në Davos ai u shpreh se do të konsideronte të rinegocionte me shtetet e këtij Partneriteti kolektivisht, por vetëm nëse do të ishte në interesin e SHBA-ve.

Trump nuk harroi të sulmonte sërish mediat, duke përsëritur akuzat se ato raportojnë “lajme të rreme”. Kjo deklaratë u prit negativisht nga të pranishmit.

“Si biznesmen unë jam trajtuar gjithmonë shumë mirë nga shtypi, dhe u desh që të bëhesha politikan për të kuptuar se sa i ndyrë, i keq dhe i pashpirt mund të jetë shtypi” – u shpreh Trump.

Në takimin me kryeministren britanike, Theresa May, ai u shpreh se pret një rritje ‘të jashtëzakonshme’ në tregtinë mes SHBA-së dhe Britanisë në vitet e ardhshme.

Fjalimi i Presidentit Donald Trump në Davos vjen disa ditë pasi SHBA njoftoi se do të ketë tarifa të reja deri në 50% për lavatriçet dhe panelet diellore që futen në SHBA, vendim që revoltoi Kinën dhe Korenë e Jugut, eksportueset më të mëdha të këtyre paisjeve në SHBA.

Por, këtu nuk mbaron gjithçka. Përpor kontradiktave të deklaratave që Trump bëri në Forumin Ekonomik Botëror, ishte dhe vartësi i tij, Sekretari i Thesarit Amerikan, Steve Mnuchin i cili bëri një paralajmërim tjetër që nuk lidhet me qëllimin e forumit.

Sipas Mnuchin, të tjera tarifa priten të shtohen në të ardhmen për produktet që importohen në Amerikë.

BBC, përshtati LAPSI.AL

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

94.14

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI