Të turpshme e ka konsideruar i gjithë komuniteti i gazetarëve sulmin që kryeministri Edi Rama u bëri reporterëve të terrenit përpara sallës së Kuvendit.
“Është e turpshme që një kryeministër te dale qëllimisht, sic e pranoi edhe vete, per te ofenduar dhe denigruar gazetaret. Ne sa kishim ne dore e beme, hoqem mikrofonat. Tani te reagojne drejtoret, pronaret dhe shoqatat e gazetareve.” - shkruan Indrit Maraku i ABC News.
“E turpëruar që kryeministri më detyroi t’i heq mikrofonin dhe t’ia lë fjalën në mes!” – shkruan Esiona Konomi e Report Tv.
Pas valës së reagimeve në rrjetet sociale gjatë, dhe jo vetëm gjatë gjithë ditës, në mbrëmje ka reaguar sërish kreu i qeverisë.
“Po pse qenkan ofenduar gazetarët nga unë? Sipas tyre po edhe sipas të tjerësh, në kazanin mediatik e në atë politik, i paskam fyer sot pas seancës së Kuvendit! Fare! Nuk kam fyer askënd. Thjesht kam dhënë opinionin tim, për çka ata kanë bërë, gjatë gjithë këtyre ditëve duke e dizinformuar publikun, lidhur me qëndrimet e mia dhe të Partisë Socialiste!” – e nis Rama.
Kreu i qeverisë përpiqet të sqarojë se “nuk gjë personale me gazetarët, por lirinë e pushtetit të medias që – sipas Ramës” – po e përdorin si armë.
“Por as ata - dhe këtu nuk flas, siç nuk fola as sot thjesht për gazetarët e terrenit, po e kisha dhe kam me të gjithë ata që lirinë e pushtetit të medias janë mësuar ta përdorin si armë, për të “vrarë e prerë”, pa teklif e as karar - dhe as kushdo tjetër, nuk më ndalon dot mua të shpreh opinionin tim; qoftë për turpin që i mbetet kujtdo që e shtrembëron, shkel apo shkatërron të vërtetën nga pozitat e gazetarit, duke më vënë në gojë gjëra që s’i kam thënë dhe jo vetëm; qoftë për paditurinë që shfaqet brutalisht nga mëngjesi deri në darkë, si liri dhe e drejtë për të dhunuar lirinë e të drejtat e tjetrit, në emër të profesionit (kur je gazetar je ëngjëll, kur je politikan je djall dhe o burra bjeri t’i biem); qoftë për transformimin e urës së komunikimit mes politikës e publikut, në një grykë thashethemnaje frenetike, ku nuk e merr vesh i pari të dytin!”- shkruan ndër të tjera Rama (me një fjali mjaft të gjatë të zorshme për ta lexuar me një frymë).
Rama e mbyll duke folur për veten duke cituar se “ai vetë” në këtë rast u tha gazetarëve në mexhlis (red. turqisht: publik) se çfarë mendon për punën që gazetarët kanë bërë tërë këtë javë, në raport me qëndrimet e tij dhe të Partisë Socialiste duke marrë rolin e një kryeredaktori në një redaksi lajmesh që bën bilancin javor të punës.©LAPSI.al