Flash

FOTO/ “Dopolavoro”, ana tjetër e fashizmit shqiptar

Lapsi.al 11 July 2017
FOTO/ “Dopolavoro”, ana tjetër e fashizmit shqiptar

Argëtimi apo kalimi i organizuar i kohës së lirë, që njihej me emërtimin DOPOLAVORO (Paspuna), përkrah “Djelmënisë së Liktorit”, “Fashove Femnore” e “Grupeve të Fashistëve Universitarë”, ishte përcaktuar në statusin e Partisë Fashiste Shqiptare, si pjesë e organizatave që vareshin prej saj.

Një nga ndërtesat më potente e simbolike që u ngritën për t’i shërbyer këtij qëllimi, ishte dhe ndërtesa e DOPOLAVORO-s, ( sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, ndërsa ndërtesa të tjera me përmasa më të vogla nisën të shiheshin në atë kohë ngado nëpër Shqipëri.

Nëse flet me dëshmitarët e paktë të mbetur të asaj kohe, apo nëse konsultohesh me materialet arkivore e fotot e kohës, duket se DOPOLAVORO ishte bërë tashmë shumë e njohur në radhët e rinisë shqiptare. Përtej propagandës ajo shërbente edhe si një mundësi e madhe emancipuese në një vend ku prapambetja vijonte të ishte një problem madhor për pushtetin e radhës.

Në këtë kuadër, na shfaqet edhe kjo foto marrë nga Arkiva e Institutit LUCE, që shfaq shumë qartë përveçse anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare dhe “kolegëve” të tyre italianë, edhe eksponentë të Wehrmacht-it gjerman pas një vizite që ata kryen në Tiranë në shtator 1940, duke pozuar në hyrjen e njërës prej qendrave, ( Duka e Abrucos) apo Selisë së Përkohshme të DOPOLAVORO-s në Rrugën “F. Jacomoni” në Tiranë, ku shihet gjithashtu qartë edhe afishimi i organit zyrtar të shtypit të Partisë Fashiste Shqiptare, “Lajme nga Tirana” që botohej në italisht dhe në shqip.

Fotoja tjetër është marrë nga koleksioni i të dërguarit të Rajhut në Tiranë, Erich von Luckwald, thuajse një vit më pas, kur ndërtimi i selisë qendrore të DOPOLAVORO-s, tashmë kishte marrë udhë.

Në veprimtaritë e vatrave apo shtëpive të kulturës, që mbinë më pas në epokën komuniste në Shqipëri, nga DOPOLAVORO-t kishte aplikim të elementëve të ngjashëm në aspektin propagandistik e organizativ, por sigurisht se në shumë aspekte të tjera, nuk donin, nuk mundëm dhe nuk ia dolën të kapnin dot nivelin e atyre, të cilat brenda një harku kohor shumë të shkurtër, ishin bërë tashmë shumë të famshme në mbarë Shqipërinë për mundësitë dhe atmosferën që ofronin./ Nga Armand PLAKA

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

92.00

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI