Flash

Po unë jam shok, tani edhe votues i Blushit

Lapsi.al 14 June 2017
Po unë jam shok, tani edhe votues i Blushit

Një luzmë mediash që rendin pas Ramës e kanë radhitur Lapsi.al, mua personalisht dhe bashkëthemeluesin e kësaj faqeje, Armand Shkullakun mes shokëve të Blushit që e mbrojnë atë edhe në një “ditë të zeze” si ajo e fotos me Lul Berishën (faksimilet poshte).

Fatëkeqësia e këtij lajmi që njësoj si ajo foto “scoop” u shpërnda nga zyra e shtypit të kryeministrit, është se ai përkon me të njëjtën mendësi që predikoi një ditë më parë Lulzim Basha. Pra edhe kryeministri edhe shefi i opozitës tani e kanë gjetur targetin që duan të godasin: Blushin dhe “shokët” e tij.

Vetëm ky përkim epitetesh dhe konceptesh që paralajmëron errësirën ku po na shpie koalicioni i madh, ku Rama do të vazhdojë me drogën, me koncesionet, me lejet e ndërtimit dhe me kriminelët e tij dhe Basha do të bëjë fresk me broçkullat e “Republikës së re”, flet qartë për vërtetësinë e përrallës së mbrojtjes së kreut të Libras për hir të miqësisë.

Por, për të qenë i vërtetë personalisht, unë dua të pranoj publikisht se: po, e kam mik Blushin. Kam ndarë me të një pjesë të madhe të arsimimit tim që në vitet e para të shkollës e deri në universitet. Kemi qenë së bashku në të njëjtën anije, tek gazeta Koha Jonë e viteve më të vështira dhe të errëta të regjimit të Berishës.

E kemi ruajtur miqësinë edhe më pas, megjithëse rrugët tona u ndanë dhe ai e braktisi gazetarinë për t’iu dorëzuar politikës, pas vitit të tmerrshëm ’97.

Por, kjo miqësi gjithmonë e pandryshuar nuk na ka ndaluar asnjëherë të kemi shpesh divergjenca të thella dhe kundërshtime të paepura. Kemi qenë në llogore të ndryshme në vitet 2004-2005 kur ai ende militonte në qeverinë Nano që unë e konsideroja një fatkeqësi kombëtare. Jemi gjendur antagonistë kur ai punonte me mish e me shpirt për të zgjedhur Ramën në krye të PS-së. Ashtu siç i kemi ndejtur njëri tjetrit përballë (ende janë në arkiva emisionet “Opinion”) kur ai mbronte koalicionin e 1 prillit me LSI-në që unë e përjetoja më “zemërthyer” se i ndjeri DR Flori.

Po ashtu nuk kam asnjë kompleks të thëm se e kam mbështetur publikisht, me shkrime dhe qëndrime divorcin e tij të pakthyeshëm me pushtetin arrogant, kleptokarat dhe bandit të Rilindjes. Kam ndarë pak a shumë të njëjtat qëndrime për kritikat e paepura ndaj Ramës dhe si një besimtar i palodhur i shembjes së partive të vjetra, kam qenë edhe pro krijimit të Libras.

Por, asgjë nga këto, absolutisht asgjë, nuk më ka yshtur asnjëherë për të shtrembëruar faktet, për të bërë pazar me të vërtetën, ashtu siç më akuzojnë mediat e kontrolluara nga Rama: pra se në “scoopin” e fotos me Lulëzim Berishën, ne tek Lapsi.al, qenkemi sjellë si miq të Blushit dhe jo si gazetarë.

Dhe meqë mediat që Rama nuk i quan të kazanit e cekën këtë temë, dua t’i rikthehem edhe unë.

Jo si shok i Blushit, as vetëm si gazetar, por si qytetar i këtij vendi, unë e quaj një skandal atë që pushteti i ka organizuar dje në fushatë kreut të Libras. Sepse ai qe një kurth sipas modelit kur “hajduti thërret kapeni hajdutin”. Sepse ai qe një kopje e shëmtuar shqiptare e spin doctors-ave që e kanë mësuar zanatin përmes serialit “House of cards”.

Çfarë ndodhi dje në Durrës?

Ben Blushi kishte dalë në bulevardin kryesor të qytetit për fushatë. Ai qe aty për t’u përshëndetur me njerëzit pse jo dhe për t’u filmuar dhe fotografuar me ta. Kur në një moment, i’u afrua një njeri që mbante veshur një kostum sportiv të Italisë, njësoj si Edi Rama dhe i kërkoi një fotografi. Pasi pozuan i panjohuri e pyeti edhe se ku do t’a marrë foton. “Tek faqja e Libras në internet” i’u përgjigj Blushi (lexo shkrimin poshte).

Në fakt njeriu me syze të mëdha dhe me kostumin blu të azzurrëve, nuk kishte nevojë për të pritur që fotoja të dalë në faqen e Libras. Siç u pa në filmimet e publikuara më pas, ai nuk do të priste shfaqen zyrtare të saj. Sepse pak më poshtë ishin marrë masat që të ‘gjendet” një fotograf tjetër që tashmë e ka shkrepur aparatin. E njëjta foto brenda disa minutave u dërgua në Tiranë. Ajo menjëherë gjeti botimin në mediat që financohen nga zyra e shtypit të kryeministrit. Disa drejtues portalesh pohuan më vonë se, po nga kjo zyrë, janë kontaktuar dhe i kanë çuar linkun që duhej përhapur me shpejtësi.   

Por megjithëatë, problem nuk është përhapja, po organizimi i gjithë këtij “scoopi”.

