Kukësi – Skënderbeu ishte, siç pritej, një ndeshje plot tension. Ajo përcaktoi fituesin e kampionatit mes dy ekipeve që ishin në një garë të fortë prej fillimit të kampionatit.
Kukësi ka dominuar prej javësh, por ndeshja e ditës së djeshme nuk qe vetëm fundi i një gare. Aty kulmuan dyshimet që gëlojnë prej kohësh se Superliga është e trukuar, se ekipet favorizohen, se ndeshjet blihen e shiten nëpërmjet lojëtarësh apo gjyqtarësh.
Një bisedë mes menaxherit të futbollit Drini Çaushi dhe futbollistit të Partianit, Emiliano Vila, e publikuar në “Fiks Fare” 10 ditë më parë ishte prova më e pastër e asaj se çfarë po ndodh në kampionatin shqiptar.
Drini Çaushi i kërkonte Vilës që ta toleronte Kukësin, duke i premtuar favore në këmbim. Ai thotë se flet në emër të presidentit të Kukësit, i cili e mohoi më vonë përfshirjen. Kjo është një pjesë e bisedës.
Drini (menaxheri): Ishte ai menaxheri i Kuksit. Naimi. Ashtu. Ai tani i ka thënë atij të madhit, Drini (menaxheri) i njef ato, Drini (menaxheri) flet, muhabet me ato. Ai më çoi mua mesazh, edhe më çoi këtu te “IMO”, më mori vet i madhi pastaj.
Vila: Po.
Drini (menaxheri): Edhe më tha, Fol tha, boni, sa duan, a kupton, të na tolerojnë. Të na tolerojnë, jo të bëjnë gjëra që të duken, a më kupton, të na tolerojnë. Tani, shif vet, më thuj, edhe të veprojmë. Ti, këtë që do të them tani , nuk ta them për kundra peshë.
Vila: E marr vesh.
Drini (menaxheri)-Po thonë që 90% ti je i ik aty, ( Partizani) .A kupton vëllain? 90%. Ashtu. Ti do vish këtu, te Korfuzi, po ta thotë vëllai jot,se unë të du me shpirt Nuk du me mor lek. 2 lek me ty. Po ta pësëris edhe njëherë, shif ça çuni është Drini (menaxheri). Nuk po ta them për kundrapeshë, që ooo po të premtoj ty këtu ee , ti bo këtë. Ashtu, ti si anej, si knej ti do marësh. Më thuj, ça ti them, menoje njëherë, menoje po të duash e ma ço me mesazh.Drino thuj, kshu, këtu këtu. Thuj kaq, bën kaq. Më tha, aman tha ma boj këtë. Ai është çmend tani, ai do me dal patjetër kampion. A më kupton?
Vila: E marr vesh, e marr vesh.
Drini (menaxheri): Ashtu. Më tha, thuji atij mikut tat, nëqoftë se ka ndonjë njeri tjetër.A më kupton. Të hapin gojën, ça është me i dhonë, t’ja japim. Safeti tha. Kjo është muhabeti zemra.
Vila: Mirë do..
Drini (menaxheri): Dëgjo tashti, mos më jep përgjigje menjëherë, Sa më shpejt aq më mirë, menoje njëherë, edhe më thuj.
Vila: Mirë Drino mir në rregull.
Drini (menaxheri): Jam tamam apo s’jam tamam.
Vila: Ok, hajd do të marr unë pastaj prapë, do të marr unë kur të jem vetëm prap.
Drini (menaxheri): Ashtu të marrsha të ligat.
Vila: Mirë lali.
Drini (menaxheri): Mirë, shif situatën vet, ai nuk tha jo të bëjnë gjëra që duken, ashtu tolerim, a kupton vëllain.
Prokuroria nisi hetimet për rastin, por Superliga është mbyllur përsa përket garës për titull. Kukësi çoi për herë të parë trofeun në verilindje. Ka treguar gjatë gjithë sezonit se ishte favorit, por biseda mes Drini Çaushit dhe dyshimet që u hodhën mbi arbitrimin e ndeshjes së djeshme me Skënderbeun, e njollosën fitoren.
“Kukësi kampion, arbitri dënon Skënderbeun”, “Reagon menaxheri i FIFA-s: Turpi i futbollit shqiptar e ka emrin Enea Jorgji”, “Kukësi kampion për herë të parë, 2 të kuq për Skënderbeun”, Arbitrim skandalo në Kukësi – Skënderbeu. Salihi grisi kartonin e kuq”, ishin vetëm disa nga titujt e mediave mbi ndeshjen, që shprehin atë se ç’ndodhi në 90 minutat që përcaktuan fituesin e kampionatit.
Por a është Kukësi i vetmi ekpi mbi të cilin janë hedhur dyshime për trukime?
Luftëtari publikoi disa mesazhe telefonike të mbërritura në telefonin e një prej lojëtarëve të tij, të cilit i kërkohej të toleronte ndeshjen me Tiranën që rrezikon rënien nga kategoria.

Gjirokastritët ua mblodhën telefonat lojëtarëve gjatë grumbullimit, nga frika se ndonjëri prej tyre mund të përfshihej në pazare mbi ndeshjen.
“Ne prokurori do te perfundojne mesazhet tuaja !! qe ne mengjes telefonat e lojtareve kane qene mbi tavolinen e drejtuesve dhe te gjitha mesazhet do te perfundojne ne prokurori .numrat qe kane derguar mesazhe gjate dites se sotme ne per ta specifikuar ne viber pervec asaj pergjigjeje qe kane marre ne mesazh do te shkojne dhe ne prokurori te mendosh se mesazhi ku kerkon tolerim ne viber nuk perben prove pervecse ndyresira tregon qe jeni dhe injorant!” shkruhej në faqen zyrtare në facebook të klubit.
Prokuroria do ta hetojë edhe këtë rast. Ajo ka zhvilluar hetimet më parë edhe për Skënderbeun, pasi UEFA e penalizoi për trukim të ndeshjeve paraeliminatore të Champions League. Deri tani pa rezultat.
Edhe Partizani është në mesin e të dyshuarve. Sezonin e kaluar Klubi i Flamurtarit iu drejtua prokurorisë për të hetuar ndeshjen me kryeqytetasit. Presidenti Idriz Sinani hodhi dyshime se ndeshja ishte trukuar me anë të disa lojëtarëve të tij.
Por edhe këto hetime nuk sollën asnjë rezultat.
Mungesa e rezultateve nga hetimet e prokurorisë duket se i ka shtuar tentativat e drejtuesve të disa klubeve për ta kthyer Superligën në pazar. Dyshimet sa vijnë e shtohen, bashkë me zhgënjimin e tifozerive, që me humbjen e besimit tek futbolli, rrezikojnë t’i boshatisin stadiumet. /Lapsi.al