Ekranet dixhitale që Rama u ofroi naftëtarëve të Ballshit, ia bënë më të lehtë t’i shpëtojë përgjegjësive për rrënimin e rafinerisë. Ndërsa punëtorët kishin përgatitur fjalime dhe kërkesa të renditura me shkrim, Rama mbajti vetëm një fjalim, që i la vetëm një alternativë: naftëtarët do dalin të papunë dhe duhet të nxitojnë të marrin statusin Të njëjtën thirrje ia kishte bërë Arben Ahmetaj disa ditë më parë.
Ligji ofron rroga deri në masën 80% për tre vjet, për naftëtarët që largohen nga puna. Kjo duket të jetë oferta e fundit e qeverisë.
Shpresës së naftëtarëve se rafineria mund të rivihet në punë, si Rama, si Gjiknuri, ashtu dhe Arben Ahmetaj i vunë para Rezart Taçin, biznesmenin që e privatizoi në 2008, duke harruar se çfarë ndodhi pas vitit 2013.
Rama e quajti “kriminal” privatizimin, duke hequr përgjegjësinë nga vetja për pjesën e krimit që u bë pas vitit 2013.
“Privatizimi i ARMO-s ishte kriminal, jo i gabuar apo i dështuar, por kriminal. Ne e kemi ngritur zërin, por nuk po i kthehem privatizimit për të lënë topin jashtë fushës tonë, por për të thënë se si pasojë e atij privatizimi kriminal të atyre, që sot thërrasin për të drejtat tuaja, “operacioni doli me sukses, por pacienti vdiq”, prandaj ne praktikisht morëm një të vdekur që duhej ringjallur.
Nga pikëpamja e pronarit, pronari i ARMO-s është banka, nuk është as shteti, as ai që e privatizoi, që ju e dini, nuk e dimë ku është. Është banka” u tha Rama naftëtarëve që e dëgjonin me shpresë nga përtej ekranit.
Që nga viti 2013, socialistët kishin të gjitha mundësitë ta ndalnin rrënimin e rafinerisë, por bënë të kundërtën. Përmes futjes së investitorëve klientë të qeverisë, socialistët u bënë pjesë e krimit duke lejuar shfrytëzimin e kompanisë dhe degradimin përmes borxheve kolosale.
Në vitin 2013 Engjëll Agaçi ishte anëtar i Këshillit Mbikqyrës të ARMO-s. Si përfaqësues i shtetit ai firmosi bilancin me 24 miliardë lekë humbje.
Qeveria socialiste qe në dijeni të detyrimeve të pashlyera të ARMO-s: 24 miliardë ndaj nënkontraktorëve dhe bankave, 10,3 miliardë ndaj furnitorëve, 4,3 miliardë ndaj shtetit dhe 8,9 miliardë ndaj palëve të tjera, për një borxh total prej 47,5 miliardë lek ose rreth 350 milionë euro.
Borxhi u rrit në vitin 2014 me rreth 25 milionë euro. Në vitin 2015 u shtuan edhe rreth 120 milionë euro borxh, duke e çuar totalin e borxhit të ARMO-s në pothuajse gjysëm miliardë euro.

Në verën e vitit 2016, kompania e regjistruar në offshore IRTC dhe amerikani Harry Sergeant III u prezantua nga socialistët si shpëtimtarët e ARMO-s. Por "investitori” i ri i prezantuar me bujë nga Arben Ahmetaj dhe Niko Peleshi vazhdoi të shtonte detyrimet e ARMO-s ndaj shtetit dhe borxhet vetëm u shtuan.
Ndërkohë, asetet e kompanisë në vitin 2016 i kaluan bankave për shkak të kredive të pashlyera.
Në nëntor të vitit 2016, vetë Edi Rama udhëtoi vetë drejt Ballshit për t’i mburrur investitorët e rinj, si "seriozë" dhe i premtoi naftëtarëve se do të merrnin rrogat e prapambetura dhe se rafineria do të rifillonte nga puna në cikël të plotë, siç duket në videon më poshtë:
https://www.youtube.com/watch?v=UeoGxmq_bTU&feature=youtu.be
Pikërisht për këto premtime, naftëtarët i kërkuan llogari kryeministrit, për rrogat e prapambetura dhe rifillimin e punës.
“Përshëndetje z. Kryeministër! Petref Skëndaj, nënkryetar I Sindikatës së Naftës. Kam nja dy pyetje për ju z.kryeministër. Pyetja e parë: A i përmbahesh atij premtimit që bëre gjatë fushatës për ciklin e mbyllur të naftës dhe premtimin që bëre para punonjësve të uzinës së Ballshit, për ciklin e mbyllur të naftës, që do të thotë: përpunimi, reciklimi në rafinerinë e Ballshit.
Pyetja e dytë: Ai përmbahesh z.Kryeministër atij premtimi që the: Këta punonjës në industrinë e Ballshit do t’u japim lekët e prapambetura, dhe i the atij pronarit, që në varr do t’i marrësh po pate shumë lekë…” ishte një nga ndërhyrjet e naftëtarëve.
Sigurisht që pyetjet nuk morën asnjë përgjigje.
Rama vërtet tha se i përmbahet të gjitha premtimeve, por kur nisi të flasë ai fajësoi Rezart Taçin, foli për të drejtën e pronës që kanë bankat dhe vështirësitë që kishte pasur në komunikimin me Bankers.
“Statusi, statusi është gati për ju! Nuk ishte dje. Eshtë sot. Jeni informuar nga ministri të plotësoni dokumentacionin. Jemi gati të ngremë një njësi për ngritjen e dokumentacionit” ishte thirrja e Ramës që realisht nuk tha asgjë më shumë se kaq.
Te ky opsion këmbëngulën edhe Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, duke lënë të kuptohet se nuk kanë asnjë ide se kur do të rifillojë nga puna rafineria e Ballshit.
Shpresa e fundit e naftëtarëve është shtetëzimi i kompanisë, por Rama ishte kategorik në këtë pikë. Shteti nuk do t’i hyjë këtij qorrsokaku.
“Skema alternative e shtetëzimit është një skemë që ne nuk është se e kemi përjashtuar, e kemi vënë në tavolinë, e kemi studiuar, nuk e kemi mbyllur si mundësi, por nga konsultimet me ekspertë ndërkombëtatrë dhe vendas nuk është se kemi një pamje të qartë dhe nuk duam të kalojmë nga një qorrsokak në një tjetër, aq më tepër që është një skemë me një kosto që nuk e marrim përsipër o miqtë e mi” tha kryeministri.
I paqartë u duk se ishte edhe për gjetjen e një investitori tjetër.
“Do bëjmë çmos në nxitjen e investitorëve të mundshëm që rafineria të vihet në punë. Problemet e sigurisë aty janë serioze. Duhet të investohet për sigurinë” ishin fjalët që dëshmojnë se kryeministri nuk ka asnjë ide se si do të shkojë me tej kjo histori.
I qartë Rama ishte vetëm në një pikë; tek meraku se mos naftëtarët dalin në protesta. Për këtë ka investuar edhe në zyrën tek Partia Socialiste, për këtë organizoi edhe video-interpelancën, për këtë edhe e ironizoi disa herë sakrificën e naftëtarëve që e marrin rrugën në këmbë nga Ballshi për në Tiranë. Përgjigjia që i dha shkurt njëri prej tyre, tregon se situata ka arritur aty ku nuk mban më.
Edi Rama: Mos vini e merrni rrugën në këmbë nga Fieri. Se për ça e merrni rrugën në këmbë, kur ne na keni në dispozicion, unë nuk e kuptoj!
Naftëtari: Jemi pa punë e pa bukë ore!
Edi Rama: E pra e, e di e di! Unë nuk ju ndaloj!
Naftëtari: Jemi pa bukë e pa punë, pse e merrni rrugën në këmbë thot...