Me barrën e marrëveshjes së 18 Majit mbi supe dhe 6 muaj pas humbjes së zgjedhjeve, Lulzim Basha ka nisur turin e takimeve me demokratët, të cilët duhet t’i bindë të dalin përsëri në protesta. Simpatizantëve të Durrësit iu tha se ajo që kërkon kësaj radhe, është drejtësi.
“Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi sepse duam zgjedhje me drejtësi, jo blerje të pushtetit. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Sajmir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit” ka thënë Lulzim Basha.
Kapja e prokurorisë nga socialistët dhe shenjat se dosja Saimir Tahirit po shkon drejt mbylljes i ka dhënë një motiv të fortë për të protestuar.
Por gjasat janë që protesta nuk do të zhvillohet përballë prokurorisë së Krimeve të Rënda, aty ku zhvillohen hetimet për Tahirin dhe të tjerët. Sipas Bashës, e keqja vjen nga Edi Rama që zgjedhjet i fitoi me krimin.
“Nëse votën e merr me kriminelët, nuk ndjen detyrim me njerëzit e thjeshtë, kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja përse 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritës dhe të ujit. Kjo është arsyeja përse 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot nevojat minimale ushqimore. 39% nuk ngrohin dot shtëpitë. 70% e atyre që ikin janë nga mosha 19 deri 34 vjeç. Nuk e ka fare shqetësim. Shqetësim e ka, si t’i mbrojë kriminelët e vetë.”-u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i Durrësit, i kapur duke u kërkuar kriminelëve blerjen e votave në shpërblim të tenderave, është modeli i aleancës së Edi Ramës me krimin dhe se, bashkë me Ardian Çelën, do të kenë të njëjtin fund. “Destini i tyre është para drejtësisë”- u shpreh Basha.©Lapsi.al