Në vitin 2015, kur kërkonte votën për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj jepte këtë argument për t’i bindur qytetarët se ai nuk do të firmoste më leje ndërtimi në Tiranën që po i merrej fryma nga betoni.
“E di ku është garancia, meqë doni garanci? Tirana ka sot 8 mijë apartamente të pashitura. Kjo do të thotë se, për sa kohë këtu ka apartamente që rrinë bosh, nuk ka më sens që të vazhdojmë të japim leje ndërtimi”.
Këtë deklaratë e gjeni me zë dhe figurë në videon e mëposhtme këtu në faqen e lapsi.al.
Dy vjet më pasi u mori votat qytetarëve të Tiranës me premtimin "zero ndërtime", Veliaj ka dhënë numrin rekord të lejeve të ndërtimit. Madje ka lejuar të ndërtohet edhe mbi parqe.
Sipas INSTAT, lejet janë rritur me 138 %. Nga janari 2016 deri prill 2017 janë dhënë plot 149 leje për pallate ndersa deri me sot ne fund te 2020 ka dhene mbi 3 milione metra katrore leje.
Çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë?
Erion Veliaj, për të justifikuar betonin që po hidhet në çdo cep të Tiranës, e ktheu përmbys të gjithë argumentin e dhënë në 2015. Ai tha se në Tiranë janë shitur të 8 mijë apartamentet e reja dhe për pasojë kryeqyteti ka nevojë për pallate të tjerë. (shih videon në minutën 50:00)
Por a janë shitur me të vërtetë në 2 vjet 8 mijë apartamente të reja në Tiranë?
Në maj të vitit 2016, shoqata e ndërtuesve të Shqipërisë fliste thuajse në të njëjtat shifra si Veliaj në vitin 2015. Drejtues të saj deklaronin mbi 10 mijë apartamente të pashitura, pjesa më e madhe në zonat periferike të Tiranës (shih videon më poshtë në faqen e lapsi.al)
Po t’u referohemi deklaratave të fundit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, rezulton se 8 mijë apartamente janë shitur vetëm në një vit në kryeqytet.
Vlen për t’u theksuar se shifra e apartamenteve të pashitur nuk ndryshon thuajse prej vitit 2012.
Shoqata e Ndërtuesve nuk i ka ndryshuar të dhënat nga viti i fundit kur reklamonte krizën e shitjeve në sektorin e ndërtimit. Ajo vazhdon të mbrojë të njëjtat shifra.
Bashkia e Tiranës, gjithashtu, ka të njëjtin numër të pastrehësh ndër vite. Programin e kredive të buta, që u mundëson të pastrehëve që kanë një punë, të blejnë një shtëpi, ajo e nisi në muajin maj. Nga ky program pritet të përfitojnë 1 mijë çifte të reja.
Vitin e kaluar asnjë familje nuk u mbështet nga këto kredi. Me të fituar bashkinë, Erion Veliaj e bllokoi programin, me argumentin se me këtë projekt social ishte abuzuar nga administrata e Lulzim Bashës.
Atëherë, kush i bleu 8 mijë apartamentet që Veliaj thotë se u shitën në një vit? A ka vërtet 8 mijë të pastrehë më pak Tirana sot?
A ka vërtet mungesë apartamentesh sot në Tiranë, siç deklaron Veliaj kur i duhet të mbrojë 149 lejet e pallateve të dhëna në një vit?
A ka realisht Tirana nevojë sot për pallate të reja, shumëkatëshe si ato që lejon Veliaj, apo kryetari i Bashkisë po gënjen publikisht njësoj si dy vjet më parë kur tha se nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, ndërkohë që sot me firmën e tij po shkatërron dhe ato të paktë parqe që i lanë kryeqendrës shefi i tij, Edi Rama dhe paraardhësi në këtë detyrë, Lulzim Basha. /Lapsi.al