Flash

Çmimit i ujit, ERRT konsideron fatura normale deri në 35 mijë lekë për Tiranën

Lapsi.al 11 January 2018
Çmimit i ujit, ERRT konsideron fatura normale deri në 35 mijë

Përmes një letre publike, Kreu i Entit Rregullator të Ujit Ndriçim Shani, tregoi se si u bind nga nisma e Erion Velisë për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Duke iu përgjigjur raportit të Autoritetit të Konkurencës që zbuloi pikat e dobëta të vendimit, Shani botoi një shkrim në të përditshmen Panorama. Sipas llogarive të Shanit, fatura e ujit do të ishte normale të shkonte deri në 3 mijë e 500 lekë për një familje.

“ERRU ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familjeje në Shqipëri, që llogaritet rreth 70,000 lekë/familje, që nënkupton një faturë të ujit e përballueshme deri 3,500 lekë/muaj/familje” shkruan ai.

Vendimi është i pakthyeshëm dhe Autoriteti i Konkurencës nuk ka fuqi ta rrëzojë, por letra e kreut të Entit Rregullator të Ujit vlen për të kuptuar se si u pranua rritja e çmimit nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe akoma më shumë për bizneset private.

Autoriteti i Konkurencës, vuri në dukje mungesën e transparencës në nismën për rritjen e çmimit. Sepse ne sot nuk e dimë se sa është kosto e ujit që paguajmë dhe se sa është fitimi i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve për një metër kub ujë.

Ne sot nuk e dimë orarin e ujit me të cilin furnizohen zonat e ndryshme të Tiranës dhe për më tepër, uji nuk është i pijshëm në pjesën më të madhe të qytetit.

Pa i ditur, ose pa i publikuar këto të dhëna, Enti Rregullator e miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit me gati 45%.

Autoriteti i Konkurencës raportoi se fitimet më të mëdha të ndërmarrjes së Ujësjellësit, nuk do të vijnë nga ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit, por nga rritja e çmimit.

"96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit" shkruhet në raport, kur flitet për fitimet e UKT.

Nga ky konstatim lind pyetja, përse Bashkia nuk priti, që rritja e çmimit të ujit të bëhej pas shkëputjes së lidhjeve të paligjshme dhe minimizimit të humbjeve në rrjet?

Edhe vetë Enti Rregullator ishte i ndërgjegjshëm për humbjet e shumta në rrjet, kur ktheu përgjigje pozitive për Veliajn, por sipas Ndriçim Shanit, planet e Bashkisë për përmirësimin e situatës ishin bindëse.

"Objektivat e përcaktuara ishin të shoqëruara me plane të veprimit për arritjen e tyre. Përmirësimi i treguesve të performancës është bazuar në uljen e humbjeve teknike me anë të investimeve dhe të humbjeve administrative (kryesisht lidhjet e paligjshme), që arrihen duke përmirësuar aspektet e menaxhimit të shoqërisë" shpjegon Shani.

Nga letra kuptohet se ERRU miratoi rritjen e çmimit të ujit, bazuar vetëm në premtimet e zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës. Ekspertët nuk patën në tryezë një Master-Plan për hapat që do të ndërmerren deri në realizimin e objektivit për furnizimin me ujë 24 orë.

“Në propozim parashikohej hartimi së shpejti i një Master-Plani për zonën e shërbimit të shoqërisë, i cili do të ndihmojë me detaje të mëtejshme për zbatimin në praktikë të planeve të veprimit për të realizuar objektivat e vendosura” tregoi Shani.

Pavarësisht mangësive, Enti Rregullator e quajti një “sfidë mjaft të rëndësishme” premtimin e Erion Veliajt për 24 orë ujë në ditë pas 5 vitesh. Entuziazmi për Veliajn shkon përtej pritshmërive kur premtohet edhe përmirësimi i cilësisë së ujit me këto fraza:

"Rritja e besimit të popullsisë në cilësinë e ujit për shkak të regjimit të furnizimit me ujë 24 orë në ditë do të ketë impakt në zvogëlimin e shpenzimeve për të blerë ujë të pijshëm në treg nga këto të fundit"

Besimi ndaj premtimeve të Bashkisë pa pasur në tryezë një plan, është dëshmi se rritja e çmimit të ujit ishte më shumë noterizimi i nismës së Erion Veliajt, sesa një vendim bazuar në shifra dhe projekte. Dhe pikërisht mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës do të bjerë kosto e dështimit apo merita për suksesin e kësaj nisme.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

93.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI