Në vazhdën e polemikës për votimin e Shqipërisë në OKB, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati doli sot në TV Klan për të shigjetuar Presidentin e Republikës. Ai me një ton ironik e akuzoi kreun e shtetit duke thënë se as ai as ata që e quajnë votimin e Tiranës si një votim anti-amerikan nuk e kanë lexuar rezolutën që u votua të enjten me 128 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Duke mos u mjaftuar me këtë Bushati shtoi se në rezolutë nuk ka snjë paragraf as për SHBA-në as për presidentin Trump.
Në fakt, ministri i Jashtëm bllofon keqaz. Për të parë se si Lapsi.al, bëri gjënë më të thjeshtë në botë, u fut në faqen e OKB-së dhe shkarkoi tekstin e plotë të rezolutës. Ashtu sikurse thotë Ditmir Bushati, aty nuk gjendet as fjala SHBA, as përmendja e emrit të presidentit të këtij vendi.
Por, ama loja me fjalët, pas të cilave shefi i diplomacisë shqiptare fshihet, përfundon këtu. Po të lexohet rezoluta referencat janë të qarta.
Në 6 dhjetor Amerika njohu qytetin e shenjtë të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe vendosi t’a zhvendosë ambasadën e saj nga Telavivi në Jeruzalem. Rezoluta dënon pikërisht këtë akt. Ajo e quan atë “nul”, “pa asnjë efekt juridik” dhe i kërkon çdo vendi që mos e zhvendosë ambasadën e tij në qytetin e shenjtë. Pra fryma e saj është krejtësisht kundër aktit të presidentit Trump. Ajo vazhdon me një gjuhë edhe më të fortë duke e konsideruar veprimin e SHBA si një tendencë negative që “do të vinte në rrezik zgjidhjen për ekzistencën e dy shteteve”. Që në pjesën e saj të parë rezoluta shpreh keqardhjen për veprimin e Donald Trump në 6 dhjetor.
Pra loja e fjalëve e ministrit Bushati se aty nuk përmendet as Amerika as Trump është thjesht një fshehje pas gishti.
Këtë gjë përpos këtyre pasazheve që Lapsi.al përmendi më sipër, e demonstron edhe fakti se SHBA vendosi veton kur kjo nismë u paraqit në Këshillin e Sigurimit. Këtë gjë e përforcojnë edhe kërcënimet për prerje fondesh që bëri personalisht Presidenti Trump para votimit, apo shantazhi i ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley e cila tha se vendi i saj do t’i mbante shënim shtetet që votonin pro rezolutës. Pra shkurt dhe shqip, kur shteti Amerikan e sheh atë si një rezolutë kundër tij, interpretimi i Ditmir Bushatit bëhet i pavlefshëm.
Nëse ashtu sikurse mendojnë shumë zëra publikë, qeveria shqiptare veproi drejt duke mbajtur në OKB, një qëndrim koherent dhe që i bën nder vendit, ajo nuk ka pse fshihet tani më pas justifikimesh të tilla pa thelb. Shqipëria ka votuar kundër Amerikës dhe ka bërë mirë dhe për këtë nuk ka nevojë justifikimi se kritikët nuk e kanë lexuar rezolutën. Por edhe për ndonjë që ka mbetur pa e lexuar tekstin e plotë për të cilin Tirana votoi përkrah 127 vendeve të tjera, Lapsi.al po e sjell atë të plotë këtu poshtë.
©Lapsi.al