Le ta zëmë se personi me rroba sporti, Lul Berisha pra, i njëjti që Blushi me anë të disa fjalimeve e kishte akuzuar se ishte liruar nga burgu me ndihmën e Ramës dhe Vangjush Dakos, shkoi të fotografohet “rastësisht” tek denoncuesi i tij. Le ta zëmë po të doni se kjo nuk paskësh qenë edhe kaq e rastësishme, dhe se ai ka planifikuar t’i ngrejë një kurth të vogël politikanit që e kishte përgojuar në parlament.

Megjithëse kjo nuk është e besueshme, megjithëse të fortët tanë nuk janë kaq të rafinuar, le ta marrim të mirëqenë për një moment këtë version.

Sërisht disa pyetje mbeten pezull.

Si u lidh në pak çaste ish i dënuari për pesë vrasje me zyrën e Ramës në Tiranë? Pse ajo u vu në punë për të shpërndarë “scoop-in”? Pse ende pa u kthyer Blushi në Tiranë, mediat e financuara nga kryeministri e publikuan atë?

Ata që “harrojnë” t’i bëjnë këto pyetje, sipas meje themelore, duan të fshehin kompleksin e tyre duke i’u vërsulur miqve të Blushit. Ata përpiqen t’i këkojnë kreut të Libras llogari duke pretenduar se ai duhet ta njihte patjetër atë që akuzon. Ata e marrin për të mirqenë që politikanët duhet të jenë të afërt me të fortët, edhe kur i përdorin edhe kur bëjnë teatër duke u shtirur sikur i sulmojnë.

Kjo lojë perverse ka një qëllim të qartë. Ajo kërkon t’i bëjë pis të gjithë njësoj, si ata që denoncojnë kriminelët, si ata që bashkëpunojnë me ta.

Por, në dritshkurtësinë e tyre, organizatorët e kësaj farse, nuk llogaritën një gjë. Duke dashur që ta kthejnë Blushin në viktimë, ata e bënë dëshmitar të lidhjes së tyre okulte. Ata e shndërruan foton që u bë për t'a denoncuar, në një fakt që tregon se kush është në komunikim të vazhdueshëm me Lul Berishën.  

Në këtë kuptim, ngjarja e Durrësit është një boomerang që ra mbi kokën e atyre që e organizuan. Ajo është dëshmia më e qartë se kush bashkëpunon me basifondet e botës së errët. Ajo jep alarmin se këta që janë në pushtet kanë degraduar deri në atë pikë, sa mos t’i përdorin më të fortët për “punë të nderuara” si kërcënimi i kundërshtarëve dhe vjedhja e votave, por edhe për interesat perfide të propagandës së tyre malinje.

Prandaj “scoop-e” si ky, sado të pisët qofshin, shërbejnë për të qartësuar më mirë këdo që do t’i drejtohet kutive të votimit në 25 qershor.

Prandaj ngjarje si kjo, janë dëshmi të gjalla për sejcilin që do të rreshtohet me krahun e kriminelëve, apo për kë do të jetë përkrah denoncuesve të tyre.

Ndodhi të tilla, ndikojnë tek çdokush që të bëjë një zgjedhje. Ato janë pika e tepërt që derdhin gotën.

Një efekt të tillë pati kjo histori edhe tek unë, duke u bërë shtysa që do të më çojë të dielën e fundit të qershorit (pas plot 17 viteve) drejt kutisë së votimit. Jo thjeshtë si “shok” i Blushit, po si dikush që kërkon t'a luftojë me sa mundet pushtetin e banditëve. (Lapsi.al)  

Të këshilluara

Luli po përtyp Big Mak-un

Kur çadra e PD-së u hap, kishte dy motive të forta që bëri që dhe njerëz jashtë politikës të futeshin në çadër e ta mbështesnin qoftë dhe nga jashtë: dy motive ...

12:25

Një tjetër Ramë në 26 qershor

Edi Rama po pranon miting më miting dhe me gojën plot të gjithë akuzat e kritikëve se shteti që premtoi katër vite më parë, degjeneroi në një bandë kleptokratës...

11:14

PD si një femër e përdorur nga Rama

Mes gjërave të pazakonta që po ndodhin në këtë fushatë, një fenomen i ri po bie gjithnjë e më shumë në sy. Për herë të parë ngjan sikur ka një flirtim në distan...

00:23

Një votë më shumë për Albin Kurtin

Albin Kurti ka vendosur të vërë kravatë. Ai ka hequr dorë nga jakat e bardha alla Aleksis Tsipras, që ishin kthyer në identifikuese të imazhit të tij. Por kjo d...

14:22

Hipokrizia e Ramës me Metën

Që nga lideri i gjatë e deri tek deputeti më i shkurtër i Rilindjes, të gjithë janë kapluar nga një shqetësim qesharak se me qëndrimet që po mban në fushatë, Il...

09:56

Gjobaxhiu Edi Rama

Spoti elektoral ku Edi Rama aktron në rolin e një gjobaxhiu ka ngjallur në mënyrë të padrejtë një mëri të madhe në publik. Demokratët akuzojnë për përdorimin e ...

14:49

Loja e pisët me LSI-në

Një sulm i pa precedent ka filluar pas marrëveshjes Rama - Basha kundër partisë së Ilir Metës. Sapo nënshkruan paktin okult, i cili nuk pati pikë transparence, ...

15:44

Luli nuk është fajtori i vetëm

Dështimi spektakolar i Lulzim Bashës për të përmbushur qoftë edhe një nga objektivat që premtoi në çadër, nuk është krejtësisht faji i tij. Nëse "Republika ...

06:27

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI