Një lajm tragjik është shpërndarë rrufeshëm mëngjesin e sotëm mes gazetarëve. Në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë gazetarja e njohur e medias rozë Adela Xhamani. Gazetarja ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak rreth orës 4:00 të mëngjesit. Në momentin e ngjarjes ajo ndodhej në banesën e saj. Edhe pse 2 mikesh kanë njoftuar ambulancën, përpjekjet për ta sjellë në jetë kanë rezultuar pa sukses. Adela ka lindur në qytetin e Kavajës, ndërsa në vitet e para të karrierës së saj ka qenë mësuese letërsie në qytet. Më pas ka qenë pjesë e ‘’Big Brother Albania 2” ku ka pasur mjaft sukses në atë kohë. Më pas ka qenë kryeredaktore e suplementit ‘’Bluetooth” në ‘’Gazetën Shqiptare”, si dhe kryeredaktore e Revistës ‘’Who”. Kohët e fundit ishte bërë pjesë e televizonit FaxNews.