Rënia e Drejtorit të Pwrgjithshëm të Policisë, Haki Çako e cila u përfol gjatë në media si një betejë midis kryeministrit Rama që përpiqej t’a mbronte dhe ministrit Xhafa që bënte çmos ta shkarkonte, mbaroi me sa duket me fitoren e këtij të fundit. Edhe sikur gjithë sa u tha apo u hamendësua për një fërkim të shefit të qeverisë me Ministrin e tij të Brendshëm, të mos jetë e vërtetë, një fakt tjetër që nuk e luan as topi, tashmë është i sigurtë: Fatmir Xhafa është njeriu më i fuqishëm në qeverinë Rama dhe ka mundur të akumulojë aq shumë kompetenca dhe kontrollon aq fije pushteti, sa askush nuk ka qënë ndonjëherë kaq i fortë brenda qeverisë socialiste në pesë vitet e fundit.
Po si ndodhi, që në më pak se një vit, ky ish zyrtar model i kohës së komunizmit, të krijonte një individualitet dhe profil të vetin, gjë që është pothuajse e pamundur nën hyqmin e një shefi si Edi Rama?
Kjo pyetje bëhet edhe më e mprehtë po të mendos,h se në më pak se një vit më parë Fatmir Xhafa ishte njeriu më i anatemuar nga opozita dhe media. Në pranverën e shkuar, kur çadra e opozitës ishte në kulmin e saj, kur ministri i “sukseseve” të policisë, Saimir Tahiri sapo ishte shkarkuar, hipoteza se ai mund t’a pasonte në krye të Ministrisë së Brendshme, ngjalli një stuhi të vërtetë.
Fatmir Xhafës iu kujtuan njëra pas tjetrës, fotografia e tij me Enver Hoxhën, dëshmitë e atyre që pretendonin se i kishte torturuar si hetues i kohës së komunizmit dhe arrestimi i të vëllait të tij në Itali, në një aferë trafikimi droge. E gjithë kjo valë e menjëhershme akuzash, u ndez me një qëllim të vetëm: të mos lejohej dekretimi i tij nga ish presidenti Nishani. Një lëvizje e tillë do e shtonte edhe më kaosin e qeverisjes, që e kishte opozitën poshtë zyrave, ndërsa krizës politike do t’i shtonte edhe atë institucionale.
PD-ja dha sinjale të qarta se kreu i shtetit me një akt të paprecedentë do ta rrëzonte Fatmir Xhafën. Edhe njerëz shumë pranë kabinetit presidencial e konfirmuan këtë hipotezë.
Por, në momentet e fundit, ndodhi një kthesë e papritur: Bujar Nishani doli para mediave dhe ndryshe nga sa ishte përgatitur shumëkush, tha vetëm se ai nuk ishte dakord moralisht me këtë emërim, por se ai nuk kishte fuqi ligjore për ta penguar atë.

Ç’kishte ndodhur? Ç’kulisa kishin lëvizur? Pse edhe PD-ja u zmbraps dhe nuk ngriti më zërin për këtë kthesë të papritur të presidentit shumë pranë saj?
Në korridoret e politikës filloi të gëlonte ideja se një forcë madhore kishte aranxhuar gjithçka, në mënyrë që njeriut që ndërkombëtarët i kishin besuar pjesën shqiptare të reformës në drejtësi, tani t’i lejohej edhe spastrimi i radhëve të policisë së kanabizuar kokë e këmbë. Ata që i kishin lënë Ramës në tryezë dosjen Tahiri, kishin influencuar në njëfarë mënyre edhe për përzgjedhjen e pasardhësit të tij.
Konfirmimi i kësaj hipoteze nuk vonoi. Me të marrë detyrën, Fatmir Xhafa filloi të presë një e nga një kokat e të dyshuarve si besnikë të Tahirit. Madje ai shkoi edhe më larg. Në intervistën e parë në Top Story me Sokol Ballën ai lëshoi bombën: Për gjendjen e kanabisit, policia ose ishte treguar e paaftë, ose ishte vetë e implikuar.
Sot, kur gjërat kanë dalë në shesh, kur përgjimet italiane janë zbardhur, kjo mund të duket një deklaratë e mefshtë. Por e vendosur në kohën kur u bë, në përiudhën kur ende Edi Rama pretendonte se kanabizimi i vendit ishte një shpikje e makinerisë së baltës së opozitës dhe e mediave të kazanit, ajo merr krejt një kuptim tjetër.
Ashtu sikurse tregoi për Lapsi.al, për llogari të këtij shkrimi, një anëtar i kryesisë të PS, beteja "Xhafa kundër paraardhësit", u zhvillua edhe pas dyerve të mbyllura të selisë rozë. “Në një nga mbledhjet, Sajmiri u ngrit dhe kritikoi pa emër ministrin e ri duke thënë se vala e shkarkimeve hidhte baltë mbi policinë dhe imazhin e saj prej katër vitesh, se ajo i jepte të drejtë propogandës së opozitës në prag të zgjedhjeve. Por, Rama ia preu shkurt duke i thënë se siç nuk i kishte ndërhyrë atij, nuk kishte ndërmend t’i ndërhynte as Xhafës në zgjedhjet që bënte” tha burimi i Lapsi.al.
Nëse ky pohim është i vërtetë, kjo ka qenë një pikë kthese në politikat e qeverisë së Rilindjes. Kryeministri ka vendosur nën presionin ndërkombëtar të shtuar dhe pas trysnisë së opozitës, të braktiste linjën Tahiri që e kishte mbështetur me vullnet të plotë dhe të përqafonte me pahir linjën Xhafa, që iu imponua për t’i shpëtuar skandaleve që do të shpërthenin më vonë.
Ndoshta aq fort ia kërkuan Ramës garancinw për këtë, saqë edhe kur Xhafa u largua përkohësisht në qeverinë teknike, ai deklaroi se në kabinetin e ri do t’a rikthente në këtë post.
Nëse ka një indikator të fortë të lëvizjeve të pushtetit, ata janë biznesmenët që përfitojnë tendera shtetërorë. Një prej tyre tha për Lapsi.al: “Ne na ishte bërë e qartë se Fatmiri do të rikthehej si ministër dhe se ne duhet të ruanim marrëveshjet gojore që kishim me të”.
Pa asnjë surprizë kështu ndodhi. Në kabinetin Rama 2, Xhafaj u konfirmua në krye të uniformave blu.
Por, këtë herë pozita e tij nuk qe ajo e çupulinave, që Rama promovon në kabinet si admiruese të marrosura prej sharmit të liderit. Ajo qe me peshë dhe deri diku e imponuar.
Këtë shtim fuqie e theksuan edhe disa rrethana politike. Së pari, pretendimi i Ramës për t’a mbajtur i vetëm tepsinë, i imponoi atij krijimin e një kohezioni brenda socialistëve dhe shtrirjen e dorës ndaj PS-së tradicionale. Majko u bë ministër. Gramoz Ruçi (foto poshte), mori për herë të parë pas çerek shekulli, një post shtetëror, dhe jo pak por detyrën e dytë në hierarki, atë të kreut të kuvendit. Dhe një aleat i fortë e besnik , Fatmir Xhafa ndihej me krahë më të ngrohtë si Ministër i Brendshwm.

Fuqia e tij shtohej edhe nga roli i madh, për disa gati gati makiavelik, që ai ka pasur në hartimin e ligjeve të reformës në drejtësi, ku është parashikuar që në postet kyçe të përfundojnë njerëz shumë të besuar të Fatmir Xhafës, për të cilët kriteret e përzgjedhjes janë qepur si një kostum “sur mesure”.
Po të shikohet fotoja poshtë e shkëputur nga mbledhja e Asamblesë së fundit të PS, vërehet shumë qartë se nga i marrin direktivat njerzit më të rëndësishëm politikë të drejtësisë, ministrja Gjonaj, kreu i komisionit të ligjeve, Manja dhe anëtarja Vasilika Hysi.

Dhe po t’i shtohet përbashikimit të frikshëm të kontrollit të njëkohësishëm mbi policinë dhe drejtësinë, fakti që udhëheqësi i betejës së Vettingut për gjykatësit dhe prokurorët dhe që ka premtuar edhe të njëjtën gjë për uniformat blu, tani ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, e bën Fatmir Xhafën një pol të rëndësishëm pushteti në qeverinë Rama.
Ai qe i pari që foli me Donald Lu-në dhe Vlahutinin (foto poshte), menjëherë sapo u bë publike dosja e Tahirit, ai qe ministri që u ekspozua më shumë, kur Tiranën e vizituan homologu Italian Minitti dhe ai francez Collomb, ai është parë nga shumëkush si garancia që ndërkombëtarët që ndjekin çështjet e Shqipërisë, kanë imponuar në qeverinë e re, për të markuar sa më shumë një Edi Ramë që rezulton gjithnjë e më i pakontrollueshëm në sytë e tyre.

Edhe në imazhin publik Fatmir Xhafa ka rikuperuar jo pak. Ai ka mundur t’i neutralizojë disi, akuzat e opozitës si vëllai i një trafikanti, si besniku i shokut Enver dhe si një hetues abuziv i kohës së regjimit të shkuar. Përballë kësaj klisheje ai ka mundur të mbivendosë imazhin e atij që po zhbën bandat kanabiste të Tahirit në polici.
“Unë edhe për shkak të sw shkuarës sime si i burgosur nuk i duroj dot ish- zyrtarët e regjimit të vjetër, por kur krahasoj Xhafën me këta banditët e rinj, cinikë dhe arrogantë të Rilindjes, them se ata janë më të pranueshëm” tha për këtë shkrim të Lapsi.al, një analist i njohur i cili kishte mëtuar të zgjidhte një problem personal edhe me policinë bashkiake edhe me atë shtetërore dhe kishte kontaktuar për të njëjtën gjë Erion Velinë edhe Fatmir Xhafën. “Nuk ka krahasim, as midis sjelljes, as midis sensit të shtetit mes të dyve” pohoi ai.
Po ky Fatmir Xhafë, i rikuperuar në krahasim me një vit më parë në imazhin publik, i fuqizuar sa askush më parë mes ministrave që Edi Rama ka pasur, përse do ta përdorë pushtetin e tij të pamatë?
Ata që deri dje e anatemuan dhe u përpoqën ta pengonin shpresojnë që ai të bëhet kamikazi që do të hajë kokën e shefit të vet. Por kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë. Më e mundshme është, që me gjithë fijet e pushtetit që ka akumuluar, me mbështetjet e brendshme dhe të jashtme që ka ditur të thurë, kjo dhelpër e vjetër e politikës, të krijojë një pol të panënshtrueshëm ndaj Ramës brenda qeverisë. Me influencën që ka njëkohësisht mbi drejtësinë dhe policinë (e forcuar së tepërmi edhe nga emërimi i drejtorit të ri) Fatmir Xhafa po kryen ndoshta misionin për të cilin ishte piketuar: atë të diplomatëve dritëshkurtër të Tiranës, që duan të zgjasin jetëgjatësisinë e Edi Ramës duke këputur lidhjet gati instiktive që ai ka dhe vendos me botën e krimit.
Ndoshta për këtë është katapultuar në qeverisje ministri më i pushtetshëm që Edi Rama nuk do donte t’a kishte.
©Lapsi.al