Flash

Një fitore urbane dhe estetike e Edi Ramës

Lapsi.al 30 June 2017
Një fitore urbane dhe estetike e Edi Ramës

1.

Shqipëria duket më bukur se ç'dukej para katër vjetësh.

Me kaq do të mjaftonte për të bërë, në formë anekdotale, pra pa ndonjë studim të duhur empirik apo debat ideologjik, një interpretim të thjeshtë e të dyfishtë të psesë së fitores së Edi Ramës e të Partisë Socialiste në zgjedhjet e Shqipërisë.

Së pari, Edi Rama, si artist pamor, e ka të natyrshme detyrën e transformimit estetik të vendit. Transformimi estetik i Tiranës qe projekt i suksesshëm për Edi Ramën si kryebashkiak dhe ai këtë transformim e riemërtoi Rilindje urbane në makroprojektin e ri. Sheshe e pedonale, çerdhe dhe kënde lojërash për fëmijë, pazare të rinovuara, shëtitore me emra italian (Lungomare) që duhet të tregojnë ngjashmërinë, në mos dëshirën imituese - që të gjitha e bëjnë Shqipërinë më të bukur. Dhe, më urbane.

Kjo puna e urbanizimit është elementi i dytë interpretues i fitores. Të bërit Shqipërinë më urbane prek tek nervi i votuesit të vitit 2017, sepse Shqipëria është urbanizuar, nga aspekti i transformimit demografik. Në çerekshekullin e kaluar është zhvilluar një dyndje e madhe jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe brenda saj. Popullsia e Shqipërisë ka lëvizur nga lindja e vendit në Perëndim, nga lartësitë për në bregdet, nga fshatrat në qytete. Shqipëria e sotme është jeta në qytete, prej Shkodrës në Sarandë. Dhe, në këto qytete jeton një shumicë dërrmuese të rinjsh, të lindur pas rënies së komunizmit, që komunikojnë me Facebook - sikur bashkëmoshatarët e tyre urban në Evropë.

Edi Rama, një simbol urban, që do të ishte për një dozë ekcentrik kudo në Evropë u pa si model i dëshiruar, dhe i nevojshëm në ekcentrizmin e tij për një gjeneratë tashmë të urbanizuar shqiptare. Për votuesin e ri, Edi Rama i Facebookut është i kuptueshëm, flet dhe duket si ai.

2.

Shqipëria më e bukur nuk është as fasadë e as "fshat Potemkin", i bërë prej kartuçit që do të bjerë me shiun dhe erën, apo kur ta kalojnë mysafirët e huaj, kur pastaj del zbuluar shteti i korruptuar, i padrejtë, i kriminalizuar. Shqipëria më e bukur është këtu për të mbetur dhe për t'u zhvilluar më tutje.

Për më tepër, është një Shqipëri që ka emër më të mirë në Evropë se ç'kishte para katër vjetësh. Ashtu si në transformimin urban, qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një identifikim të natyrshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Ekziston sot identifikim më i fortë i natyrshmërisë së shqiptarit evropian tek drejtuesit e vendeve të mëdha të BE-së, dhe kjo nuk është punë e vogël.

Por ndonëse nuk është "fshat Potemkin" nuk do të thotë se Shqipëria e këtyre katër vjetëve është vetëm më e bukur, më urbane, më evropiane. Ajo është edhe më e padrejtë, edhe më e korruptuar dhe më e kriminalizuar. Që të dyja këto shkojnë së bashku për një arsye të thjeshtë: është rritur vëllimi i parasë dhe në formë eksponenciale edhe gara e rishpërndarjes së saj. Oligarkët në Shqipëri janë më të fortë se ç'ishin para katër vjetësh edhe prodhuesit dhe shpërndarësit e drogave po ashtu. Institucionet e shtetit, ndërkaq, nuk kanë përcjellë këtë rritje; rendi dhe ligji kanë ecur shumë më pak se ç'kanë pasur kapacitet oligarkët apo industria e kanabisit.

3.

Shqipëria urbane dhe evropiane nuk mund ta fshehë atë të korruptuar e të kriminalizuar. Që të dyja bashkëjetojnë.

Këtë e shoh nga ballkoni im në fshatin Qerret. Aty ku deri vjet loznin fëmijët e fshatit, në fusha futbolli e basketbolli, njëri prej oligarkëve të rinj ,"nouveau riche" me të meta të dukshme urbanizimi, arriti të ndërtojë një vilë të bukur. Në ditët e fundit të Qeverisë së Sali Berishës arriti të gjoja blejë një tokë që nuk ishte në shitje, ta transferojë në emër të tijin dhe gjatë Qeverisë së Edi Ramës të marrë lejet e nevojshme ndërtimi. Tërë këtë operacion arriti ta bëjë në - të përdorim shprehje të artit figurativ - surrealizëm, me një leje që mbante një datë, ndërsa ligji me të cilin do të arsyetonte lejen do të miratohej pas dy vjetësh. Qe një lloj aventure futuriste, e mirë për Salvador Dali-në, e keqe për qeverisjen e Edi Ramës. Vetë kryeministri, kur u problematizua kjo punë në Gjykatë deklaroi se të gjitha ishin në rregull nga ana ligjore.

Ky ilustrim i vogël (dhe në dukje banal) tregon për një dimension të sfidave që e presin Edi Ramën. Pas këtyre zgjedhjeve, është më i fuqishëm se ç'ishte. Favoret që mund t'ju bëjë oligarkëve mund të jenë edhe më të mëdha: gjithnjë do të gjendet një plazh i virgjër, një koncesion transporti a shëndetësie, një punë e madhe infrastrukturore. Dhe, në Shqipërinë e institucioneve të dobëta, fjala e Edi Ramës do të ketë më shumë peshë; në gjyqet e Shqipërisë gjithnjë do të gjendet një jurist që do të nënshkruajë leje ndërtimi a kontratë në bazë të ligjeve që do të miratohen në vitin 2030.

4.

Çështja është se a është kjo Shqipëria që dëshiron ta paraqesë Edi Rama? Dhe pyetjen po e personalizoj, sepse suksesi i Shqipërisë në masë të madhe është i lidhur me invencionin e tij; tash edhe me credo-n, me bindjen se çka dëshiron të lë trashëgimi. Siç dëshmohet në fshatin Qerret, oguri nuk është i mirë. Në momentin kur i bën favor një pronari mediash dhe kur për këtë favor mbështet shkeljet ligjore, ka prekur në dy sfida të rëndësishme të shtet-ndërtimit që e presin.

E para, mediat e lira. Edi Rama, me fuqinë e paprecedent që ka në politikë pas këtyre zgjedhjeve ka nevojë për media të lira, të pamanipulueshme nga pushteti i tij dhe favoret që u bën pronarëve. Korrupsioni i sotëm medial është pjesë e korrupsionit të përgjithshëm shoqëror. "Kazani", siç e ka quajtur, nuk i përket vetëm mediave - në të janë të zhytur të gjithë, përfshirë kryeministrin. Shqipëria demokratike ka nevojë për media të lira, ato që do ta transformojnë debatin e tanishëm të batutave e sharjeve në debat racional. Sot, kur është më i forti, Edi Rama ka nevojë të ndihmojë që të artikulohen zërat që nuk do të çirren, shajnë, fyejnë e ofendojnë, por që megjithatë do t'i thonë se gjërat mund të bëhen më mirë, se ndoshta po gabon. Apo se mund të gabojë.

E dyta, pavarësia e gjyqësorit. Në këtë mandat zëri i kryeministrit nuk mund të jetë më i fortë se ai i gjyqtarit. Në fund të këtij mandati, testi i pavarësisë së gjyqësorit është nëse një lëndë korrupsioni vendoset kundër një personi të profilit të lartë, të afërt me kryeministrin, e kryeministri nuk ndërhyn për ta penguar. "Vettingu" është me rëndësi: është mirë që gjyqësori të reflektojë një Shqipëri tjetër, urbane dhe evropiane. Por, po aq me rëndësi është sjellja e pushtetit ekzekutiv, madje, tash kur është më i forti.

5.

Dhe, mu sepse është në potencialin e vetë më të madh, Edi Rama në krye të ekzekutivit ka mundësi të ballafaqohet me sukses me sfidën më të madhe që ka Shqipëria, e që atë dhe Shqipërinë do ta nxirrnin prej "Kazanit". Sfida më e madhe për Edi Ramën, sot, është si ta përdorë votën e fuqishme për vendosjen e transformimit në binarë të pakthyeshëm. Kjo do të thotë, në praktikë, që të bëjë listën e gjërave që i konsideron si pjesë e një konsensusi shtetëror të nevojshëm për anëtarësim të Shqipërisë në BE (në shtetin e të drejtës, ekonominë, të drejtat sociale). Këto pika do t'i ofroheshin opozitës, në mënyrë që të jenë të përbashkëta, për më tepër, të udhëhequra nga opozita në procesin parlamentar.

Edi Rama ka katër vjet para vetes në të cilat mund të bëjë shumë transformime. Ndoshta transformimi më domethënës do të mundë të jetë ai prej politikanit të suksesshëm në burrë shteti.

Të këshilluara

Loja hipokrite për kreun e PD

Gara e sapohapur për kreun e PD-së po vë në dukje fallcitetin e palëve që janë në lojë. Më shumë sesa për interesin e qytetarëve, për mënyrën e të bërit opozitë...

11:41

Entusiazmi nuk i shkon Edi Ramës

Edi Rama u ngjit sot në sheshin që ideoi dhe ndërtoi vetë, duke patur në mendje një ditë pikërisht si kjo. Në atë shesh, (ku si kryetar bashkie fillimisht e më ...

18:19

Rama, fitorja e një skenografi

Vetëm një naiv beson se kjo fushatë, ose fushatat politike në përgjithësi të viteve të fundit, luftojnë me programin. Partitë kanë humbur vetëm në raste krizash...

16:27

Kujdes greminën Timonier!

Edi Rama e rrëmbeu i vetëm timonin. Këto zgjedhje që u bojkotuan nga ata që kanë braktisur me kohë Shqipërinë, nga ata që nuk patën besim tek një opozitë e kalb...

16:58

A duhet të votojmë sot

Në 27 vjet pluralizëm, shqiptarët nuk janë gjendur kurrë në një situatë si kjo e sotmja, ndërsa do t’u drejtohen kutive të votimit. Ata do të duhet të zgjedhin ...

21:32

Mos e votoni Edi Ramën!

Gjatë 12 muajve të fundit, sikurse gjatë gjithë jetës sime, mora anë të ndryshme politike, për zhvillime kudo në botë. Nga Filipinet - kundër Dutertes, deri në ...

12:51

Jepini Ramës një kapak kavanozi

Kush ka jetuar në vitet ‘80 në Tiranën e re, aty në zonën pranë Librit Universitar e ka të fiksuar në memorie, si një nga gjërat që nuk shlyen kollaj, një djalë...

13:58

Si do të votojnë delet këtë vit?

Kur jua ka prerë për herë të fundit rrugën një lopë? E kam fjalën, lopë me 2 këmbë, me pantallona ose fustan, vetëm ose në grup? Sado politikisht jo-korrekte mu...

06:32

Ç'fatkeqësi të kesh një lider budalla!

Ajo që i bën budallenjtë kaq të rrezikshëm, është se ju nuk mund t’i referoheni interesit të tyre vetiak, për të parashikuar ose shpjeguar veprimet që bëjnë. ...

12:40

Rama një klloun i parritur

Kur Edi Rama doli fillimisht në fushatë, i veshur me atlete dhe tuta sportive shumëkush e mori këtë si kapriçon e një fëmije që përplas këmbët në dysheme pasi n...

11:21

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI